1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Në gjurmët e historisë afrikane në Paris

John Laurenson / Elona Elezi28 Gusht 2012

Shëtitjet turistike "me ngjyrë" nëpër Paris, u tregojnë vizitorëve historinë e gjatë afrikane të qytetit përtej Josephine Baker. Pjesëmarrësit largohen nga Parisi me një perceptim të ri rreth qytetit dhe vendit të tyre.

https://p.dw.com/p/15xPD
Fotografi: John Laurenson

Një grup turistësh hyn në paradhomën e vogël të sallës së koncerteve Art Deco në Pleyel për të dëgjuar guidën Ricki Stevenson, e cila kthen pikën e referimit të kulturës pariziane në pikën e referimit të historisë së pasur të Amerikës me ngjyrë dhe "qytetit të dritave".

"Ky është vendi ku në vitin 1934, Luis Armstrong dha shfaqjen e tij të parë franceze," thotë ajo, duke shtuar se ai qëndroi në kryeqytetin francez për katër vite.

Të përballeshin me segregacionin në Shtetet e Bashkuara dhe të ktheheshin në Francë ishte një lehtësim për artistët e zinj të Amerikës, për muzikantët, aktivistët politikë, ushtarët dhe shkrimtarët. Pas mbërritjes në Francë, shumë prej tyre do të ndiqnin këshillën e novelistit William Wells Brown dhe do të ngjiteshin në majën e Harkut të Triumfit "për të qenë të lirë."

"Parajsa e sigurt" shumëshekullore për afrikano-amerikanët

"Mendoj se duhet të shkoni pas në vitet 1870 kur ligjet ishin të pamiratuara në Francë dhe ju kishit ikur nga skllavëria dhe kishit ardhur në Paris, aty ku gjuetarët e pasur nuk do t'ju bezdisnin, dhe ata nuk mund t'ju kthenin sërish në skllavëri," thotë Stevenson.

Kur Franca në vitin 1803 hoqi dorë në favor të SHBA-së nga territori i Luizianës, një brez toke nga Gjiri i Meksikës deri në Kanada, 50 mijë njerëz me ngjyrë të lirë të cilët jetonin aty, zgjodhën të lëvizin më mirë drejt Francës se sa të ktheheshin pas në skllavëri.

Edhe pas shfuqizimit të skllavërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1865, amerikanët me ngjyrë vazhdonin të vinin këtu. Nga vitet 1950, ndryshimi në cilësinë e jetës të njerëzve me ngjyrë në këto dy shtete ishte tejet i madh. Clyde Wright, anëtari 84-vjeçari i Golden Gate Quartet, u transferua në Paris në vitet ´50.

Franca nuk ka qenë kurrë një parajsë pa racizëm, thotë ai, teksa nxjerr një tingull nga pianoja në apartamentin e tij paksa larg nga qendra e qytetit. "Mund të shihni ende njerëz që më shikojnë në rrugë," thotë ai. Ndryshimi madhor në Francë, sipas tij, ishte fakti se atje nuk kishte racizëm të institucionalizuar si në Shtetet e Bashkuara.

Clyde Wright u zhvendos në Paris në vitet 1950
Clyde Wright u zhvendos në Paris në vitet 1950Fotografi: John Laurenson

"Në Shtetet e Bashkuara, për mua kjo ishte një çështje edukimi," tha ai. "Të shkoje në shkollën e duhur dhe të merrje edukimin e duhur. Në moshën 7-vjeçare zbulova se kjo nuk do të ndodhte kurrë. Gjithsesi në Francë nuk i veçojnë njerëzit. Të gjithë shkojnë në të njëjtën shkollë. Dhe unë u regjistrova në një shkollë franceze."

Të zbulosh Parisin me ngjyrë

Artistët me ngjyrë gjithashtu u trajtuan si yje ndërkombëtare edhe kur erdhën në Paris. Kur Josephine Baker u kthye në një tur në Shtetet e Bashkuara, iu lejua të qëndronte në një hotel të famshëm në Nju Jork por iu kërkua që të hynte nga dera e shërbëtorëve që të mos trondiste klientët e tjerë. Ishte një lëvizje, të cilën ajo e refuzoi në Shtetet e Bashkuara dhe që nuk do t'i ishte kërkuar në Francë.

Gjatë shëtitjes turistike "me ngjyrë" në Paris, vizitohen vendet e dëbimit dhe evidentohet rëndësia e disa njerëzve me ngjyrë në historinë e Francës. Njerëz si Aleksandër Dyma. Pak njerëz – në Francë apo kudoqoftë – e dinë që shkrimtari i "Tre musketierëve" kishte një gjyshe me ngjyrë. Edhe pse kur shikoni statujën e tij afër Parkut Monceau kjo është shumë e qartë.

Shëtitja turistike "me ngjyrë" në Paris u tregon turistëve stacione të rëndësishme të kulturës me ngjyrë.
Shëtitja turistike "me ngjyrë" në Paris u tregon turistëve stacione të rëndësishme të kulturës me ngjyrë.Fotografi: John Laurenson

Në Francë nuk është politikisht korrekte që të merresh me origjinën e njerëzve. Edhe nëse kjo bëhet në një mënyrë pozitive. Por turistja e shëtitjes turistike "me ngjyrë", Marlene Mouanga, thotë se e vlerëson nismën e ndërmarrë nga kompania turistike.

"Vërtet më tregon rëndësinë e asaj se çfarë do të thotë të jesh një njeri me ngjyrë në Paris," thotë e reja amerikane. "Se si njerëzit me ngjyrë kanë kontribuar në shoqërinë pariziane. Para se të vija këtu ishte thjesht Paris…Kulla Eifel. Shëtitja më dha një këndvështrim krejt të ri rreth Parisit. Ishte vërtet prekëse."

Grupi i turit ndalon për të ngrënë drekë në një restorant senegalez në një lagje të varfër emigrantësh, pranë stacionit të metrosë në Chateau Rouge (Kalaja e Kuqe). Frutat dhe perimet shiten në një treg të rrëmujshëm rruge dhe burrat të tregojnë për pak sekonda orët dhe bizhuteritë që mbajnë brenda xhaketave të tyre.

"Afrika e vogël" - Chateau Rouge, një nga stacionet e Black Paris Tours
"Afrika e vogël" - Chateau Rouge, një nga stacionet e Black Paris ToursFotografi: DW/Christine Harjes

Kjo nuk është një pjesë qyteti që frekuentohet shpesh nga turistët, por shëtitjes turistike "me ngjyrë" në Paris e quan "Afrika e vogël," dhe për disa nga klientët e Stevenson, ky është vendi më i ngjashëm afrikan që ata kanë parë ndonjëherë.

Stevenson thotë se shëtitja turistike "me ngjyrë" në Paris nuk ka të bëjë me krenarinë, por t'u japë njerëzve me ngjyrë atributet e arritjeve të tyre.

"Kur kupton se po ecën në gjurmët e të gjithë këtyre njerëzve, të ndryshon jetën," thotë ajo. "Ndryshon mënyrën e ndërveprimit me të tjerët. Ju nxjerr jashtë kutisë ku ishit futur. Kam pasur njerëz që thonin se 'Nuk do të jem kurrë një pakicë në këtë botë!'. Ne mund të jemi krenarë për atë çka jemi dhe atë çfarë kemi bërë."

Turi i ofron të gjithë miqve një vështrim të ri të një prej qyteteve më të vizituara në botë. Mona Liza, për shembull, një nga thesaret e Muzeut të Luvrit. E pikturuar nga Leonardo da Vinçi. Por, sipas shëtitjes turistike "me ngjyrë" në Paris, ajo u bë piktura më e famshme në botë kur amerikani me ngjyrë i dashuruar pas Parisit, Nat King Cole, e ktheu atë në titullin e një prej këngëve hit të tij.