1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria do të tërheqë investimet e emigrantëve në vend

Arben Muka31 Tetor 2005

Qeveria shqiptare do të përjashtojë nga taksat deri në tre vjet të gjithë ata emigrantë, të cilët kthehen në atdhe dhe vendosin të hapin aty një biznes

https://p.dw.com/p/As8i
Dyqan për t'u marrë me qera
Dyqan për t'u marrë me qeraFotografi: Bilderbox

Ekspertët vendas dhe të huaj të ekonomisë gjithmonë e kanë konsideruar faktorin emigracion mjaft të rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Që nga viti 1990 deri më sot përllogariten afër një milionë qytetarë shqiptarë të cilët kanë emigruar jashtë Shqipërisë. Rreth 65% e tyre janë në dy vendet fqinjë, anëtare të Bashkimit Evropian, Greqi dhe Itali. Ndërkohë që një pjesë tjetër jetojnë dhe punojnë në Gjermani, Belgjikë, madje edhe më larg, Amerikë Kanada e Australi.

Kontributi i emigrantëve për të mbajtur ekonomikisht familjet dhe të afërmit e tyre në formën e sjelljes periodike të shumave të parave apo sendeve personale dhe shtëpiake po shoqërohet edhe me një fenomen tjetër, atë të shumë rasteve të themelimit të bizneseve nga ana e emigrantëve në vendet ku ata qëndrojnë.

Këtë element duket se do t'a shfrytëzojë, qeveria e kryeministrit, Sali Berisha duke ofruar formula atratiktive për ta, në mënyrë që emigrantët të nxiten më shumë, për të investuar në Shqipëri, pra të kthehen dhe të investojnë këtu.

Majlinda Hafizi, në Ministrinë e Punës në Tiranë thotë, se hapi i parë për këtë është lehtësimi i barrës fiskale për tre vjet, i atyre emigrantëve që vendosin të kthehen dhe t'i hapin veprimtaritë ekonomike dhe financiare në Shqipëri. Ky hap bëhet për të lehtësuar jo vetëm barrën fiskale, po edhe për të bërë më atraktive ato kapitale, të cilat kanë krijuar në 15 vjetet e fundit emigrantet shqiptarë.

Ndërkohë në bashkëpunim edhe me BE, qeveria shqiptare brenda vitit 2007 do të hartojë edhe regjistrin kombëtar të emigrantit. Ky do të jetë jo vetëm një dokument që do të tregojë dhe ndihmojë në shtrirjen e tyre gjeografike, por edhe në dhënien e ndihmës më të madhe juridike dhe ekonomike nga ana e shtetit shqiptar nëpërmjet përfaqësive diplomatike.