1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

180308 Merkel Knesset

Verenkotte, Clemens / Tel Aviv (BR) 18 Mars 2008

Kancelarja gjermane Angela Merkel mbajti një fjalim në parlamentin izraelit. Ajo vuri theksin e saj në marrëdhëniet e veçanta ndërmjet Gjermanisë dhe Izraelit. Të dy vendet janë të lidhura përmes historisë, tha Merkel.

https://p.dw.com/p/DQtz
Angela Merkel në knesetin izraelit
Angela Merkel në knesetin izraelitFotografi: picture-alliance/ dpa
Fjalimi i kancelares gjermane ishte i pari i një kryeministri të huaj që u mbajt në knesetin izraelit. Kujtimi për vrasjet e hebrenjëve duhet të mbahet gjallë, tha Merkel. Ajo qëndronte përkrah kryetares së knesetit Dalia Itzik. E përmbajtur, serioze, në kostum të zi dëgjonte himnin kombëtar izraelit për të cilin në këmbë ishin ngritur të gjithë deputetët, presidenti Peres dhe mbi 800 mysafirët e pranishëm në sallën plenare. Angela Merkel e filloi fjalimin e saj në hebraisht:


'Ju falendëroj që më lejuat të flas këtu në këtë ndërtesë të mrekullueshme. Ky është një nder i madh për mua'.

Pak para fillimit të fjalimit disa parlamentarë izraelitë sqaruan përse nuk duan të dëgjojnë që në kneset të flitet në gjuhën gjermane. Kancelarja nga ana e saj theksoi se Gjermania dhe Izraeli përgjithmonë do të mbeten të lidhura përmes një mënyre të veçantë - kujtimit të Holokaustit. Merkel:

'Shoah - Holokausti na mbulon ne gjermanëve me turp. Unë përkulem para viktimave. Unë përkulem para të mbijetuarëve dhe para të gjithë atyre që ndihmuan ata të mbijetojnë'.

Antisemitizmi, racizmi dhe armiqësia ndaj të huajëve nuk guxojnë kurrë më që të gjejnë vend në Gjermani dhe në Evropë.

Disa herë në fjalimin e saj Merkel ka përmendur Iranin dhe programin e tij bërthamor: Kërcënimet e presidentit iranian ndaj Izraelit dhe popullit hebre janë shqetësuese.

'Sharjet e tij të përsëritura dhe programi bërthamor iranian janë rrezik për paqën dhe sigurinë. Nëse Irani do të arrinte të posedoj bombë atomike atëherë pasojat do të ishin katastrofike'.

Duhet të gjindet një zgjidhje diplomatike dhe nëse Irani nuk lëshon pe atëherë Gjermania do të angazhohet për sanksione të mëtutjeshme.

Sipas Merkel marrëdhëniet gjermano-izraelite janë të shkëlqyeshme dhe ato do të thellohen edhe më tej.

Gjermania nuk do ta lë kurrë vetëm Izraelin, tha Merkel dhe në gjuhën hebreje e uroi atë për 60-vjetorin e themelimit.


Largimi i kancelares gjermane nga foltorja e knesetit është shoqëruar me duartrokitje. Të gjithë deputetët u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën atë.