Nuk duhet ta duartrokasim këtë qeveri
30 Prill 2012Pas vendimit para disa ditësh të presidenti gjerman Gauck, që ta anulonte një vizitë të planifikuar për në Ukrainë, për shkak të keqtrajtimit të ish-kryeministres Julia Timoshenko, prej politikanëve gjermanë po shtohen kërkesat për bojkotimin e Kampionatit Evropian të Futbollit në këtë vend.
Kreu i SPD Sigmar Gabriel tha: "Unë besoj se nëse regjimi në Ukrainë nuk e ndryshon qëndrimi i tij dhe nëse aty nuk respektohen të drejtat e njeriut, atëherë ne si politikanë nuk duhet të shërbejmë si duartrokitës për këtë qeveri."
Drejtuesja e Partisë së Gjelbër Claudia Roth, tha: "Unë jam shumë e kënaqur që zoti Gabriel iu bashkua thirrjes sonë për bojkotimin e Kampionatit Evropian nga ana e politikanëve dhe politikaneve. Unë duhet të them, se para së gjithash për këtë duhet të falënderojmë veçanërisht Joakim Gauck-un, presidentin tonë, i cili dha një sinjal shumë, shumë të qartë. "
Para disa ditësh presidenti gjerman Gauck, vendosi ta anulonte një vizitë të planifikuar për në Ukrainë, për shkak të keqtrajtimit të ish-kryeministres Julia Timoshenko. Njoftimet për shëndetin dhe keqtrajtimin e Tomoshekos në burg i ka konfirmuar edhe e ngarkuara ukrainase për të drejtat e njeriut.
Kryetari i grupit parlamentar të partisë E Majta Dietmar Bartsch tha: "Besoj se ne tani nuk duhet të debatojmë, por të shtojmë përmes BE presionin e përbashkët ndaj Ukrainës."
Wolfgang Grenz, Sekretar i Përgjithshëm i Amnesty International për Gjermaninë tha: "Ne jemi të mendimit se nëse sportistët tanë shkojnë në Ukrainë për Kampionatin Evropian, atëherë si funksionarët dhe sportistët nuk duhet të heshin për të drejtat e njeriut por të flasin për to".
Wolfgang Bosbach (CDU), kryetari i Komisionit të Brendshëm të Bundestagut u shpreh: "Në rast se ndonjë politikan do të shkojë në Ukrainë atëhere sigurisht vetëm për të mbështetur skuadrën e vet kombëtare dhe jo si shenjë simpatie për regjimin e atjeshëm. Ne mund të tregojmë edhe me fjalë dhe me gjeste, pra duke mbajtur distancën më të madhe, se ç'mendojmë për regjimin e Janukoviçit."
Autor: dpa/dw/ Pani
Redaktoi: Elert Ajazaj