1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: ndërgjegjësimi mbi diskriminimin mbetet në nivel të ulët

13 Mars 2010

Ky është një ndër përfundimet e komisionit kundër racizmit dhe intoleracës pranë Këshillit të Evropës në raportin për Shqipërinë. Në mënyrë të veçantë raporti evidenton gjendjen e romëve dhe egjiptianëve.

https://p.dw.com/p/MSFo
Fëmijë romë në kopshtin e shoqatës Romani Baxt, Tiranë.
Nga shkollimi i të rinjve varet shumë e ardhmja e komuniteteve rome e egjiptiane.Fotografi: DW

Raporti i fundit për Shqipërinë i komisionit kundër racizmit dhe intoleracës në Këshillin e Evropës kishte mjaft kritika për situatën e komuniteteve rome e egjiptiane. Pasi evidentonte një sërë përmirësimesh në legjislacion, si dhe marrjen e disa masave në trajtimin e tyre, raporti thotë se në vend “ndërgjegjësimi mbi diskriminimin mbetet në tërësi në nivel të ulët”. Gjithashtu vihet në dukje se “nuk ka një strukturë në Shqipëri që ka shprehur përgjegjësinë për të luftuar diskriminimin racial”.

Duke ju referuar gjendjes së romëve dhe egjiptianëve komisioni kundër racizmit dhe intolerancës pranë Këshillit të Europës arrin në konkluzionin se ata “vazhdojnë të përballen me vështirësi serioze sociale dhe ekonomike, me nivele më të larta papunësie në krahasim me pjesën tjetër të popullatës dhe kushte jetese jashtëzakonisht të pasigurta. Ka një raport të lartë të zhdrejtë në lidhje me braktisjen e shkollës në këto komunitete, i cili e rrit cënueshmërinë e tyre nga trafikimi”.

Z. Pellumb Fortuna, kryetar i shoqatës "Romani Baxt Albania".
Z. Pellumb Fortuna, kryetar i shoqatës "Romani Baxt Albania".Fotografi: DW

Pëllumb Fortuna është kryetar i shoqatës Romani Baxt Albania. Në shqip “romani baxt” do të thotë “fati i romëve”. Ai tregon për Deutsche Welle-n se komuniteti rom me rreth 120 mijë vetë vuan shumë në tre aspekte kryesore, arsimim, punësim dhe strehim. Sipas Fortunës gjithshka nis nga arsimimi jo i mirë i fëmijëve dhe të rinjve të komunitetit.

“Niveli arsimor i romëve është 84 përqind analfabetë dhe 16 përqind të arsimuar. Nëse do ti referohemi sërish shifrave, në të gjithë vendin janë gjithësejt 22 maturantë dhe nuk janë më shumë se 9 vetë që ndjekin universitetin shtetëror dhe ato private. Ky është niveli arsimor i romëve në Shqipëri”, - vë në dukje Fortuna.

Më tej ai thotë për Deutsche Welle-n se nga vetë komuniteti ka përpjekje për të bërë diçka që të ndryshojë gjendjen: “Që ta nisim nga sistemi parashkollor e në vazhdim në mënyrë që të forcojmë çdo hallkë. Për të mos i djegur kot bursat që ofrohen falas për fëmijët dhe të rinjtë tanë.”

Përveç mbështetjes që iu ka dhënë ministria e Arsimit dhe ajo e Punës e Çështjeve Sociale, po shfrytëzohet dhe programi mbështetës “Roma Education Fund”, nën kujdesin e Fondacionit “SOROS”, qeverisë zviceriane e donatorëve të tjerë.

Sipas raportit të komisionit kundër racizmit dhe intolerancës pranë KE, megjithëse Komiteti Shtetëror për Minoritetet në Shqipëri ka përfituar eksperiencë, ai prapë kritikohet “për mungesën e efektivitetit dhe për faktin që në të nuk përfaqësohen të gjitha grupet minoritare”. Një prej këtyre grupimeve të papërfaqësuara është dhe komuniteti ballkano egjiptian.

Z. Behar Sadiku, kryetar i shoqatës "Nefreta", i ballkano-egjiptianëve.
Z. Behar Sadiku, kryetar i shoqatës "Nefreta", i ballkano-egjiptianëve.Fotografi: DW

Behar Sadiku prej më shumë se një dekade është aktivist për të drejtat e tyre në Shqipëri. Ai drejton shoqatën “Nefreta” (sipas emrit të një mbretëreshe të Egjiptit). Sadiku thotë se gjithshka fillon nga mungesa e të dhënave statistikore zyrtare për numrin e ballkano egjiptianëve. Por ai thotë për Deutsche Welle-n se mungon dhe një strategji nga ana e autoriteteve për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe integrimit social ekonomik të tyre.

“Vazhdojmë të jemi një komunitet shumë i diskriminuar, shumë i përjashtuar nga problemet sociale dhe vuajmë me dhimbje jetën e përditshme. Ka një papunësi të jashtëzakonshme. Jemi njëqind për qind të varfër. S'ka përfaqësues të këtij komuniteti në administratë, nuk ka një status të veçantë për këtë komunitet. Nuk ka një strategji për zbutjen e varfërisë. Pra nuk jemi të pozicionuar në shoqëri në raport të drejtë. Edhe ky komunitet duhet të jetë i përfaqësuar, i integruar në bazë të parimit të gjithëpërfshirjes, nuk trajtohemi si gjithë qytetarët, por si qytetarë të dorës së dytë."

Behar Sadiku nga komuniteti ballkano egjiptian thotë, se qeveria qendrore dhe lokale duhet t'i marrë në konsideratë kritikat që ka raporti i fundit i komisionit kundër racizmit dhe intolerancës së Këshillit të Europës. Sipas tij autoritetet janë ndërgjegjësuar se trajtimi për pakicat e minoritetet është një matës për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. “Për ligjin e fundit që u miratua kundër diskriminimit ne nuk u morëm farë në pyetje si komunitet për të dhënë specifikat tona. Detyrimisht ai është një ligj që ka probleme dhe është një pengesë shumë e madhe në këtë drejtim.”

Komisioni kundër racizmit dhe intolerancës në rastin e Shqipërisë ka rekomanduar që brenda dy viteve të ardhshme të prezantohet nga autoritetet legjislacioni i plotë civil e administrativ antidiskriminim i drejtëpërdrejtë e indirekt. Gjithashtu të vendosen objektiva të qartë në sigurimin e aksesit të përshtatshëm në strehim. Të sigurohet mbeshtetje me gjuhën shqipe të fëmijëve romë përpara hyrjes së tyre në shkollën fillore etj.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Eliana Xhani