1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria dhe Kosova në CEFTA

19 Dhjetor 2006

Nën moton "Afrimi drejt Evropës", në Bukuresht të Rumanisë po zhvillohet takimi i organizatës CEFTA. Anëtarësimin në CEFTA e nënshkruan edhe përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës.

https://p.dw.com/p/AqZQ
Fotografi: AP


Rumania dhe Bullgaria do të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian prej një janarit të vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se këto dy vende më nuk do të jenë anëtare të CEFTA-s për tregti të lirë mes vendeve të Evropës Juglindore dhe Qendrore. Mirëpo duke folur për rëndësinë e kësaj organizate, nikoqiri i takimit në Bukuresht, kryeministri rumun Kalin Popesku Tariceanu, nënvizoi rëndësinë e marrveshjeve për tregti të lirë duke shtuar se këto marrveshje ishin më të rëndësishmet në 14 vjetët e fundit.

"Në Këshillin e Evropës në Bruksel javën që shkoi CEFTA është quajtur si një instrument politik dhe ekonomik me të cilin BE mund të ndihmojë vendet e Ballkanit perëndimor dhe Moldavinë, për hapjen e perspektivës evropiane. Prandaj kemi vendosur që motoja e këtij takimi të jetë "Afrimi drejt Evropës", theksoi kryeministri i Rumanisë.

Marrëveshjen për anëtarësimin në CEFTA-s e nënshkruan edhe kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, shefi i Unmikut Joahim Ryker në emër të Kosovës, kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica, kryeministri malazez Zhelko Shturanoviq, ai i Bosnje - Hercegovinës Adnan Terziq dhe përfaqësuesi i Moldavisë. Në këtë organizëm bëjnë pjesë aktualisht edhe Rumania dhe Bullgaria e cila në fillim të vitit futen në BE, si dhe Maqedonia dhe Kroacia.

Në takimin e Bukureshtit merr pjesë edhe komisioneri për zgjerimin e BE, Oli Ren. Ai theksoi vendimin e para disa ditëve në Bruksel, ku BE vendosi që të mos i mbyllë dyert për Ballkanin perëndimor. Ren tha se Bullgaria dhe Rumania janë dëshmia më e mirë se rruga përmes CEFTA-s është më e shkurtëra për anëtarësim në BE.

"Marrëveshja e re e CEFTA-s është e rëndësishme për shkak të lehtësimeve që ofron për vendet dhe qytetarët e rajonit. Marrveshja tregon se vendet e rajonit janë të gatshme për thellimin dhe përparimin e bashkëpunimit rajonal. Marrëveshja për tregti të lirë mes vendeve të rajonit është një dhuratë shumë e mirë e krishtëlindjeve për të gjitha vendet e rajonit dhe për BE", theksoi Oli Ren.


Ndërsa koordinatori i Paktit të Stabialitetit, i cili në disa vitet e kaluara ka dhënë një kontribut të vecantë në rimëkëmbjen dhe stabilizimin e ekonomisë së këtyre vendeve, Erhart Buzek u shpreh: "Kjo marrëveshjë ka bërë të mundëshme dyfishimin e tregtisë në rajon. Disa prej vendeve madje e kanë trefishuar nivelin e tregtisë. Pres që marrveshja e CEFTA-s, e cila tani vlenë për të gjithë rajonin, të nxisë edhe më shumë këtë bashkëpunim. Kjo është pjesë e një strategjie për përparimin hap pas hapi të bashkëpunimit dhe përmirësimin e gjendjes", theksoi Erhard Buzek.

Përfaqësuesit e vendeve të Balkanit perëndimor janë të mendimit se marrëveshja e nënshkruar sot në Bukuresht, paraqet një sinjal shumë të qartë edhe për investitorët e mëdhenjë të cilët duan të investojnë paratë e tyre në këtë rajon. Ata shpresojnë se kjo marrëveshje do të jetë një sinjal shumë i qartë edhe për BE, se këto vende vazhdojnë përpjekjet e tyre për anëtarësim në këtë organizëm.