1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: ZMQ kundër shtyrjes së afatit të zgjedhjeve

Arben Muka24 Gusht 2006

“Shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale, qoftë kjo një javë apo 6 muaj nga fati kushtetues, në përpjekje për të ndryshuar përmbajtjen e tyre, paralajmëron një rritje të tensionit politik, si dhe përbën një precedent tjetër të rrezikshëm të shkeljes së Kushtetutës”, thotë Av Kreshnik Spahiu

https://p.dw.com/p/ArdL
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, 3 korrik 2005
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri, 3 korrik 2005Fotografi: OSZE

Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, ZMQ, ka nisur këto ditë një fushatë sensibilizimi të opinionit kundër përpjekjeve të politikës shqiptare për shtryrjen e zgjedhjeve për pushtetin lokal, të parashikuara sipas ligjit, të mbahen brenda vitit 2006.

Acarimi i klimës politike mes mazhorances dhe opozitës prej disa javësh, mosfunskionimi i komisionit parlamentar për reformën zgjedhore, ngrirja e komunikimit mes ministrisë së Brendshme dhe të zgjedhurve të pushtetit lokalë, që përfaqësohen nga opozita e majtë, si dhe mjaft vonesa që karakterizuan plotësimin e vendeve në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, janë disa nga fakorët që kanë nxitur politikanë, si nga mazhoranca e opozita që të propozojnë shtyrjen e procesit zgjedhor dhe zgjatjen e mandatit të të zgjedhurve aktuale në pushtetin lokal.

Për aktivistët e ZMQ-së, një nga shoqatat joqeveritare më të njohura në Shqipëri, shtyrja e datës së zgjedhjeve dhe zgjatja e mandatit të të zgjedhurve është në kundërshtim të hapur me ligjin. Avokat, Kreshnik Spahiu, drejtues i Zyrës thotë për DW-në se: “Shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale, qoftë kjo një javë apo 6 muaj nga fati kushtetues, në përpjekje për të ndryshuar përmbajtjen e tyre, paralajmëron një rritje të tensionit politik, si dhe përbën një precedent tjetër të rrezikshëm të shkeljes së Kushtetutës” .

Sipas aktivistëve të ZMQ-së tendenca e partive kryesore për të ndryshuar kronometrin zgjedhor “në rastin më të mirë tregon për paaftësi të klasës politike shqiptare dhe në rastin më të keq është shprehje e mungesës së vullnetit politik për të realizuar zgjedhje të lira e të drejta”.

Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve po i tërheq vëmendjen partive kryesore parlamentare, veçanërisht PD dhe PS që të ndalojnë pazaret në kurriz të Kushtetuës, pasi “nuk ka asnjë justifikim, si ndaj qytetarëve shqiptarë ashtu dhe ndaj komunitetit ndërkombëtar, per dështimin e reformës elektorale, pasi janë vetë partitë që qëllimisht kanë shtrembëruar nevojën për një reformë të tillë”.