1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si të evitohen mashtrimet fiskale në Greqi?

28 Korrik 2011

Greqia megjithë ndihmat gjendet në një gjendje shumë të rëndë. Paketa e ndihmave prej 110 miliardë eurosh nuk do t'i zgjidhë të gjitha problemet financiare të këtij vendi. Në Greqi ka edhe shumë mashtrime fiskale.

https://p.dw.com/p/125DI
Euro në baltë.
Si të shpëtohet euro?Fotografi: Fotolia/Sallenbuscher

Me mjekër dhe flokë të thinjura, rreth 1,75 cm i gjatë - Nikolaus Lekkas është ulur pranë tavolinës së tij sikur mbi supe të mbante një pjesë të borxhit grek."Mendojmë se fjala është për rreth 25 % të prodhimit bruto në vend, që do të thotë në vit rreth 40 - 45 miliardë euro", pohon ai.

Kjo është, sipas mendimit të 60 vjeçarit, shuma që shteti e humb çdo vit për shkak të fshehjes së tatimeve, që është bërë një prej gjërave më të përhapura në Greqi. Greqia aktualisht ka rreth 340 miliardë euro borxh. Sikur grekët në 10 - 15 vitet e ardhshme të paguanin me rregull tatimet që duhet të paguajnë, borxhet do të zvogloheshin në masë të madhe. Por shumë grekë nuk janë të ndershëm, thotë Nikolaus Lekkas.

"Këtu kemi një mjek që punon në shërbimin publik shëndetësor. Ai ka një rrogë fikse dhe asgjë tjetër. Ai ka pranuar se ka fituar, për shembull, rreth 400.000 euro. Ndërsa ne në xhirollogaritë e tij gjejmë 10 milionë euro", shpjegon ai.

Nevoja e hetimeve

George Papandreou
George Papandreou: Kryeministri përballë sfidave të mëdha.Fotografi: dapd

Këtu fillon puna e rreth 1.800 nëpunësve që merren me hetimin e atyre që nuk i paguajnë tatimet si duhet, shpjegon 60 vjeçari. Ata duhet të zbulojnë gjërat e pazakonshme dhe paratë e fshehura, që janë fituar në të zezë.

"Ne shohim vetura në rrugë si Porshe, Ferrari apo Bentley dhe pyesim veten: të kujt janë ato? Hulumtojmë pak më thellë dhe shohim se si qëndrojnë punët. Mund të vëresh dallime të jashtëzakonshme mes atyre që njerëzit deklarojnë se kanë fituar dhe pasurive që kanë", pohon ai.

Zyra e Nikolaus Lekkas është 35 m². Ai ka një tavolinë pune, tre dollapë me dokumenta dhe asnjë lloj ekstravagance. Pajisja kryesore e punës së tij është një kompjuter, me të dhënat për 13 rrethe të ndryshme. Ai ka kërkuar që me bashkëpuntorët e tij të kenë qasje tek të gjitha të dhënat në kadastër, konto në vend dhe jashtë vendi dhe të gjitha pasuritë e personave të dyshuar. Por në Greqi ende nuk mund të kontrollohen këto gjëra.

Nikolaus Lekkas mendon se nuk është mirë që këta persona të hetohen nga agjentë privatë. Deri tani askush nga autoritetet tatimore nuk ka biseduar me të për këtë çështje.

Vizioni i tij

Nikolaus Lekkas ka dhe një vizion: Ai është i bindur se vendi i tij mund të shpëtohet. Por problemet mund të zgjidhen vetëm me angazhime të jashtëzakonshme, që do të thotë se shteti dhe qytetarët duhet të ndryshojnë sjelljet e tyre. Kjo nënkupton edhe investime nga bota e jashtme.

Flamuri grek dhe gjerman.
Investimet mund të ndihmojnë shpëtimin e Greqisë.Fotografi: Bilderbox / DW / Montage

"Ne kemi nevojë për investime. Është e vërtetë që askush nuk do të vijë nga jashtë dhe të zgjidhë problemet tona me ata të cilat nuk paguajnë tatimet. Por ne kemi nevojë për investime dhe kontrolle fiskale. Ai që do të investojë duhet të jetë i sigurt se cilat janë obligimet e tij fiskale dhe sa mund të jenë fitimet. Këto investime duhet të vijnë nga vendet e BE-së", pohon ai.

Deri sa nuk vijnë këto investime, grekët duhet të gjejnë resurset e brendshme për të tejkaluar këtë gjendje. Privatizimi i sipërmarrjeve publike do t'i sjellë shtetit përfitime në vlerë prej rreth 50 miliardë euro. Me këto para do të paguhet një pjesë e borxhit. Nikolaus Lekkas në fund shikon në drejtim të qiellit, sikur edhe nga ky drejtim pret ndihmë.

Autor: Reinhard Baumgarten/Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani