1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Mbyllet votimi, fillon numërimi i votave

25 Prill 2021

Me pjesëmarrjen më të lartë pej 51,69 përqind në qarkun e Dibrës dhe 51,42 në atë të Tiranës përfundoi votimi për Parlamentin e ri të Shqipërisë.

https://p.dw.com/p/3sYU8
Albanien Tirana | Wahl 2021 | Wahllokal
Fotografi: Florion Goga/REUTERS

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve pjesëmarrja në votime në nivel kombëtar ka qënë 45.41 përqind nga 3,6 milion zgjedhës në lista, ku Dibra dhe Tirana kanë shënuar pjesëmarrjen më të lartë, Pjesëmarrja më e ulët, prej 33,05 përqind është  shënuar në qarkun e Vlorës.

Komisioneri Shtetëror në KQZ, Ilirian Celibashi, deklaroi pas përfundimit të votimit se "ky proces u karakterizua nga qetësia dhe siguria dhe u krye në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor”.

Albanien Tirana | Wahl 2021 | Wahllokal
Fotografi: Gent Shkullaku/AFP/Getty Images

Ai përmendi si incidentenë procesin e votimit mosfunksionimin në  një numër të konsiderueshëm qendrash votimi të pajisjes për identifikimin biometrik të zgjedhësve, që u aplikua për herë të parë në Shqipëri në votimin e të dielës (25.04).

"Në 167 qendra votimi nuk u përdor pajisja e identifikimit elektronik. Në 86 prej tyre nuk u përdor për faktin se nuk u paraqitën operatorët dhe në pjesën tjetër për shkak të pamundësisë së operatorëve për të përdorur pajisjen,” - tha Komisioneri Shtetëror në KQZ, Ilirian Celibashi.

Po ashtu një qytetar u arrestua, sepse fotografoi votën e tij, gjë që është e ndaluar me ligj.  

Rezultati brenda dy ditësh

Celibashi deklaroi se procesi i numërimit do të përfundojë brenda 48 orësh për partitë politike dhe koalicionet dhe më pas do të vijojë numërimi  për kandidatët për deputetët që garuan.

Procesi zgjedhor për Parlamentin 2021 u zhvillua pas reformës zgjedhore, gjë që solli votimin me një sistem proporcional me lista pjesërisht të hapura. Nga 1.841 kandidatët për deputetë që morën pjesë në këto zgjedhje dhe përfaqësojnë parti, koalicione politike dhe kandidatë të pavarur, do të dalin vetëm 140 vetë sa është numri i deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë.

Albanien Tirana | Wahl 2021 | Wahllokal
Fotografi: Elona Elezi/DW

“Gjithë procesi i numërimit të fletëve të votimit do të jetë i vëzhguar nga vëzhgues vendas e ndërkombëtarë.”theksoi Komisioneri Shtetëror, Ilirian Celibashi.

Janë 42 vëzhgues afatgjatë të ODIHR-it dhe 215 të tjerë nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së dhe e Këshillit të Evropës si dhe ekipe të ambasadave të BE dhe Mbretërisë së Bashkuar që kanë marrë pjesë në vëzhgimin e votimit dhe pas mbylljes së tij në numërimin e fletëve të votimit.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana