1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bulqiza e kamur nën tokë por skajshmërisht e varfër mbi tokë

13 Prill 2021

Kulmi i luftës elektorale: Krerët e partive u premtojnë shumë zgjedhësve. Por minatorët e Bulqizës prej 30 vjetësh janë ngopur me premtime. Skamja në zonën e pasur nëntokësore mbetet konstantja për shumë banorë.

https://p.dw.com/p/3ruKd
Albanien Kohlemine Bulqiza
Fotografi: Elona Elezi/DW

Një mesogrua, e veshur kryekëput me të zeza, sheh trishtueshëm shtëpinë e saj përdhese që nuk mundi kurrë të kishte pamjen e një strehe të rehatshme. Mure pa suvatim, tulla dhe një çati e pambaruar… Kjo është e gjitha çka i ka lënë si trashëgimi i shoqi, minator që humbi tragjikisht jetën në vendin e tij të punës më shumë se një muaj më parë në Bulqizë.

Fatbardha Karaj e ka të pamundur t'i mbajë lotët që të mos i rrëshqasin faqeve. Nga 24 shkurti i këtij viti, ajo është një vejushë që duhet të rrisë e vetme 3 vajzat që ka nga martesa me Fiqiriun. 49-vjeçari punonte si vagonist në një kompani private dhe u godit për vdekje kur një masiv kromi u shkëput nga tavani i galerisë dhe e zuri përfundi.

Albanien Kohlemine Bulqiza  Anwohnerin Fatbardha Karaj
Fatbardha Karaj humbi tragjikisht para një muaji bashkëshortin në minierëFotografi: Elona Elezi/DW

"Unë jam me tre vajza. Nga t'iu jap krahëve? S'kam… Nga të dal, nga të shkoj vetëm? S'kam… Jam një grua e vetme. Shumë e vështirë, jetesa për mua është shumë e vështirë. Kushtet i kam copë-copë, siç i shihni vetë. Ato lekë që janë mbledhur për mortin e Fiqiriut, me ato po kalojmë tani” – thotë e veja, e cila tashmë nuk sheh asnjë perspektivë për veten dhe të bijat.

"Sa herë e përcillja për në punë, i uroja ‘Ardhsh shëndoshë e mirë' por këtë herë ma mori galeria djalin”. Kështu e nis rrëfimin Thëllëza Karaj, nëna e minatorit. Me një jetë të tërë kaluar në qytetin veri-lindor të Shqipërisë, drama e tragjedi minatorësh ajo ka dëgjuar plot. Por eksperienca personale duket se i ka rrëmbyer të gjithë energjinë. "Mjerë kujt i bie! Mjerë nënat që humbin fëmijën. Mjerë kalamajtë e gruaja që humbin kryefamiljarin”.

Albanien Bulqiza | Stadt
BulqizaFotografi: DW/E. Elezi

Aksidente, tragjedi, borxhe

Një dhomë e vogël brenda një oborri shtëpie në fshatin Koçaj është përshtatur dhe shërben si dyqan ushqimor. Gjylbehare Karaj e zotëron këtë vend prej rreth 20 vitesh. Dhe prej po aq vitesh, ajo mban një fletore shënimesh, ku stilolapsi ka shkruar, ka fshirë e ka rishkruar shuma të ndryshme parash. Ajo është lista e borxheve të familjeve të minatorëve, listë që nuk shlyhet kurrë. Përkundrazi. Borxhet për miell, vaj dhe ushqime të tjera bazike shtohet nga dita në ditë.

Gjylbeharja thotë se arkat me portokaj, sallata jeshile e domatet ngelen të pashitura. "Në këtë kohë që duhet konsumuar sa më shumë portokall e vitaminë C për shkak të pandemisë, minatorët e familjarët e tyre nuk e përballojnë dot çmimin e frutave”. Dora e saj shëtit fletët e stërmbushura të fletores së borxheve. Mes psherëtimave, ajo nuk beson se një ditë do t'i mbledhë paratë që i takojnë. "Shihe sa është shuma këtu. Çfarë t'i bëj unë. Ka djalin, ka burrin në minierë. Borxhi është këtu por nuk e paguajnë. Se nuk e përballojnë, jo se nuk duan ta sjellin”.

Albanien Kohlemine Bulqiza  Anwohnerin Gjylbehare Karaj
Gjylbehare Karaj ruan listën e borxheve të familjeve, dhe e di sa e madhe është varfëria në bulqizëFotografi: Elona Elezi/DW

Nga miniera, në Parlament

Gjendja e rënduar që zgjat thuajse njësoj prej më shumë se 30 vitesh ka zgjuar interesin e një minatori, i cili kandidon në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 25 prill. Një vit më parë Elton Debreshi u pushua nga puna në galerinë private ku punonte, pasi së bashku me minatorë të tjerë krijuan një sindikatë të re minatorësh. Pas një viti ai e sheh kandidimin dhe futjen në Parlamentin shqiptar si të vetmen mënyrë për t'i dhënë zë statusit të minatorit.

"Statusi i minatorit është mburoja e minatorit. Partitë politike ua kanë marrë gjithmonë me premtime boshe votat minatorëve. Asnjë program i partive politike nuk e ka statusin. Thjesht vijnë në Bulqizë ose në qytete ku ka miniera dhe flasin për statusin e minatorit. Por ne në fakt jemi ata që e vuajmë në kurriz kaq vite. Prindërit tanë por edhe ne mbi të gjitha” – shprehet Debreshi për Deutsche Welle.

Albanien Kohlemine Bulqiza  Anwohner Elton Debreshi
Elton Debreshi hyn në politikë për t'i dhënë zë minatorëveFotografi: Elona Elezi/DW

Ai është brez i tretë minatorësh. Burrat e familjes së tij kanë qenë gjithashtu minatorë. Për herë të parë, një përfaqësues punëtorësh synon politikën si kandidat i pavarur. Eltoni thotë se do përpiqet me të gjitha fuqitë për t'ia dalë mbanë, jo për vete, por për të gjithë kolegët e tij që punojnë në kushte të vështira sigurie, me rroga që nuk justifikojnë lodhjen e rrezikun që vjen nga ky profesion.

T'ia dalin mbanë… Kjo është e vetmja zgjidhje edhe për Fatbardhën e Gjylbeharen. E teksa minatorët apo familjarët e tyre luftojnë ditë e përditë me hallet e shumta, Bulqiza vijon të mbetet e kamur nën tokë por skajshmërisht e varfër mbi tokë. 

 

Elona Elezi, portret, shikon drejt e në kamera.
Elona Elezi Korrespondente nga Shqipëria dhe Ballkani