1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtein: Në Shqipëri janë shumë të pakët intelektualët që merren me të kaluarën komuniste

Fabian Schmidt27 Tetor 2006

Shqipëria është ende prapa me zbardhjen e së shkuarës. Sot 16 vjet pas kthesës është ndezur debati për hapjen ose jo të dosjeve të ish-sigurimit të shtetit. Detlef Shtein, drejtor i qendrës për Evropën Lindore në Berlin thotë çfarë duhet të ketë parasysh Shqipëria në këtë debat

https://p.dw.com/p/AqaU
Arkiva e Stasit në Berlin
Arkiva e Stasit në BerlinFotografi: AP

Kanë kaluar 16 vjet qysh pas kthesës dhe ndryshimit të sistemeve në vendet e ish-bllokut lindor, e megjithatë hijet e së shkuarës janë prezente. Shumë njerëz vazhdojnë të vuajnë me kujtimin e hidhur të përndjekjes, ndërsa të tjerë me ndërgjegjen jo të qetë për bashkëpunim me ose pa vetëdije me makinerinë totalitare të përndjekjes së të gjithë atyre që mendonin ndryshe dhe i kundërviheshin ideologjisë së partisë-shtet. Vende të ndryshme e kanë përpunuar në forma të ndryshme të kaluarën, duke hartuar ligje apo struktura përkatëse për zbardhjen e krimeve të komunizmit. Ndërsa Shqipëria është ende prapa me zbardhjen e së shkuarës. Sot 16 vjet pas kthesës është ndezur debati për hapjen ose jo të dosjeve të ish-sigurimit të shtetit.

Çfarë duhet të ketë parasysh Shqipëria në këtë debat dhe çfarë mund të përfitojë ajo nga përvoja e vendeve të tjera të ish-bllokut lindor?

Për këtë prononcohet në intërvistë për DW-në, Detlef Shtein, drejtor i qendrës për Evropën Lindore në Berlin.

Kjo qendër u krijua në vitin 1991 nga grupi i punës për Evropën Lindore Forumi i Ri. Ky forum ishte lëvizje për të drejtat e qytetarëve që drejtoi revolucionin në vitin 1989 në ish RDGj, që realizoi 1990-ën dhe që arriti vendosjen e ligjit për dosjet e sigurimit të shtetit dhe hapjen e dosjeve sekrete për qytetarët, gazetarët dhe studjuesit. Më shumë se 3 milionë punonjës të shërbimeve publike janë verifikuar pas ribashkimit të Gjermanisë lidhur me bashkëpunimin e tyre me ish-sigurimin e shtetit.

Por si e vlerëson Detlef Shtein debatin aktual në Shqipëri:

"Tani ndodhemi 15 vjet pas kthesës politike në Shqipëri, ku kemi një situatë, që me sa di unë një pjesë e madhe e dosjeve të sigurimit janë asgjësuar. Ndaj shtrohet pyetja, përse gjatë gjithë kësaj periudhe, pavarësisht nga konstelacionet partiake që kanë qenë në pushtet, askush nuk ka ndërmarrë asgjë për të ndihmuar në këtë drejtim dhe për të bërë propozimet që do të kishin edhe mbështetje nga shumica. Së dyti, çka është mjaft e rëndësishme, përse ka kaq pak interes në shoqëri për t´u marrë me një temë të tillë? Këtu luajnë rol edhe problemet sociale të popullsisë, që e lënë pasdore këtë diskutim dhe për fat të keq janë shumë të paktë ata intelektualë në Shqipëri që merren me temën e komunizmit, sigurimit dhe dosjet e sigurimit të shtetit."

Sa i përket situatës në Gjermani, në ish RDGj, ajo ka qenë krejt e veçantë. Pas revolucionit paqësor të vitit 1989 qytetarët e ndërmorrën vet iniciativën dhe shpërbënë qendrat e sigurimit të shtetit. Më pas përmes përgjegjësisë së qeverisë dhe të parlamentit u vendos ligji, në bazë të të cilit u hapën mundësitë përkatëse dhe shanset për zbardhjen shkencore të së shkuarës: Por edhe njohja privatisht me dokumnetat e shtazit (sigurimit i shtetit) u përkufizua në mënyrë ligjore. Të tilla mundësi ka pasur kudo në shtetet e Evropës Lindore dhe Juglindore.

Sa i përket situatës në Shqipëri, Detlef Shtein thekson:

"Mund të them se nëse tani qeveria e re e ka këtë vullnet për të vepruar, kjo duhet përshëndetur. Sigurisht që për këtë duhet të merret informacion në nivel ndërkombëtar për të mësuar nga përvoja e vendeve të tjera se si duhet vepruar me këtë temë, mund të mësohet prej përvojës së Çekisë, Polonisë, Sllovakisë, por edhe nga Gjermania."


Nëse nis tani diskutimi mbi këtë temë ka vështirësi me mënyrën se si duhet vepruar me grupin e personave që janë rektruar prej funksionarëve të vjetër. Nga ana tjetër ka ish-punonjës të sigurimit të shtetit që prej shumë vitesh e madje edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë të ulur në struktura të ndryshme të administratës dhe ekonomisë.

Detlef Stein ka qenë edhe në Shqipëri:

"Kur kam qenë për herë të fundit në Shqipëri përpara disa vitesh shpesh herë më kanë thënë në Tiranë, se disa sektorë të administratës kanë ndryshuar vetëm drejtorët, por stafi në nivelet nën drejtorinë dhe më poshtë vazhdon të jetë ai i vjetri. Imagjinoni një njeri që ka qenë i internuar dhe sot interesohet për të drejtat apo pensionin e vet tek shkon nëpër zyra sheh po të njëjtët njerëz, që kanë pasur përgjëgjesësi deri në ditët e kthesës politike dhe kanë qenë të involvuar në regjimin komunist. Pra në aspektin psikologjik kjo është shumë e vështirë dhe në aspektin teknik pothuajse e pamundur që të tillë nëpunës administrate të jenë të gatshëm të japin ndihmesë dhe mbështetje për të përndjekurit."

Të garantohet njohja private me dosjet për qytetarët


Detlef Shtein, drejtor i qendrës për Evropën Lindore në Berlin, tërheq vëmendjen, se nga njëra anë duhet pasur parasysh që domosdoshmërisht të garantohet njohja private me dosjet për qytetarët. E kjo me kushte që ato të jenë të gjendje të përballojnë koston:

"Sepse nuk mund të pranohet që një shtetasi shqiptar me kushte të vështira ekonomike t´i duhet të pagujë një shumë të lartë për të parë dosjen, kjo mendoj unë nuk duhet të ndodhë. Pra garantimi i hapjes së dosjeve duhet të ketë prioritet. E dyta është që duhet pasur kujdes me ndëshkimin penal të krimeve të sigurimit deri në vitin 1991: për këtë duhet parë se si është aktualisht situata juridike në Shqipëri dhe si mund të krijohet ndoshta një grup special pune brenda ministrisë së drejtësisë: një strukturë e tillë për pesë vitet e ardhëshme mund të ketë kompetencën që në bashkëpunim me nëpunësit e drejtësisë, gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët, të trajtojnë akuzat për korrupsion, aferat e sigurimit dhe të funksionarëve të partisë komuniste."

Funksionimi i zyrës varet nga qeveria shqiptare

Duke bërë krahasimin me situatën në Poloni mund të thuhet, se atje zyra përgjegjëse për përpunimin e dokumentacionit të sigurimit të shtetit ka si komponente një sektor të gjerë të përbërë nga gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë. Në vende të tjera kjo ka funksionuar në formë të ndarë.

Por si duhet të realizohet kjo në Shqipëri, kjo është një çështje e qeverisë atje, thekson Detlef Shtein:

"Propozimi im do të ishte të shiheshin projektet në vendet e Evropës Lindore dhe Juglindore. Pra duhet të ketë një orientim se si kanë vepruar autoritetet përkatëse në Poloni, Gjermani, Çeki, Sllovaki apo në Hungari. Ndoshta mund të merren si konsulentë njerëzit kompetentë për punën me dosjet si dhe të organizohen konferenca për të shkëmbyer mendime dhe për të përfituar përvojë.
Natyrisht është shumë e rëndësishme kur merresh me këtë çështje, që të mos harrohet aspekti i politikës arsimore dhe punës me publikun. Duhet që rezultatet përkatëse të punës shkencore dhe të asaj arsimore të bëhen publike. Ndoshta do të ishte e udhës që të botohej një gazetë e posaçme nga struktura shtetërore e ngarkuar me dosjet. Gjithahstu mund të prodhohen dokumentarë televizivë, e rëndësishme është që publiku të informohet vazhdimisht dhe saktë mbi situatën në këtë strukturë dhe sukseset apo mossukseset e një agjencie të tillë. Sepse vetëm përmes transparencës nga ana e qeverisë, pavarësiht se cila parti e drejton atë, mund të krijohet mundësia për t´u konfrontuar me fajin dhe trashëgiminë vetiake."

