1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria zhvillon turizmin, megjithë krizën globale

30 Korrik 2009

Shqipëria edhe për vitin 2009 pret të shënojë rekorde të reja turistike, megjithë krizën globale dhe problemet e gripit të virusit A1H1N1.

https://p.dw.com/p/J0Po
Bregdeti i Vlorës është një nga më piktoreskët e Shqipërisë. Ne foto: shezlone ne hije pranë një shkëmbi buzë detit nëVlorë
Bregdeti i Vlorës është një nga më piktoreskët e ShqipërisëFotografi: Mimoza Dhima

Veçanërisht rruga Durrës – Kukës ka rritur jo vetëm fluksin e pushuesve shqiptarë, por dhe atyre të huaj që zbresin në plazhet shqiptare, Vlorë e deri në Sarandë. Ministri shqiptar i turizmit e kulturës, Ardian Turku:

"Dy përqind e turistëve nga jashtë vendit vijnë nga Kosova, shkak për këtë është dhe përfundimi i rrugës Durrës-Kukës”.

Qytetet, agjencitë dhe sektori i turizmit në Vlorë e Sarandë, por edhe qendrat arkeologjike kanë kohë që janë përgatitur për këtë sezon. Pushteti vendor, siç deklarojnë përfaqësuesit e tij, po krijon infrastrukturën e nevojshme me investimet e kryera.

Megjithatë pushuesit, si ata të huaj e vendasit kanë dhe vërejtjet e tyre, kryesisht për infrastrukturën turistike e sidomos për shërbimet energji dhe ujë:

“ ...Infrastruktura nuk është shumë e mirë, për disa njerëz është shtrenjtë. Sapo kemi ardhur e kur të jemi plotësisht në kontakt me gjërat do të themi nëse është mirë ose jo “…

“... me gjeneratorë, çfarë të bëjmë. Uji s'na vjen fare. Fëmija kërkon televizor, ne kemi pa drita që dje në orën 9. Edhe ushqimet na mbaruen fare nëpër frigorifera, t'u marrë nëpër telefona, jo po vijnë tashi, jo po vinë më vonë.”

“...Ka vërejtje në aspektin e energjisë elektrike, mungon energjia elektrike. Mbrëmë ka ikur në ora 8 të mbrëmjes, ndërsa sot nuk ka ardhur.”

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika vë në dukje, se ka pasur investime, që kanë pasur prioritet...:

"...përmirësimin e infrakstrukturës rrugore të qytetit, në përputhje me planin e përgjithshëm rregullues të qytetit, si dhe me studimin e zonës së qendrës. Unë do të përmendja në mënyrë të veçantë unazën e re të qytetit, zgjerimin e unazës ekzistuese të qytetit, rrugën e bregdetit si dhe në mënyrë të veçantë rrugën hyrëse dhe rrugën dalëse të qytetit të Vlorës.”

Kryetari i bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka e vë theksin tek organizimi i aktiviteteve turistike:

“ Ne kemi zyrat e informacionit turistik, tashmë kjo është dhe me vendim qeverie, ku janë gjithë promocionet, jo vetëm ato që nxjerr Bashkia, por dhe gjithë hotelet dhe restorantet dhe le të themi të gjitha pasuritë që ka pjesa administrative e Sarandës. Ne kemi dhe një kalendar të aktiviteteve kulturore, fillojmë që në muajin maj, qershor, korrik, gusht deri në shtator. Kemi disa festivale ndërkombëtare tani. "

Pushues të ndryshëm nga e gjithë Shqipëria, por kryesisht nga Maqedonia e Kosova e preferojnë Sarandën e bregdetin jugor:

“ Kemi zgjedhur Sarandën për të bërë pushimet, unë kam qenë dhe herë të tjera në Sarandë, më pëlqen shumë dhe këtu kalojmë shumë mirë."

“E kishim vizituar dhe më herët, për dy arsye, edhe bregdeti shumë i mirë, po edhe si patriotë deshëm që të jemi në bregdetin shqiptar”


Autor: Odise Kote

Redaktoi: Auron Dodi