1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si e përdor Kremlini mafian ruse në Evropë

Irina Filatova
28 Prill 2017

Një një raport të ri thuhet se grupet mafioze ruse po veprojnë në Evropë në emër të Kremlinit.Thuhet se zyrtarët në Moskë e përdorin krimin e organizuar edhe për sulme kibernetike.

https://p.dw.com/p/2c3jT
Russland Kreml Basilius-Kathedrale in Moskau
Fotografi: Getty Images/C. Spencer

Tensionet mes Moskës dhe Perëndimit kanë shpërthyer pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, kur Kremlini ka intensifikuar edhe përpjekjet për shtimin e ndikimit jashtë vendit. Përveç punës së shërbimeve të saj të sigurisë, Moska ka përdorur edhe rrjetet ruse të krimit të organizuar në Evropë, si një mjet të ri në këtë konflikt, thuhet në një studim të publikuar nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), një organizatë e cila i ka zyrat e saj në mbarë Evropën. 

Në raport thuhet se ekziston një lidhje e ngushtë midis aparatit të sigurisë shtetërore në Kremlin, të përbërë nga Shërbimi Informativ për Botën e Jashtme, Shërbimi Informativ Ushtarak dhe Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), si dhe grupeve kriminale të organizuara ruse aktive në vendet evropiane. Për më tepër, Kremlini shpesh i detyron këto grupe që të veprojnë në emër të tij. "Shteti rus është shumë i kriminalizuar, ku krimi dhe "nëntoka" kanë një influencë të madhe", thuhet në studimin e ECFR.

Krimi kibernetik dhe propaganda

Bota e krimit, politikës, biznesit dhe shërbimeve të sigurimit të shtetit në Rusi kanë vendosur lidhje të ngushta mes tyre në vitet 1990, tha për DW autori i raportit dhe një nga ekspertët kryesorë të çështjeve të sigurisë në Rusi, Mark Galeotti. Pasi ardhjes së Vladimir Putinit në postin e presidentit, në vitin  2000, struktura e ndërlidhjeve ka ndryshuar dhe elitat politike filluan të përdorin botën kriminale në dobi të tyre, thuhet në raport. Sipas këtij burimi, "gangsterët mund të vazhdojnë të jenë gangsterë pa pasur frikë, por vetëm për aq kohë sa e kuptojnë dhe pranojnë se shteti është banditi kryesor në qytet".

Sipas studimit, ky rregull ishte i shtrirë dukshëm në të ashtuquajturën mafia ruse në Evropë, e cila është përdorur nga autoritetet në Moskë për qëllime të ndryshme, duke përfshirë edhe sulmet kibernetike, trafikimin e njerëzve dhe mallrave, e madje edhe kryerjen e vrasjeve në emër të Kremlinit. Grupet ruse të krimit të organizuar mund të shërbejnë gjithashtu si një burim i parave të gatshme të zeza për autoritetet e Moskës. Në raste të tilla, shërbimet ruse të sigurisë mund të lehtësojnë kontrabandimin e mallrave përgjatë kufirit në këmbim të një përfitimi.

Russland Kreml
Fotografi: Getty Images/AFP/V. Maximov

Një shembull tjetër i bashkëpunimit të mundshëm midis zyrtarëve më të lartë në Moskë dhe kriminelëve rusë në Evropë të përshkruar nga Galeotti, i cili punon si studiues i lartë në Institutin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Pragë, daton që nga viti 2010, kur një skandal i pashembullt spiunimi midis Rusisë dhe SHBA zuri vend në kryetitujt e gazetave në mbarë botën. Agjentët Anna Chapman dhe nëntë anëtarë të tjerë të një rrjeti rus spiunesh, të zbuluar nga autoritetet amerikane, u shkëmbyen me katër agjentë amerikanë. Por anëtari i 11-të i dyshuar i këtij rrjeti rus, Christopher Metsos, u zhduk pa lënë gjurmë, pasi u arrestua në Qipro dhe u lirua me kusht. Galeotti tha se disa oficerë amerikanë të kundërzbulimit, të cilët i kishin folur atij në kushte anonimiteti, besonin se grupet kriminale ruse e kanë trafikuar Metsosin fshehurazi në Rusi.

Lidhjet e fshehta të Rusisë

Nga bisedat jo zyrtare me autoritete evropiane të sigurisë si dhe disa kriminelë në Evropë dhe Rusi, Galeotti ka mësuar se ekziston një ndërlidhje e ngushtë mes Kremlinit dhe grupeve kriminale të organizuara ruse. Vendet më të zakonshme për këto grupe kriminale janë vendet ku ka komunitete të mëdha ruse, si në jug të Spanjës, në Greqi ose Letoni, si dhe në vendet ku ka sasi të mëdha trafikimi të njerëzve, drogës dhe mallrave, siç është Berlini. Ndryshe nga 20 vjet më parë, grupet kriminale ruse në Evropë tani nuk veprojnë në rrugë. Ato veprojnë tani si aleatë, lehtësues dhe furnizues për bandat lokale evropiane dhe rrjetet kriminale në mbarë kontinentin. Për shembull, afërsisht një e treta e heroinës që arrin në Evropë, vjen nëpërmjet bandave ruse, tha Galeotti.

Një tjetër ekspert për krimin e organizuar rus, Walter Kegö nga Instituti për Politikat e Sigurisë dhe Zhvillimit në Stokholm, thotë se grupet mafioze ruse në Europë preferojnë të qëndrojnë në hije. Kegö për DW thotë se mafia ruse ka një ndikim të madh jo vetëm në botën kriminale, por edhe në politikë. "Nuk ka dyshim se ata janë përdorur nga zyrtarë të lartë në Kremlin për të bërë gjëra të caktuara, edhe pse jo tërë kohën", tha ai.

Ndërsa Galeotti shton se ky lloj bashkëpunimi i mundëson Rusisë që të maskojë çdo lidhje të drejtpërdrejtë me zyrtarët në Moskë. Bandat, të cilave u drejtohet Kremlini, ende kanë pasuri apo njerëz të tyre në Rusi, që do të thotë se autoritetet e sigurisë kanë ndikim mbi to, thotë Galeotti dhe shton: "Kohë pas kohe Kremlini u drejtohet gangsterëve dhe në thelb Kremlini bën kërkesa të cilat gangsterët nuk muknd t'i refuzojnë".