Shtajnmajer shpreh keqardhje për përgjimet ndaj ministrit afgan
26 Prill 2008Kabuli nuk i ishte drejtuar zyrtarisht Berlinit për t'u ankuar për përgjimet që kishte bërë BND-ja ndaj ministrit afgan. Ai nuk donte që të provokonte një skandal, kishte thënë ministri i jashëtm, Dadfar Rangin Spanta. Spanta kishte pritur telefonatën e homologut të tij Frank-Walter Steinmeier.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme afgane, Sultan Ahmad Baheen, tha për radiot gjermane se "Afganistani është i tronditur për shkak të përgjimit të emailave të ministrit Amin Farhang. Ne shpresojmë se një incident i tillë nuk do të përsëritet. Për këtë kemi biseduar me qeverinë gjermane."
Baheen tha se në mesditë (26.4.) ministri i jashtëm Shtajnmajer kishte telefonuar me homologun e tij Spantën dhe i kishte shprehur keqardhje. Shtajnmajer i kishte thënë se personat përgjegjës janë larguar nga detyra. Të dy ministrat kanë theksuar se marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve nuk mundën të dëmtoheshin nga një incident i tillë. "Përgjimi i emailave nuk është diçka e mirë, dhe sidomos kur bëhet fjalë për ministrin e një vendi mik. Ne duam të dëgjojmë premtimin që një gjë e tillë nuk do të përsëritet", tha ai.
Zëdhënësi foli edhe për ministrin, ndaj të cilit shërbimi i fshehtë gjerman ka një interes kaq të madh: "Amin Farhang është ministër afgan dhe ndjek ligjet e vendit të tij dhe sigurisht që është besnik ndaj qeverisë së tij. Emailat e përgjuar ishin privatë dhe kjo është e papranueshme. Me kalimin e kohës do të merret vesh se çfarë fshihet mbas këtij aksioni."
Se a kishte telefonuar Shtajnmajer edhe me ministrin për industri dhe tregti Farhang, kjo nuk dihet. Farhang kishte reaguar i indinjuar ndaj lajmit, që BND-ja kishte instaluar një trojan në kompjuterin e tij për të lexuar korrespondencën elektronike. Ndër të tjera ishte edhe korrespondenca e këmbyer me një gazetare gjermane. Amin Farhangu ka kontakte të mira me mediet gjermane. Në vitet 60-të ai ka studiuar në Këln ekonomi, dhe në vitet 80-të ka jetuar në mërgim në Gjermani. Farhang ka shtetësi gjermane.