1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Fillojnë kërkimet për gjetjen e helikopterit të rrëzuar

Ani Ruci21 Korrik 2006

Sot, në ujrat ndërkombëtare të detit Adriatik, anija italiane “ URANIA“ fillon kërkimet në thellësinë mbi 1000 metra, për të gjetur helikopterin e rrëzuar të dielën e kaluar, me 6 veta në bord, mes të cilëve edhe ish kryeministri dhe profesori i ekonomisë, Gramoz Pashko

https://p.dw.com/p/Are7

Zona e kërkimeve është ngushtuar mjaft pas gjetjes dje, mbi det, të disa objekteve që mendohet se janë të personave të zhdukur.

Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu bëri të ditur se janë gjetur një xhup burrash dhe një aparat oksigjeni, që supozohet se ëshë ai që u përdor për të ndjerin Gramoz Pashko.

Rrezimi i helikopterit ka ndezur polemika të ashpra në Tiranë. Opozita e akuzon qeverinë se ka abuzime financiare në remontin e helikopterit ndërsa qeveria i hedh poshtë ato.

Helikopteri i rrëzuar është i tipit Bell 222U , prodhim amerikano- kanadez i vitit 1972.

Pavarësisht nga tipi i vjetëruar i një modeli 34 vjet më parë, ai në Shqipëri ishte një helikopter VIP dhe me të udhëtonte vetëm Presidenti dhe kryeministri i vendit , gjë që nënkupton kujdesin maximal për të shmangur dhe riparuar difektet teknike. Ministri i Brendshem Sokol Olldashi beri publik faktin qe remonti kapital i helikopterit ishte bërë vetëm një muaj e gjysëm më parë në Gjermani.

Por opozita hedh dyshime për abuzime financiare nga ana e qeverisë në remontin e helikopterit.

Sipas zëdhënësit të PS, Saimir Tahiri, protokolli i remontit është bërë për blerjen e pjesëve të reja të këmbimit kurse në të vërtetë në helikopter janë vendosur pjesë të përdorura, që gjatë udhëtimit drejt Barit të këne shkaktuar difekte që sollën rrëzimin e helikopterit.

Burime diplomatike gjermane bëjnë të ditur për DË se vendosja e pjesëve të përdorura është diçka normale pasi tipi i helikopterit Bell 222U nuk prodhohet më.

Edhe në SHBA, një kompani e të cilës i ka pas prodhuar ato, helikopteret BELL do të zëvendësohen me helikopterët UH 145, prodhim ky i kompanisë EUROCOPTER, një kompani kjo e përbashkët franko gjermane spanjolle, e krijuar në vitin 1992..

Në fillim të këtij muaji EUROCOPTER nënshkroi një kontratë prej 3 miliard dollarësh për prodhimin e 352 helikopterëve për ushtrinë amerikane gjatë 10 viteve të ardhshme, e para kontratë e këtij lloji për EUROCOPTER-in.