1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria kërkon të intensifikojë bashkëpunimin universitar me Bavarinë

10 Nëntor 2010

Në përfundim të një vizite në landin e Bavarisë, ministri shqiptar i arsimit Myqerem Tafaj u takua të martën në mbrëmje me ministrin bavarez të shkencës Wolfgang Heubisch. Në plan është një marrëveshje bilaterale.

https://p.dw.com/p/Q50J
Ministri shqiptar i arsimit Myqerem Tafaj u takua të martën në mbrëmje me ministrin bavarez të shkencës, Wolfgang Heubisch
Ministri shqiptar i arsimit Myqerem Tafaj u takua të martën në mbrëmje me ministrin bavarez të shkencës, Wolfgang HeubischFotografi: Bayer. Staatsministerium f. Wissenschaft, Forschung u. Kunst


Tema e bisedës ndërmjet ministrit shqiptar të arsimit Myqerem Tafaj dhe homologut të tij bavarez, Wolfgang Heubisch, ishte bashkëpunimi në arsimin e lartë dhe shkencë. "Biseduam konkretizimin e marrëveshjes së arsimit të lartë. në mënyrë që të krijohet një bazë për ta intensifikuar bashkëpunimi midis institucioneve shqiptare të arsimit të lartë dhe atyre bavareze", tha Tafaj për Deutsche Wellen.

Marrëveshja do të ishte e para e këtij lloji mes Shqipërisë dhe një landi gjerman dhe synon të rrisë këmbimin e studentëve e shkencëtarëve, si edhe bashkëpunimin për të shfrytëzuar së bashku programet kërkimore të Bashkimit Evropian. Kjo marrëveshje, e cila sipas Tafajt mund të hartohet dhe hyjë në fuqi qysh brenda vitit të ardhshëm, do të institucionalizonte bashkëpunimin universitar mes Shqipërisë dhe Bavarisë, i cili me disa universitete ekziston prej kohësh.

Nga takimi i ministrit shqiptar të arsimit dhe atij bavarez
Nga takimi i ministrit shqiptar të arsimit dhe atij bavarezFotografi: Bayer. Staatsministerium f. Wissenschaft, Forschung u. Kunst



Më shumë bashkëpunim me Albanologjinë dhe Mjekësinë

Shembulli më i mirë është këmbimi intensiv ndërmjet fakulteteve ekonomike të Tiranës dhe atij të Bambergut. Ministri Tafaj, i cili ndër të tjera në Gjermani kishte ardhur edhe me ftesë të rektorit të Universitetit të Bambergut, për të mbajtur fjalën e nderit me rastin e ditës akademike, shpreson që mbas takimeve ta zgjerojë këtë bashkëpunim edhe në degë të tjera, si ato sociale, gjuhë të huaja dhe mësuesi.

Po aq interesante për forcimin e marrëdhënieve Bavari-Shqipëri është bashkëpunimi me Universitetin e Landshutit dhe atij të Durrësit në shkencat e aplikuara, tha Tafaj. Por ai shtoi se ka edhe fusha të tjera me potencial. "Ne duam të bashkëpunojmë me Universitetin Teknik të Mynihut, dhe sidomos degën e Mjekësisë, si edhe Universitetin Ludwig Maximilian, gjithashtu në Mynih, degën e Albanologjisë."

Nga takimi i ministrit shqiptar të arsimit dhe atij bavarez
Nga takimi i ministrit shqiptar të arsimit dhe atij bavarezFotografi: Bayer. Staatsministerium f. Wissenschaft, Forschung u. Kunst


Mbështetje edhe nga pala bavareze

Wolfgang Heubisch, ministri i Bavarisë për Shkencë, Kërkim dhe Art, i mbështet këto synime të homologut të vet shqiptar. "Ne gëzohemi kur dëgjojmë që Shqipëria është e pranishme në Gjermani", i tha Heubisch Deutsche Welles. Ministri e përshëndeti planin për marrëveshjen bilaterale që po bëhet me nismë të Universitetit të Bambergut, dhe i ftoi studentët shqiptarë që të vijnë për të studiuar në Bavari. Sipas Heubisch, numri i tyre aktualisht është mbi 100 dhe mund të ishte edhe më i madh.

Aktualisht në të gjithë Gjermaninë studiojnë pak mbi 400 studentë nga Shqipëria, por Tafaj është i bindur se ky numër do të vijë duke u rritur mbas vitit 2012, kur të kenë dalë studentët e parë të gjimnazit Sami Frashëri në Tiranë, të cilët një pjesë të lëndëve e bëjnë edhe në gjermanisht. Dhe deri atëherë ai shpreson që matura shqiptare të barazohet me atë gjermane, në mënyrë që studentët shqiptarë të vijnë direkt nga bankat e shkollës në auditorët e universitetit, pa qenë nevoja të bëjnë më parë njëjësimin njëvjeçar të maturës, në të ashtuquajturin Studienkolleg.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama