1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shënohet sukses në luftimin e virusit HI

A. Shuka 13 Nëntor 2008

Mjekët e klinikës universitare të Berlinit kanë arritur sukses në luftimin e virusit HI nëpërmjet transplantimit të palcës kockore. Por ata thonë se kjo lloj terapie nuk konsiderohet e përshtatshme për të kuruar sidën.

https://p.dw.com/p/FtPq
Sukses në klinikën e Berlinit. Mjeku Gero HyterFotografi: picture-alliance/ dpa

Zhdukja e virusit HI kishte qenë efekt pozitiv dytësor i transplantimit. Fjala është për një pacient në një klinikë të spitalit universitar Charite në Berlin, i cili vuan nga leuçemia e që kishte qenë i infektuar edhe me HI. Transplantimi i palcës ashtërore ishte bërë për të luftuar leuçeminë, por mjekët kishin zgjedhur një dhurues, qelizat bazë të të cilit ishin imune ndaj virusit të sidës. “I testuam të gjithë dhuruesit e përshtatshëm. Pas testimit të 60 prej gjithsej 80 dhuruesve hasëm në dhuruesin me mutacionin që imunizon qelizat nga virusi HI”, ka thënë drejtuesi i klinikës, Ekhard Til (Thiel), të mërkurën në Berlin. Tre vjet më parë qelizat e transformuarai ishin transplantuar pacientit. Që prej dy vjetësh tashmë analizat e infektimit me HI rezultojnë negative.

Berlin Charité
Klinika universitare Berlin "Charite"Fotografi: AP

Nuk ka shpresa për shërimin e pacientëve me HIV

Udhëheqësi i terapisë, Gero Hyter, megjithatë ka paralajmëruar se terapia e tij nuk mund të shërbejë si bazë për shërimin e pacientëve me HI. Hyter ka shpjeguar se vetë procedura e transplantimit të qelizave bazë është shumë e rrezikshme për jetën e pacientit, kështu që përdorimi i saj për të sëmurët me HI do të ishte i papërligjur. Kjo procedurë ndiqet vetëm në raste sëmundjesh të rënda e pa rrugëdalje, si për shembull leuçemia akute. Problem tjetër përbën vështirësia e gjetjes së dhuruesit të përshtatshëm, pasi persona me qeliza bazë imune ndaj virusit HI hasen vetëm në tre për qind të popullsisë.

Ideja për të trajtuar pacientët me virusin HI nëpërmjet transplantimit të qelizave bazë nuk është e re. Studime të ngjashme ka pasur edhe në Amerikë, por pa sukses. Specialistët thonë, se suksesi i arritur në Berlin është para së gjithash prodhim i rastësisë, por ai do të shërbejë si nxitje për hulumtime të mëtejshme në këtë fushë.