1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria dhe Kosova kundër pastrimit të parave

Arben Muka22 Shkurt 2006

Përfaqësues të Njësisë së Inteligjencës Financiare të Shqipërisë dhe homologët e tyre të UNMIK-ut në Kosovë kanë nënshkruar dje (21 shkurt) një memorandum bashkëpunimi në luftën kundër fenomenit të pastrimit të parave.

https://p.dw.com/p/As7o
Fotografi: AP

Ky aspekt i krimit ekonomik e financiar, i konsideruar si i lidhur ngushtë me sponsorizimin e drejtpërdrejtë a të tërthortë të aktivitetit t grupeve të krimit të organizuar dhe ato terroriste është parë nga autoritetet e të dy vendeve si „një fenomen që duhet parandaluar e goditur për të mos u shoqëruar më pas me efekte negative në stabilitetin financiar e cënimin e sigurisë jo vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës, por dhe rajonit në tërësi“.

Adriatik Aliaj, drejtor i Njesise së Inteligjencës Financiare në Tiranë jep arësyet se pse kanë arritur tek nevoja e nënshkrimit të një memoramundimi të tillë. „Janë dy fenomene që shkojnë paralelisht me njeri-tjetrin. Pastrimi i parave është vatra fokale që çon në sponsorizimin e terrorizmit në botë. Ndaj dhe ne jemi të përqëndruar në parandalimin e këtyre dy fenomeneve si dhe aspkeve të tjera të lidhura me to. Në rast se çdo shtet do të veprojë dhe do të marrë masa vetëm brenda territorit të tij, nuk do t‘ja arrinte të ishte efiçent në këtë luftë të përbotshme“,- thote Aliaj.

Duke iu referuar Memorandumit të sapo nënshkruar Aliaj sqaron se ai parashikon mes të tjerave dhe shkëmbimin e informacionit financiar për çdo person apo grupim të dyshuar në territorin e të dy vendeve“.

Shqipëria dhe Kosova gjatë kohëve të fundit kanë nënshkruar disa marrëveshje të bashkëpunimit në fushën e rendit dhe të sigurisë, për luftën kundër krimit të organizuar dhe atij ordiner, për sigurinë e kufirit qe ndan dy vendet, ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia, frenimin e kontrabandës në dogana etj.

Memoramundimi i Bashkëpunimit me Kosovën në luftën kundër pastrimit të parave është i 25-i për Shqiperine në plotësimin që ajo i bën angazhimit të saj në luftën kundër terrorizmit dhe financimeve të dyshimta që e ushqejnë atë.

Shumë shpejt sipas Adriatik Aliajt „Shqipëria do të nënshkruajë akorde të tilla dhe me njësitë analoge të SHBA-ve e Australisë.