1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Internet të sigurtë për fëmijët

13 Shkurt 2013

Situatë shqetesuese - World Vision dhe aktorë vendas bashkë për e - safety. Synohet që nxënësi të përgatitet me njohuri dhe aftësi digjitale të domosdoshme për shekullin e 21-të.

https://p.dw.com/p/17dT1
Rreziqe në internet
Rreziqe në internetFotografi: picture-alliance/ dpa

Në Shqipëri ka 1,3 milionë përdorues të rrjeteve sociale, nga të cilët 6 % janë fëmijë  dhe të rinj të moshës nga 13- 17 vjeç. Këto janë shifra zyrtare nga Ministria e Inovacionit dhe Teknologjisë. Por të dhëna nga World Vision- Albanian, organizata e mirënjohur ndërkombëtare, që ka si motto  “ Një botë më të mirë për fëmijët” tregojnë se ka qindra mijra fëmijë nga 8- 12 vjeç që përdorin internetin për lojra kompjuterike dhe komunikim në rrjete sociale nga gjysëm deri në 2 orë në ditë.  Pjesa më e madhe e prindërve, sidomos ata në zonat rurale, nuk janë  të ndërgjegjshëm për rreziqet që mund t’u sjellë fëmijëve të tyre përdorimi i internetit.

Sa  i sigurtë është interneti ne Shqiperi për përdoruesit e vegjël dhe të rinjtë? Kjo nuk dihet pasi mungon një studim analitik kombëtar për këtë problem. Sipas një studimi të kryer kohët e fundit nga Instituti  Shqiptar për Edukimin lidhur me Teknologjinë e Informacionit, 50% e fëmijëve të intervistuar, përdorues të përditshëm të internetit, në 33 qytete të Shqipërisë, pohojnë se kanë marrë mesazhe ngacmuese të paktën dy here në javë kur kanë qenë on- line. Alarmi për këtë situatë vjen nga vetë fëmijët, prindërit dhe mësuesit e  tyre. Në bazë të një studimi të kryer vitin e kaluar nga World Vision - Albania në 11 rajone të Shqipërisë , ku kjo organizatë është e pranishme, vetë komuniteti kërkoi aktivitete ndërgjegjësuese dhe njohuri praktike për këtë problem.

Adriana Sula, Drejtore e ITK në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës
Adriana Sula, Drejtore e ITK në Ministrinë e Arsimit dhe ShkencësFotografi: DW / Ani Ruci

Hendek i thellë i njohurive për internetin mes fëmijëve dhe prindërve

Të dhënat e këtij studimi nxorën në dritë natyrën delikate  të abuzimeve on- line me fëmijët që përdorin internetin. Rein Dekker, drejtor kombëtar i World Vision -- Albania thotë për DW: ”Linja Kombëtare e Telefonit të ndihmës për fëmijët” Alo 116” tregon se ka patur 22 raste abuzimi on line gjatë vitit 2012, por kjo shifër njëherazi flet edhe për  mungesën e raportimeve zyrtare lidhur me këtë problem. Si për të gjitha llojet e abuzimeve edhe për abuzimet online fëmijët nuk u tregojnë menjëhere prindërve apo mësuesve kur me ta abuzohet on line, pasi kanë frikë që prindërit nuk do t’ i lejojnë më të përdorin internetin. Ndërkohë që ka një hendek të thellë mes njohurive për internetin mes dy brezave fëmijë - prindër. Aktivitetet trainuese që World Vision, zhvilloi vitin e kaluar, në 11 rajone të Shqipërisë, nxorën në dritë të dhëna të tilla që fëmijët mbajnë fshehur rastet e abuzimit on- line. Kjo në një kohë  kur Interneti ka hyrë me një ritëm shumë të shpejtë në Shqipëri, duke përfshirë këtu edhe fshatrat, kur ende nuk është ngritur plotësisht infrastruktura për të adresuar rreziqet që sjell përdorim i internetit së bashkë me të përfitimet dhe të mirat prej tij.”

Situatë shqetësuese – nisma për një internet të sigurtë për fëmijët

Situata konsiderohet shqetësuese. Të dhënat, edhe pse të pakta, tregojnë se fëmijët rrezikohen nga pornografia, nga e-maile ofenduese dhe nga varësia prej rrjeteve sociale. Për të parandaluar rëndimin e situatës dhe për t'iu garantuar fëmijëve një internet të sigurtë, aktorë ndërkombëtarë dhe lokalë në Shqipëri po ndërrmarin nisma dhe aktivitete ndërgjegjësuese.  

“Kemi përgatitur një paketë  me CD interaktive, broshura dhe postera që ua kemi dhënë fëmijëve , prindërve dhe mësuesve, për 11 rajonet e Shqipërisë ku World Vision, zhvillon aktivitetin e saj. Po punojmë për dizenjimin e një Mekanizmi raportues/referues miqësor, që ta përdorin direkt vetë gjithë fëmijët, madje edhe pjesa e tyre më vulnerabël. Kemi vëne në funksionim një adresë e- maili që mund ta përdorin vetë fëmijët për të raportuar rastet e abuzimit on- line. Këtë vit do të fillojmë edhe trainimin e mësuesve në të 11 rajonet e Shqipërisë,”  thotë Rein Dekker. 

Rein Dekker, drejtor kombëtar i World Vision - Albania
Rein Dekker, drejtor kombëtar i World Vision - AlbaniaFotografi: DW / Ani Ruci

World Vision bashkëpunon me Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, e cila nga ana e saj ka partnere kompaninë MicroSoft . Adriana Sula , Drejtore e ITK në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës tregon  përqasjen ndaj këtij problemi.

“Synimi është të arrijmë një ekuilibër mes përdorimit të internetit dhe një internet të sigurtë për  fëmijët. Shërbimi i internetit, që ofrohet në shkolla ka filtrim  dhe menaxhim të përmbajtjes nëpërmjet një paneli qëndror, në bazë të kërkesave të shkollës dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.  Integrim i ITK në mësimdhënie tani fillon që në klasën e parë. Në klasat e fillores mësuesit përdorin  module, mes të cilëve edhe e- safety. Synohet që nxënësi të përgatitet me njohuri dhe aftësi digjitale të domosdoshme për shekullin e 21-të, të standardeve evropiane dhe ndërkombëtare,  ku një nga standardet është edhe “digital citizenship”. Me modulin e- safety do te bëhet trajnimi i të  gjithë mësuesve të klasave fillore” thotë Adriana Sula.

Në përpjekjen për te ndryshuar situatën është angazhuar edhe Microsoft, që po promovon në nivel kombëtar internetin e sigurtë per fëmijët dhe ofron njohuri, trainime dhe ndërgjegjësim për prindërit dhe mësuesit.

Autor: Ani Ruci/ Tiranë
Redaktoi: Auron Dodi