1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

UNO Palästina

23 Shtator 2011

Palestinezët kërkojnë përmirësimin e statusit të tyre në Kombet e Bashkuara. Qëllimi është një shtet i pavarur palestinez. Ky shqetësim është i justifikuar, mendon Rainer Sollich.

https://p.dw.com/p/12dxZ
Demonstrata të palestinezëve në bregun perëndimor të Jordanit
Demonstrata të palestinezëve në bregun perëndimor të JordanitFotografi: dapd

Sa më shumë mendon për mundësinë e njohjes së një shteti palestinez, shkruante së fundi një komentator i gazetës konservatore gjermane "Die Welt", aq më të rrezikshme duken pasojat: "Çdo mase dhune, çdo akt terrori kundër Izraelit nga ana e Hamasit, do të denoncohej në rastin e një hakmarrje izraelite menjëherë si akt ndërshtetëror dhe do të kishte pasoja të paparashikueshme ndërkombëtare", paralajmëronte autori në artikullin e tij. Kjo është e drejtë, siç janë të drejta edhe shumë gjëra të tjera, që thuhen këto ditë kundër iniciativës së palestinezëve. Eshtë e vërtetë se palestinezët këtë hap e bëjnë të vetëm. Dhe është gjithashtu e vërtetë se ata po luftojnë sot për një zgjidhje, të cilën e kanë refuzuar vetë pas Luftës së Dytë Botërore: Zgjidhjen me dy shtete në truallin e ish territorit mandat të Palestinës.

Rainer Sollich.
Rainer SollichFotografi: DW

E gjithë kjo është e vërtetë dhe nuk mund të jetë argument kundër nismës së palestinezëve. Ashtu siç nuk duhet venë kurrë në diskutim e drejta e ekzistencës së Izraelit, edhe palestinezëve u duhet dhënë një sinjal i qartë, se formimi i shtetit të tyre në krah të Izraelit nuk është një opsion pa detyrime i lënë dikur për të ardhmen. Bashkësia ndërkombëtare - duke përfshirë edhe evropianët dhe SHBA - kanë këtë qëndrim, ashtu si dhe Izraeli vetë. Por qeveria e tanishme e Izraelit nuk ka mundur të bindet deri tani, që të ndalojë kolonizimin e tokave të pushtuara, apo të pranojë një zgjidhje të bazuar në kufijtë e vitit 1967. Nëse këtu së paku simbolikisht presioni shtohet, atëherë pavarësisht nga rreziqet, politikisht ky nuk është gabim.

Revolucionet arabe ndryshuan qëndrimet e këtyre shteteve ndaj Izraelit

Që Izraeli izolohet gjithnjë e më shumë dhe në valët e revolucioneve arabe po bëhet sërish objekti i preferuar i urrejtjes në rajon, duhet të na shqetësojë pikërisht ne evropianët. Sulmet ndaj ambasadave izraelite, apo ndjenjat anti-hebreje, të cilat në shumë vende arabe i ushqejnë jo vetëm ekstremistët e papërmirësueshëm, nuk mund dhe nuk duhet t'i pranojmë kurrë. Dhe aq më pak të ashtuquajturën "rezistencë" nga grupe si Hamasi, apo Xhihadi Islamik, e cila nuk është në fakt asgjë më shumë se terror kundër civilëve. Iniciativa e udhëheqjes palestineze është megjithatë me të drejtë shprehje e padurimit: Edhe sa kohë do të presë bashkësia ndërkombëtare, sa kohë do të presë akoma në rradhë të parë Izraeli vetë, që më në fund popullit palestinez t'i jepet një perspektivë e besueshme për krijimin e shpejtë të shtetit?

Nuk ka aq shumë rëndësi, se kush vë veto në Këshillin e Sigurimit, apo nëse palestinezët mund të jenë të kënaqur fillimisht me një status sipas modelit të shtetit të Vatikanit. E rëndësishme është që në fund të ketë progres të dukshëm në këtë çështje. Një shtet palestinez, qoftë nga këndvështrimi i Izraelit, por edhe nga perspektiva ndërkombëtare dhe rajonale, do të jetë një guxim i madh si çdo shtet i ri, që është lindur nga një konflikt i vështirë. Ndoshta edhe ai do të paraqesë me të vërtetë një "rrezik për sigurinë", siç e formulon komentatori i gazetës "Die Welt". Gjendja e tanishme e frustrimit dhe e urrejtjes dhe zemërimit gjithnjë e më të madh, është shumë më e rrezikshme.

Vetëm një argument interarab flet kundër përpjekjes së tanishme të palestinezëve: Nisma e zhvendos fokusin e vëmendjes ndërkombëtare, e largon prej brutalitetit të vazhdueshëm të autoriteteve siriane kundër popullsisë së vet, si dhe prej mungesës së përparimit demokratik në Egjiptin pas revolucionit.

Autor: Rainer Sollich

Redaktoi: Angjelina Verbica