1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si ta luftojnë korrupsionin në Shqipëri?

Ani Ruci4 Tetor 2007

Maxhoranca dhe opozita në Shqipëri kanë qëndrime të ndryshme për të pastruar Parlamentin nga deputetët e korruptuar.

https://p.dw.com/p/BmgI
Parlamenti, Tiranë
Parlamenti, TiranëFotografi: AP Photo

A duhet hequr apo kufizuar imuniteti i një deputeti, në rastet kur ndaj tij Prokuroria heton për korrupsion apo shpërdorim detyre? Maxhoranca dhe opozita parlamentare në Shqipëri i japin dy përgjigje të ndryshme kësaj pyetjeje. Maxhoranca është për kufizimin e imunitetit kurse opozita për heqjen e tij. Cështja është shndërruar në një debat të nxehtë politik pasi palët kanë ndërrmarrë veprime në përputhje me qëndrimet e mësipërme.

Opozita ka filluar zbatimin e nismës së saj politike për heqjen dorë në mënyrë vullnetare nga imuniteti nëse prokuroria heton për raste korrupsioni. Shembullin për deputetët e opozites e dha nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Erion Braçe,“ Heq dorë, tha ai, nga imuniteti parlamentar, në çdo rast që organet e hetimit kërkojnë të fillojnë hetimet ndaj personit tim, jam i gatshëm të paraqitem për të dëshmuar dhe përgjigjur pyetjeve të organit të akuzës në rast të një akuze zyrtarë te formuluar nga insitucionet përkatëse të drejtësisë konform legjislacionit përkatës në fuqi.“

Maxhoranca nga ana e saj ka miratuar pa pjesëmarrjen e opozitës një projekligj në Komisionin e ligjeve, i cili vetëm kufizon imunitetin në rastet kur një deputet hetohet nga Prokuroria. Kryetari i grupit të deputetëve demokratë, që kryesojnë maxhorancën parlamentare, Astrit Patozi konsideron bërjen ligj të
këtij projktligji edhe me votat e opozitës, si opsionin e vetëm në këtë cështje.“ U bëjmë thirrje deputetëve të opozitës, tha Patozi, të bashkohen me maxhorancën në miratimin e projketligjit për kufizimn e imuniutetit, Dorëzimi vullnetar i tij është vetëm hipokrizi dhe propagandë.“

Fotografi simbolike për korrupsionin
Fotografi simbolike për korrupsioninFotografi: Bilderbox

Për më tepër maxhoranca e quan antiligjore nismën e opozitës. Kurse opozita e konsideron atë një nismë politike dhe jo ligjore. Eksperti për çështje ligjore në PS , Ylli Manjani tha se“ nisma e opozitës është një instrument politik që synon të neutralizojë nismën antikushtetuese të maxhorancës“. Duke dhënë argumenta pse projektligji për kufizimin e imunitetit është antikushtetues Manjani tha se“ anë këtë raat deputeti mund të bëhet pre e shantazheve politike. Ministria e Brendshme merr një rol shumë aktiv në hetime, përgjime të deputetëve që mund të përdoren si shantazhe ndaj tyre.“

Burime nga PS thane sot për Deutsche Wellen se deputetët e opozitës nuk do të marrin pjesë në miratimin e projektligjit për kufizimin e imunitetit parlametar pasi ai merr në mbrojtje, sipas tyre zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë të Ministrisë së Transporteve, për të cilët Prokuroria po heton për korrupsion ndaj përdorimit të fondeve për rrugën Durrës- Kukës, Morinë.