1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria do të jetë e listuar si një vend, që përdor instrumentin e Eurobond-it

3 Mars 2010

Deutsche Bank dhe ajo amerikane JP Morgan marrin përsipër të lobojnë në tregjet ndërkombëtare financiare për t’i siguruar Shqipërisë një kredi tregtare prej 350 milion euro përmes emetimit të Eurobondit të parë shqiptar

https://p.dw.com/p/MIja
Deutsche Bank në FrankfurtFotografi: nc_cc_mattingham

Shqipëria synon të përdorë këtë hua për të siguruar gjithë investimet e këtij viti dhe shlyer borxhin e marrë vitin e kaluar për përfundimin e rrugës Durrës – Kukës.

Zv. Ministri i Financave Nezir Haldeda thotë se ekspozimi për herë të parë i Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, përmes Eurobond-it, është fillimi i pjesëmarrjes së saj në tregjet financiare globale.

Marrëdhënia e Deutsche Bank me Shqipërinë filloi vitin e kaluar, kur ajo së bashku me Bankën greke Alpha Bank i dha Shqipërisë një kredi tregtare prej 250 milion Eurosh. Tani është përsëri Deutsche Bank, që së bashku më atë amerikane JP Morgan fituan tenderin ndërkombëtar për t' i siguruar qeverisëë së Tiranës, përmes emetimit të debut Eurobond-it një hua tregtare prej 350 milion eurosh.

Zv Ministri i Financave, Nezir Haldeda tregon çfarë synon qeveria e Tiranës përmes emetimit të Eurobondit:

“Emetimi i eurobondit është pjesë e emetimit të zakonshëm me një fond prej 350 – 500 milion euro. Synojmë të financojmë të gjitha investimet në infrastrukturë dhe të ristrukturojmë një financim të pjesshëm të vitit të kaluar, në mesin e tij, të një “syndicated loan” dhe me këtë rifinancim sigurojmë që huamarrja e re të zëvendësojë huamarrjen e vitit të kaluar, që ka qenë me kosto më të lartë se kjo, që pretendojmë të marrim ,duke emetuar Eurobondin ketë vit në Frankfurt, Londër dhe Luksemburg, ku tregëtohen titujt shtetërore, ose Eurobondet.”

Nezir Haldeda
Nezir Haldeda, Zv. Ministri i FinancaveFotografi: DW/Ani Ruci

Deri në fund të muajit Prill pritet të merret një përgjigje pozitive nga tregjet financiare ndërkombëtare. Kjo pasi Shqipëria prezantohet në këto tregje nga njëra anë me tregues të stabilitetit makroekonomik dhe nga ana tjetër dy bankat e mandatura DB dhe JP Morgan kanë kredenciale të larta për operacione të tilla. Duke treguar pse ato u përzgjodhën ndër 15 banka të tjera ndërkombëtare Zv Ministri i Financave, Nezir Haldeda thotë:

“Interesimi ka qënë i jashtëzakonshëm nga bankat më prestigjoze në botë. Deutsche Bank dhe JP Morgan janë dy Bankat, që kemi mandatuar për shkak të kredencialeve të tyre në operacione të ngjashme, aftësinë marketuese dhe distributive në treg, aftësinë për ta mbështetur debut Eurobondin e Shqipërisë pas emetimit si edhe reputacioni i lartë, që ato gëzojnë në botën financiare.”

Shqipëria - pjesë e tregut financiar global

Eurobondi i parë, ose ndryshe debut Eurobondi, që ka emetuar Shqipëria do të pasohet nga përdorimi i këtij instrumenti financiar edhe në vitet në vazhdim.

Kjo është hera e parë dhe Shqipëria si gjithë vendet e BE, ku aspiron të integrohet, bëhet tani pjesë e këtij klubi pas emetimit. Shqipëria do të jetë e listuar si një vend, që përdor instrumentin e Eurobond-it. Shqipëria do të vazhdojë ta përdorë atë, pasi një nga synimet e strategjisë së gjithë financave publike dhe ristrukturimit të të borxhit në tërësi është synimi drejt tregjeve financiare ndërkombëtare, ulja e kostos së borxhit, sigurimi i zhvillimit makro ekonomik, duke u bazuar në kriteret e tregut dhe në këto organizma globalë, ndërkombëtare.” thotë Zv Ministri i Financave, Nezir Haldeda.

Emetimi i Eurobond-it e vendos Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të kapitalit dhe e bën pjesë të tregut global financiar.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Angjelina Verbica