1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria - e sukseshme në çmilitarizimin e vendit

Ani Ruci8 Maj 2006

Çmilitarizimi i vendit ka qenë dhe mbetet një nga elementet kryesore të reformimit të Forcave të Armatosura shqiptare në kuadër të përmbushjes së standarteve të kërkuara nga NATO

https://p.dw.com/p/Arg7
Një helikopter amerikan ulet në Rinas
Një helikopter amerikan ulet në RinasFotografi: AP

Në një listë vendesh të ish-Europës komuniste juglindore, Shqipëria radhitet ndër të parat për kryerjen me sukses të çmilitarizimit të vendit. Në 10 vitet e fundit është kryer, në fakt, një proces i suksesshëm. Me ndihmën finaciare të BE në Shqipëri janë shkatërruar deri tani rreth 141 tonë armë të lehta dhe të vogla dhe jane në proces edhe shkatërrimi i 1300- tonë të tjera. Shifrën e zyrtare e bën të ditur per Dë, kolonel Bardhyl Hoxha, drejtor i logjistikës në Shtabin e Përgjithshem të Ministrisë së Mbrojtjes. Në sajë të agjesive të NATO -s procesi i demilitarizimit të Shqipërisë po shoqërohet me modernizimin e Forcave të Armatosura.

Por shpërthimi para dy ditësh i disa depove të armeve në fshatin Dhemblan, të rrethit jugor te Tepelenes ka nxjerre në rend te ditës një problem serioz: arsenali i municioneve të rënda që Shqipëria trashëgoi nga regjimi i kaluar komunist është po kaq i rrezikshëm sa edhe armët e lehta që deri më tani janë shkatërruar me sukses.

Një oficer i vdekur dhe katër të plagosur rëndë është bilanci i ngjarjes tragjike të shpërthimit të depove ne fundjavën e kaluar. Por mund të ketë edhe të tjere nëse nuk merren masa urgjente. Vetë autoritetet e Tiranës pranojne se rreziku është i pranishëm.

Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu: "Duhet kontrolluar gjithë territori, ku mund të ketë predha të pashpërthyera. Po merren masa për të evituar ndonjë shpërthim tjetër. E rëndësishme është ruajtja e jetës së qytetarëve. Këto zona tani janë të rrezikshme. Rreziku nuk ka kaluar".

Ky rrezik bëhet më i madh për banoret e fshatrave, që jane më pranë depove të armëve. Ata mund të bëhen viktima të shpërthimeve të tjera të mundshme pasi asgjësimi i municioneve të rënda që ndodhen në këto depo nuk mund të bëhen brenda natës: mungesë mjetesh finnaciare dhe infrastrukturë e nevojshme.

Kryeministri i vendit, Sali Beerisha i sapo kthyer nga samiti i Kroacisë, ku Shqiperise iu premtua avancimi në proceset integruese euro- atlantike nga numri 2 i SHBA, zëvendëspresidenti Cheney, u ka premtuar banorëve marrjen e të gjitha "masave për të përjashtuar mundesinë e aksidenteve për shkak të shpërndarjes së predhave". Për momentin ajo që ka rëndësi është përcaktimi i rrezes së shpërndarjes së predhave të pashpërthyera për të krijuar një zonë bllokimi.

Planet e Ministrisë së Mbrojtjes për asgjesimin e të gjitha municioneve flasin për një periudhë të paktën deri në 2010-ën, kur synohet të jetë kryer edhe faza e parë e modernizimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Por çmilitarizimi nuk shihet vetëm si arritje standartesh të kërkuara nga NATO. Ai ka edhe një element jo më pak të rëndësishëm: Shqipëria merr pjesë në një politikë aktuale globale për transformimin e teknologjise ushtarake në teknologji civile, në dobi te qytetarit.