1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

‘Shqipëria, shqiptarët dhe holokausti: një çështje e jashtëzakonshme’.

Arben Muka/ Tiranë21 Maj 2008

Historianë e studiues shqiptarë dhe të huaj kanë prezantuar në një konferencë ndërkombëtare në Tiranë tezat e tyre mbi marrëdhëniet mes hebrenjve dhe shqiptarëve.

https://p.dw.com/p/E3n7
Vështrim mbi Sheshin Skënderbej në Tiranë
Vështrim mbi Sheshin Skënderbej në TiranëFotografi: picture-alliance / dpa

Një aktivitet i tillë në Shqipëri mori një nuancë të veçantë për vetë rolin që ka luajtur Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur janë mbrojtur afër 200 hebrenj që ndodheshin në atë periudhë në territorin e saj, por dhe qindra të tjerë të deportuar nga vendet e tjera europiane sipas strategjisë raciste dhe shfarosëse të nazistëve gjernane. Profesore Valentina Duka, zëvëndësdekane e fakulutetit të Histori Filologjisë në Tiranë ishte një nga organizatoret e Konferencës që përfundoi të mëkurën. Ajo thotë për DW-në se për këtë aktivitet të rëndësishëm me karakter intelektual dhe akademik është punuar prej më shumë se një viti nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës , Universiteti Bar-Llan dhe Instituti i Holokaustit Arnold si dhe Leona Finkler Ramat-Gan në Izrael.

Edhe marrëdhëniet shqiptaro-izraelite në fokus

Një veçori e aktivitetit, sipas prof. Duka ishte se ai nuk u përqëndrua vetëm tek Holokausti, por pati këndvështrime gjithëpërfshirëse mbi marrëdhëniet shqiptaro-izraelite nga periudha e antikitetit dhe deri në ditet e sotme.

‘Pati kumtesa interesante mbi vendosjen e komuniteteve të para hebraike në Shqipëri, ku studiuesit me dokumente dhe fakte historike dëshmuan mbi këtë proces në Vlorë dhe në Berat, me marrëdhëniet që ata ndërtuan me perandorinë Osmane dhe me vetë shqiptarët’ß thotë për DË-në Valentina Duka.

Qeveria e Zogut: asnjë vendim antisemit

Por vëmendjes së pjesëmarrësve në konferencë nuk u ka shpëtuar as periudha e mbretërisë së Ahmet Zogut në Shqipëri, në momentin kur shumë hebrenj po deportoheshin me dhunë nga vendet europiane, vecanërisht nga Gjermania. ‘Qeveria e mbretit Zog u tregua pragmatiste në trajtimin e hebrenjve, pavarësisht nga urdhërat që vinin nga Roma, autoritetet shqiptare të kohës nuk ndërmorën asnjë vendim antisemit dhe racist kundër tyre’, thotë prof. Valentina Duka.

Partizanët shqiptarë iu gjendën pranë hebrenjve

Ajo shton se gjatë konferencës pati dhe referime për periudhën e luftës antifashiste, se si partizanët shqiptarë iu gjendën pranë hebrenjve që gjendeshin në territorin e Shqipërisë, si dhe ata që erdhën në ato kohë nga vendet e tjera. Në një seancë të veçantë të ditës së mërkurë u trajtua dhe roli i divizionit SS ‘Skëndërbe’ që operonte në Kosovë, ku u tha se veprimet e tij kishin më shumë një natyrë ideologjike, se sa raciste.

Në vitet e komunizmit- hebrenjtë po aq vuajtës sa dhe shqiptarët

Gjithashtu në fokus të Konferencës ishte dhe trajtimi i hebrenjve gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri, kur ata ndjeheshin po aq vuajtës sa dhe shqiptarët, largimi i pjesës më të madhe të tyre pas vitit 1945 nga territori shqiptar për në vendlindje etj.

‘Të dhënat dhe dokumentet që janë prezantuar në dy ditët e Konferencës, tezat që janë mbrojtur nga studiuesit shqiptare dhe të huaj, përbëjnë një kontribut të madh për historiografinë shqiptare, për një teme jo shumë të trajtuar deri tani’, tha për DW-në profesore Valentina Duka, zëvëndës dekane e fakultutetit të Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës.