1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri – lufta kundër piraterisë kërkon ligj të standardeve europiane

Ani Ruci26 Nëntor 2013

Në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE ka një nen të posaçëm për mbrojtjen e së drejtës së autorit dhe të pronësisë intelektuale, por ai nuk respektohet.

https://p.dw.com/p/1AOh9
Fotografi: Aida Cama

Në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit mes Shqipërisë dhe BE ka një nen të posaçëm për mbrojtjen e së drejtës së autorit dhe të pronësisë intelektuale. Kanë kaluar më shumë 4 vjet nga 1 Prilli i vitit 2009, kur kjo marrëveshje hyri në fuqi. Por realiteti i përditshem lidhur me të drejtën e autorit dhe të pronësisë intelektuale tregon se ky nen nuk ka gjetur zbatim. Pirateria është rritur në mënyrë galopante, kur Shqipëria shpreson të marrë në dhjetor statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Në tregjet vendase lulëzojnë botime pirate, disqe muzikore, filma, apo vepra në gjini të tjera të artit pa lejen e autorëve të tyre. Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, thotë për DW, se sektori i botimeve vuan nga dy dobësi: “Nga pirateria dhe informaliteti, që janë të lidhura ngushtë mes tyre. Për fat të keq ato janë shtuar nga viti në vit. Mendoj se situata është më e keqe se 4 vjet më parë, madje edhe se 10 vjet më parë. Në fushën e botimeve janë futur shumë persona jo profesionistë, pasi mendojnë se botimet janë një sector, ku mund të fitohet lehtë. Në treg nuk ka vetëm shtëpi botuese, por si botuese paraqiten me dhjetra shtypshkronja, librashitës, distributorë librash, që bëjnë tirazhe tepër, kopjojnë duke ulur standartin e botimeve. Lexuesi humbet besimim ndaj librit për shkak të uljes së cilësisë, që sjellin botimet pirate”, thotë Petrit Ymeri.

Botimet pirate prishin tregun, prishin konkurrencën e ndershme dhe ulin botimet. Në Shqipëri nuk ka të dhëna për titujt e rinj të librave, që botohen çdo vit. Burimi i vetëm i të dhënave është Biblioteka Kombëtare. Sipas të dhënave të saj vitin e kaluar u regjistruan 2866 tituj të rinj, sivjet vetëm 1086, shifër, që deri në fund të këtij viti mund të shkojë deri 1500. “Ka rënie të madhe të botimeve, kjo ka të bëjë me krizën ekonomike, por edhe me prishjen e tregut nga botimet pirate. Në Shqipëri kjo është periudha më e vështirë, pasi janë ulur shitjet e librit. Blejnë vetëm lexuesit më besnikë. Ka librarë, që nuk shesin as edhe një libër në ditë. Që situata të ndryshojë duhet luftuar pirateria dhe rritur cilësia e botimeve, pa lënë mënjanë barazinë fiskale. Sot per sot nuk ka barazi fiskale, ka organizata jo fitimprurëse që botojnë libra, shtëpitë botuese paguajnë 20%, kurse organizatat jofitimprurese bëjnë biznes me librin, por nuk paguajnë tatime”, thotë Petrit Ymeri.

Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë DW/ Ani Ruci, November 22, 2013, Tirana
Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve të ShqipërisëFotografi: DW/A. Ruci

Pirateria lulëzon në mungesë të zbatimit të ligjit

Pirateria në Shqipëri u shfaq pas viteve 90-të. Mirlinda Çollaku, specialiste e të drejtës së autorit, thotë se ajo erdhi pas një izolimi të jashtëzakonshëm dhe etjeje të pashuar për të njohur dhe shijuar letërsinë botërore, muzikën, pikturën e huaj, deri atëhere të ndaluar. “Lindi një mentalitet i gabuar shoqëror për të patur vepra origjinale autorësh, pa të drejtën e autorit. Nuk u ndalua dhe sot, pas 20 vitesh, është kthyer në një fenomen masiv. Ka pirateri ekstreme. Në 100% produkte pa frikë vetëm 10-15 % është me të drejtën e autorit. Në programet komjuterike shifrat e piraterisë shkojnë në 80% , tek filmat e huaj pa frikë e kalon 90 %, etj. Në fakt tregu i librit është më pak i dëmtuari në raport me artet. Në tregun e librit ka abuzime shumë të mëdha, sidomos me autorët e huaj. Shteti ka rolin kryesor, pasi duhet të garantojë të njëjtat të drejta, si për autorin shqiptar, ashtu edhe për atë të huaj”, thotë specialistja e së drejtës së autorit, Mirlinda Çollaku".

Shqipëria ka një ligj për mbrojtjen e të drejtave të autorit, të miratuar në vitin 2005. Masat shtrenguese, apo ndëshkimet, që ai parashikon për këdo, që nuk respekton të drejtën e autorit, janë të papërfillshme dhe nuk zbatohen fare. Por këtij ligji i mungon direktiva e zbatimit, që garanton procedura civile dhe penale, kur shkelet e drejta e autorit. Në bashkëpunim me eksperte të BE u hartua një ligj i ri, qëllim i të cilit është të sigurojë nje harmonizim të plotë të direktivave te BE dhe të sigurojë një nivel i të lartë të mbrojtjes së të drejtave të autorit sipas standarteve te BE-se, por që është ende i pamiratuar.

Mirlinda Çollaku, specialiste e të drejtës së autorit DW/ Ani Ruci, November 22, 2013, Tirana
Mirlinda Çollaku, specialiste e të drejtës së autoritFotografi: DW/A. Ruci

“Ligjvënësit europianë kanë perceptuar nga përvoja e tyre shumë e gjatë, që shkelja e të drejtës së autorit është e një natyre tjetër. Kur ajo ndodh, është shumë vështirë që të riparohet. Ndërkohë që titullari, ai që ka të drejtën e autorit, është në pozitë shumë të dobët përballë cënuesit të së drejtës së autorit, atij që ia merr pa e pyetur. Një këngëtar përballë një media, që transmeton këngën e tij pa marë të drejtën e autorit, është shumë i dobët. Dëmi ka ndodhur, këngëtari nuk ka çfarë të bëjë më. Direktiva e zbatimit të BE ka vendosur që për çështje të së drejtës së autorit nuk do t'i takojë barra e provës titullarit, një autori, që të provojë se vepra e tij artistikë është botuar, interpretuar, shfaqur pa të drejtën e autorit. Barrën e provës e ka cënuesi i supozuar, deri sa të marrë vendim gjykata”, thotë Mirlinda Çollaku.

Fillimi i fundit të piraterisë

Hapi i parë është miratimi i ligjit të ri në përputhje me direktivat europiane. “Pas miratimit me shpejtësi të ligjit duhet rivihen në punë të gjitha hallkat: zyra shqiptare për të drejtat e autorit, organet tatimore, doganat etj. Duhet të specializohen gjykatësit, që meren me çështje të së drejtës së autorit”, thotë zonja Çollaku.