Kjo në Gjermani është rregulluar në mënyrë të tillë, që viktimat mund të shohin dosjen e tyre, ndërsa historianët dhe studjuesit mund të shohin dosjet e personave të jetës publike. Pra jo kushdo mund të shohë çdo dosje.

Si mund të sigurohet garantimi i mbrojtjes së viktimës?

"Ata që janë përgjegjës në Shqipëri duhet ta kenë të qartë, se mundësia e njohjes së dosjeve dhe pëprunimi shkencor i dosjeve të sigurimit të shtetit dhe pozicionimi politik ndaj tyre duhet të përmbushë normat përkatëse. Ligji për dosjet në Gjermani është dëshmuar si mjaft efikas, sepse përmes tij përkufizohet qartë, kush mund dhe kush duhet të njihet me këtë lëndë dhe kush ka mundësi që të punojë me këto dosje. Ndoshta është edhe kjo është një mundësi që Shqipëria të njihet dhe të informohet mbi ligjin e dosjeve në Gjermani. Mund të krijohen edhe mundësitë për shkëmbim përvoje, sepse ne kemi një ligj që është shumë i mirë, nëse e krahasoj edhe me ligjet e vendeve të tjera në Evropën Lindore dhe Juglindore. Pra e rëndësishme është që ky ligj garanton mbrojtjen e viktimës dhe mundësinë për të punuar me dosjen."

Si duhet vepruar me gjërat private në dosje

Detlef Shtein, drejtor i qendrës për Evropën Lindore në Berlin, thekson edhe një aspet tjetër mjaft të rëndësishëm për mënyrën se si duhet vepruar me dosjet, pasi në to ka shumë gjëra private mbi viktimat:

"Do të ishte fatale nëse shumë njerëz nga provinca do të vinin në Tiranë për të parë dosjen pa pasur një trajtim psikologjik. Do të ishte mjaft e rëndësishme që të gjithë njerëzit që duan të shohin dosjen paraprakisht të informohen përmes broshurave apo formave të tjera të konsulencës, duke pasur një person kontakti në agjencinë përkatëse të dosjeve. Kjo pasi shumë njerëz as që mund ta marrin me mend se ç´ka ndodhur asokohe dhe mund të pësojnë shok. Ne kemi përvojë shumë të mirë edhe sa i përket mbështetjes psikologjike dhe juridike."

Mbrojtja e së drejtës së individit

Një tjetër temë mjaft e rëndësishme kur flitet për një dokumentacion të tillë ka të bëjë me mbrojtjen e së drejtës së individit. Ligji gjerman për dosjet e sigurimit të shtetit e rregullon këtë normë në mënyrë të tillë, që e drejta e individit verifikohet nga një i tretë. Çdo të thotë kjo:

"Çdo faqe nga dosja që i jepet dikujt në dorë si viktimë, paraprakisht është lexuar nga një nëpunës i shtetit, i cili ka parasysh mbrojtjen e së drejtës së të tretit duke i mbuluar me bojë të zezë emrat e personave që përmenden në dosje. Kjo presupozon një punë të madhe, por tani për tani, së paku në Gjermani, mendojmë, se kjo është mundësia më e mirë se si mund të veprohet me detajet private duke ruajtur të drejtën e të tretëve. Ne kemi rregulla shumë strikte për mbrojtjen e të dhënave në Gjermani, edhe në këtë drejtim duhet të respektohet situata ligjore, ndaj kemi vendosur që të mbulohen emrat përara se të dorëzohet dosja. Sa i përket mbrojtjes së viktimës ekziston edhe mundësia e kundërshtimit: në qoftëse se një viktimë ka mendimin, se dosja e tij nuk duhet publikuar është vendosur edhe për këtë një rregull."