1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Qeveria ndihmon fëmijët të blejnë librat

8 Shtator 2010

Me një fond prej 2 milion eurosh qeveria e Tiranës financon tekstet shkollore për nxënësit e arsimit parauniversitar, që vijnë nga familje të varfëra dhe me probleme sociale. Kjo është pjesë e politikave sociale.

https://p.dw.com/p/P6y6
Shkolla Mihal Grameno, Tiranë
Shkolla Mihal Grameno, TiranëFotografi: DW

Brikena është nxënëse në klasën e gjashtë të shkollës 9 vjeçare “Mihal Grameno“ në Tiranë. Prej dy ditësh, që kur ka filluar viti i ri shkollor, ajo merr në çantën e saj libra të përdorur dhe mezi pret që mami të mbajë premtimin që i ka dhënë. “Sivjet unë i mora librat e klasë së katërt nga një kushërira ime. Por mami më ka premtuar se do të m'i blejë të reja të gjitha librat. Edhe vëllait tim që është në klasë të gjashtë, edhe atij do t`ia blejë.”

Si Brikena, që pret ditën kur të zëvendësojë librat e përdorur me libra të rinj janë shumë nxënës në arsimin parauniversitar të Shqipërisë. Ata u takojnë familjeve të varfëra apo me probleme sociale. Burime zyrtare nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta pohojnë se në Shqipëri ka 98 mijë familje të varfëra, të ardhurat e të cilave arrijnë në rreth 220 euro në muaj. Kjo për shkak se njëri nga prindërit është i papunë, invalid ose pensionist.

Premtimi që pret Brikena, është çështje ditësh për tu realizuar. Kjo pasi sivjet tekstet shkollore të fëmijëve nga familje të varfëra do të financohen nga buxheti i shtetit me një shumë prej 2 milion eurosh, mjaft më e madhe se vitet e kaluara.

Jovan Kristiqi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës
Jovan Kristiqi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit dhe të ShkencësFotografi: DW

Jovan Kristiqi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës për tekstet shkollore tregon për DW kategoritë e nxënësve që përfitojnë financimin 100 përqind të teksteve shkolllore. “Nxënësit që vijnë nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie; janë edhe nxënës që vijnë nga familje ku kryefamiliari përfiton pension pleqërie dhe ka në ngarkim fëmijë që nuk kanë të ardhura të tjera. Këto kategori përfitojnë financimin 100 përqind të teksteve shkollore”

Ka edhe një kategori tjetër ku bëjnë pjesë familjet që kanë të ardhura të ulta dhe të cilat përfitojnë vetëm 50 përqind të çmimit të paketës së teksteve shkollore. “Kjo është kategoria e familjeve që kanë të ardhura nën 30 mijë lek të reja” thotë Z. Kristiqi.

Çmimet e kësaj pakete arrijnë nga 10 euro për filloren deri në 40 euro për ato të shkollës së mesme. “Deri tani ia kemi dalë mbanë t'i mbajmë shumë të ulta tekstet shkollore, me çmime të ulta, që janë ,më të ultat në Europë, pa prishur cilësinë e tyre”, vë në dukje Z. Kristiqi.

Treg i liberalizuar por i kontrolluar nga shteti

Ekonomia e tregut të lirë e ka sjellë edhe liberalizimin e tregut të librave. Botohen dhjetra tekste letërsie, gjuhe, matematike, fizike nga autorë të ndryshëm, një pjesë profesionistë, të tjerë amatorë. Ministria e Arsimit dhe Shkencës përpiqet ta kontrollojë këtë treg, të mbajë nën kontroll çmimet dhe njëherazi të licensojë për nxënësit produktet më të mira. Kjo realizohet përmes ngritjes së një komisioni vlerësimi të teksteve shkollore. Vetëm pas kualifikimit që ky komision u bën teksteve shkollore, ato mund të hyjnë në programet mësimore.

Kriteret kryesore për kualifikim janë cilësi+çmim. Por ka edhe një faktor tjetër që përcakton se cili tekst dpo të pranohet dhecili jo. Mësuesit e lëndës.“Këtë vit Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për tekstin e matematikës, bashkoi disa shkolla. Vetë mësuesit e matematikës votuan dhe zgjodhën tekstin më të mirë,“ thotë Jovan Kristiqi.

Shkolla Mihal Grameno, Tiranë
Shkolla Mihal Grameno, TiranëFotografi: DW

Reforma e Altertekstit- metoda origjinale të mësimit të gjermanishtes

Por nxënësit kanë altertnativa tekstesh krahas atyre që kualifikohen nga komisionet vlerësuese të Ministrisë së Arsimit apo zgjidhen nga mësuesit e lëndës. Kjo në sajë të një reforme që njihet si “Reforma e altertekstit” dhe që aplikohet edhe në Europë. “Reforma e Altertekstit përfshin shumë alternativa për një tekst shkollor, jo të veçanta por të bazuara në një program unikal të miratuar nga Ministria,” thotë Jovan Kristiqi.

Kjo do të thotë që nxënësit mund të kenë në duart e tyre jo vetëm tekste të një autori ose grup autorësh shqiptarë. “Sot ne kemi tekste shkollore të përkthyera nga shtëpi botuese prestigjioze për lëndët shkencore në shkollën e mesme. Kemi tekste të gjuhëve të huaja që janë metoda origjinale për të mësuar gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht apo spanjisht.” tregon Z. Kristiqi.

Këtë vit në shkollat e mesme prite të futet mësimi online i gjuhës angleze që është një nga mënyrat më të përparuara edhe në vendet e BE. Për t`iu afruar standarteve cilësore të teksteve shkollore që përdoren në arsimin parauniversitar me ato të BE, Ministria e Arsimit ka zgjatur kohën e hartimit të një teksti nga 3 muaj në 12 muaj, duke iu afruar kohës prej 16 muajsh që është në BE.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Aida Cama