1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si po ia del Spanja me valët e të nxehtit

Astrid Prange De Oliveira
26 Gusht 2022

Hapësira të mbrojtura, kursim uji, gjelbërim fasadash. Këto janë disa masa të autoriteteve spanjolle për t'i bërë më të përballueshme të nxehtin dhe thatësirën dhe për të zbutur pasojat e ndryshimit të klimës.

https://p.dw.com/p/4G443
Spanien Miranda de Arga | verbrannte Landschaft nach Waldbränden
Fotografi: Alvaro Barrientos/AP/picture alliance

Sipas të dhënave të Ministrisë për Transformimet Ekologjike (Miteco), korrikun e këtij viti (2022) Spanja regjistroi temperaturat më të larta të arritura që nga viti 1961. Në shumë qytete termometri shënoi 44 gradë. Në krahasim me periudhën nga 1981 deri 2010 vlerat mesatare u rritën me 2,7 gradë duke arritur në 25,6 gradë celsius.   

Sipas një informacioni të televizionit shtetëror spanjoll, RTVE, disa qytete të Spanjës kanë krijuar hapësira të mbrojtura klimatike, në të cilat temperaturat ulen deri në 26 gradë. Këtu bëjnë pjesë bibliotekat, qendrat e sportit, muzeumet dhe shkollat. Hapësirat e mbrojtura krijohen kryesisht për të moshuarit, familjet me fëmijë të vegjël dhe të sapolindurit, si dhe të sëmurët kronikë.

Pyjet në flakë 

Sivjet në Europë janë djegur nga zjarret gati 660 mijë hektarë tokë. Sipërfaqja më e madhe prej 265 mijë hektarësh është djegur në Spanjë, thonë të dhënat e sistemit europian të djegies së pyjeve, Effis.

Për të penguar djegien e pyjeve të paktën për vitin tjetër, qeveria spanjolle ka nxjerrë më 1 gusht një dekret, i cili detyron menjëherë komunitetet autonome, që janë njësi administrative të ngjashme me landet federative në Gjermani, që të përgatisin çdo vit deri më 31 tetor planet për parandalimin dhe shuarjen e zjarreve në vitin që pason. Sipas dekretit, qeveritë rajonale kanë vetëm tre muaj kohë që të japin të dhëna konkrete për shembull për numrin e automjeteve që duhen për shuarjen e zjarreve, personelin dhe pajisjet dhe të tregojnë për zonat që ndodhen më shumë nën rrezik dhe në cilën periudhe kohore.

Në zonat e prekura më shumë nga zjarret, vargmalet e Sierra de la Culebra-s në provincën Zamora në veriperëndim të Spanjës, Miteco ka ngarkuar tashmë katër firma me ripyllëzimin. Kostot janë dy milionë euro.

Hitzewelle Europa 2022 | Waldbrände in Malaga, Spanien
Fotografi: Gregorio Marrero/AP Photo/picture alliance

Rezerva ujore në rënie 

Sipas të dhënave të Miteco-s për shkak të të nxehtit dhe thatësirës së zgjatur rezervat ujore të Spanjës kanë arritur nivelin më të ulët historik. Faqja zyrtare e përmuajshme, e datës 9 gusht tregon se gjendja është 21.730 metra kub ujë, që përbën 39 përqind të kapacitetit.

Prandaj në të gjithë Spanjën komunat dhe rajonet autonome, sidomos në Galicia, Katalonjë dhe Andaluzi kanë marrë masa për të kufizuar konsumin e ujit. Këtu bëjnë pjesë kufizime të furnizimit me ujë gjatë natës, mospërdorimi i dusheve në plazh, si dhe ndalimi i ujitjes së sipërfaqeve të gjelbra, larjes së makinave dhe mbushjes së pishinave plot me ujë.

Temperatura e deteve në rritje 

Mesdheu është duke u kthyer në Karaibet europiane. Sipas të dhënave të Institutit spanjoll për studimet e ambientit mesdhetar (Ceam), temperaturat mesatare të ujit nga viti 1982 deri në vitin 2021 janë rritur me 1,32 gradë celsius.

"Që nga vitet 80-të, temperaturat e detit në bregdetin mesdhetar janë rritur sa dyfishi i rritjes së temperaturave të ajrit,” shpjegon Jorge Olcina, drejtor i laboratorit për klimën në Universitetin e Alicantes, kur flet për të përditshmen spanjolle, El País. Që nga 20 korriku temperaturat e ujit në bregdetin spanjoll kanë ngecur tek 28 dhe 29 gradët.

Sipas Olcinas, arsyeja është se: "Masat e nxehta të ajrit nga Saharaja bllokohen mbi sipërfaqen e ujit duke e ngrohur atë gjithnjë e më shpejt. Që nga viti 1907, temperaturat e ajrit në Mesdhe janë rritur me 0,7 grad celsius kurse ato të detit janë rritur me 1,4 gradë."

Spanien | Hitzewelle | Temperaturanzeige in Seville
Fotografi: Marcelo del Pozo/REUTERS

Një nga pasojat e kësaj është se temperaturat ulen pak edhe gjatë natës, sepse ajri nuk freskohet më nga era e ftohtë e detit. Përveç kësaj temperaturat në rritje të detrave bëjnë që stuhitë dhe moti i keq të shtohen.

Si masë mbrojtëse, Olcina kërkon përpunimin e ligjit për ndërtimet në afërsi të bregdetit.Edhe sektori i turizmit duhet të përshtatet menjëherë me temperaturat ekstreme.Në qytete duhet të krijohen më shumë vende me hije, fasadat e shtëpive dhe çatitë duhet të gjelbërohen.

Në pranverë të 2021, parlamenti spanjoll nxorri "ligjin për ndryshimin e klimës dhe konvertimin e energjisë". Ai duhet të kontribuojë për kthimin e vendit në neutral ndaj klimës deri në vitin 2050. Tek objektivat bëjnë pjesë ndër të tjera edhe rritja e përqindjes së energjive të renovueshme tek prodhimi i energjisë elektrike deri në 42 përqind deri në vitin 2030 dhe heqja dorë nga motorrët me djegie deri në vitin 2040.