1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të arrestuar dhe të plagosur në veri të Kosovës

Bekim Shehu
28 Maj 2019

Gjatë një aksioni të Policisë së Kosovës në veri të vendit dhe ne Drenicë, janë arrestuar shumë persona. Policia njofton për të plagosur me armë zjarri.

https://p.dw.com/p/3JHxi
Kosovo Polizei nach Ausschreitungen im Norden
Fotografi: Getty Images/AFP/A. Nirmani

Një operacion në shkallë të gjërë zhvilloi sot (28.05.2019) Policia e Kosovës në veri të vendit dhe në Drenicë, duke arrestuar rreth 20 zyrtarë doganorë, zyrtarë të policisë dhe qytetarë që dyshohet të jenë të përfshirë në vepra të ndryshme kriminiale. Të ndaluarit dyshohet se janë të përfshirë, në vepra, pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, kontrabandim me mallra, keqpërdorim i pozitës zyrtare, dhënie e ryshfetit dhe tregti e ndaluar, njofton policia e Kosovës. Sipas medieve lokale serbe, në mesin e të arrestuarve është edhe komandanti serb i policisë së komunës së Zubin Potokut, komunë kjo e banuar më shumicë serbe. Gjatë operacionit policia ka hasur në rezistencë të armatosur të grupeve të serbëve. Njoftohet se ka pasur edhe policë të plagosur.

Plagosjet e policëve

"Përkundër hasjes në rezistencë të armatosur në veri të Mitrovicës, operacioni policor është duke vazhduar, përfshirë arrestimin dhe kontrollin e disa lokacioneve, të cilat kanë rezultuar me konfiskimin e dëshmive relevante përfshirë edhe armë të gjata", thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. Mediet lokale njoftojnë se grupe serbësh në veri kanë bllokuar disa rrugë kryesore të veriut, për të vështirësuar operacionin e Policisë së Kosovës. Policia mohon që operacioni në veri të Kosovës ka të bëjë me rastin e policit të vrarë në veri vitin 2011 Enver Zymberi dhe për rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq. Gjithashtu, policia pohon se aksione për arrestimin e të dyshuarve janë zhvilluar edhe në Drenicë dhe jo vetëm në veri të Kosovës.

"Këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disamujor i Inspektoratit të Policisë së Kosovës IPK, dhe Policisë së Kosovës i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale "pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal" dhe vepra tjera të specifikuara. Ky operacion policor është ende në vazhdim e sipër. Si pasojë e rezistencës në Veri të Mitrovicës, një zyrtar policor është plagosur por është jashtë rrezikut për jetë, përderisa deri më tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, disa qytetarë si dhe janë konfiskuar gjësende të ndryshme përfshirë edhe disa armë”, thuhet në njoftimin e policisë. Ndërsa zëdhënësja e spitalit të Mitrovicës, Nita Mustafa ka deklaurar për mediat e Kosovës se ndërkohë numri i policëve të plagosur është rritur. "Për momentin katër policë janë të plagosur, por ata janë jashtë rrezikut për jetë. Tre prej tyre janë duke u trajtuar në emergjencë dhe njëri në kirurgji”, tha Mustafa. Këto të dhëna ende nuk janë konfirmuar nga Policia e Kosovës.

Reagimi i Kforit dhe Unmikut

Kfori pohon se kjo është vetëm një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës. Për shkak të ndjeshmërisë politike të momentit, komandanti Kforit fton të gjitha palët që të merren me mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi, pa asnjë forcë ose dhunë. Njerëzit duhet të qëndrojnë të qetë, nuk kanë asgjë për t’u frikësuar.
Kfori vazhdon të monitorojë situatën dhe është i gatshëm të intervenojë, nëse kërkohet si përgjegjës i tretë, në mënyrë që të garantojë sigurinë për të gjitha komunitetet, në përputhje me mandatin e vet sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, thuhet në kumtesën e Kforit. Nga veriu njoftohet edhe për fluturimin e një helikopterri të forcave ndërkombëtare, por nuk ka pasur ndonjë ndërhyrje.

Kosovo - Erzengelkloster bei Prizren
Fotografi: picture-alliance/dpa

Pas informacioneve se në mesin e të arrestuarve mund të ketë edhe dy bashkëpunëtorë të Unmikut, ka reaguar edhe kjo organizatë. Unmiku pohon se po përcjellë "me shqetësim të thellë zhvillimet në veri të Kosovës, përfshirë ndalimin e dy punonjësve të OKB-së, gjatë kryerjes së detyrave të tyre nga ana e Policisë së Kosovës." Sipas kumtesës së Unmikut, "që të dy punonjësit më vonë janë transferuar në spital për trajtim të lëndimeve". 

Shefi i Unmikut Zahir Tanin, ka apeluar për lirimin e menjëhershëm të punonjësve të OKB-së, duke shtuar se “çfarëdo dëmi shkaktuar punonjësve të Kombeve të Bashkuara do të përcillet me përgjigje më të larta diplomatike dhe ndërkombëtare ligjore”.

Reagimet e zyrtarëve

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se operacioni policor në veri ka në shënjestër individë të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe aktivitete të tjera kriminale. "Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë. Operacioni u zhvillua me sukses edhe në komunat veriore të Kosovës. Si kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatim të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin", shkroi në profilin e tij kryeministri Ramush Haradinaj.

Kombo-Bild Kosovo Hashim Thaci und Serbien Aleksandar Vucic
Fotografi: picture-alliance/AA/EU Council

Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ftoi serbët e veriut që ta ruajnë qetësinë, sepse sipas tij, operacioni i policisë është kundër grupeve kriminale dhe për zbatim të rendit dhe ligjit. Ai tha se "forcat e Kosovës janë në gjendje gatishmërie, nëse është e domosdoshme". 

"Institucionet e rendit dhe ligjit kanë nevojë për besim dhe përkrahje maksimale të tërë shoqërisë në luftën e pakompromis kundër krimit të organizuar, kontrabandës dhe korrupsionit, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s'do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave”, shkroi në profilinn e tij Presidenti Thaçi.

Për operacionin e njësive speciale të policisë së Kosovës në veri i menjëhershëm ishte edhe reagimi i Beogradit zyrtarë. Medium publik i Serbisë RTS, shkruan se Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuciq, ka urdhëruar, "vendosjen e të gjitha njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë në gjendje të plotë të gatishmërisë luftarake”. Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha për mediet në Serbi se "nëse ndërkombëtarët nuk e ndalin Policinë e Kosovës, Serbia do të kundërpërgjigjet”.

"Flas në emër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kemi informuar përfaqësuesit ndërkombëtar se nëse nuk e ndalin aksionin e Prishtinës, kundëraksioni i Serbisë do të ndërmirret brenda ditës së sotme”, citon RTS, Marko Gjuriqin.