1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria merr kryesinë e radhës së Këshillit të Akademive të Shkencave të Europës Juglindore

Arben Muka4 Nëntor 2005

Këshilli i Akademive të vendeve të Europës Juglindore është krijuar 4 vjet më parë me nismën e ish Presidentit të Komisionit Europian, Romano Prodi

https://p.dw.com/p/AsHS
Tirana
TiranaFotografi: DW


Akademitë e Shkencave të vendeve të Europes Juglindore bashkëpunojnë prej 4 vitesh në kuadër të programit "Kërkim dhe zhvillim" që mbështetet nga Zyra e Paktit të Stabilitetit në Bruksel. Ky rrjet akademikësh nga vendet e rajonit synon të nxisë bashkëpunimin me projekte të përbashkëta për dy ose më shume vende, duke marrë mbështetje me fonde financiare për realizimin e tyre. Duke prezantuar natyrën e këtyre projekteve të përbashkëta, nënkryetari i Akademise së Shkencave të Shqipërisë, prof. Eduard Sulstarova thotë, se ato janë nga fushat e kulturës, të mbrojtjes së monumenteve, në fushën e mjedisit, energjitikës, hidrometeorologjisë etj. Pëe qëllimin e këtyre projekteve Sulstarova thotë: Të integrohemi me njëri tjetrin në realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me zhvillimin sa më shpejt të këtyre vendeve. Nga bashkëpunimi i akadamive të rajonit, Shqipëria përfiton shumë. Përfiton nga projekte të përbashkëta që subvencionohen nga Brukseli.


Takimi më i afërt i vendeve anëtare të Këshillit të Akademive të vendeve të Europës Juglindore pritet të mbahet së shpejti në Turqi, ku në fokus do të jetë paraqitja e projekteve për studime në fushën e mbrojtjes së monumenteve të kulturës. Ndërkohë që mes Shqipërisë dhe Maqedonisë një bashkëpunim studimor momentalisht po kryhet mes dy Akademive te Shkencave për mbrojtjen e liqenit të Ohrit.

Këshilli i Akademive të vendeve të Europës Juglindore është krijuar 4 vjet më parë me nismën e ish Presidentit të Komisionit Europian Romano Prodi, në një takim promovues që u mbajt në Venecia e ku morën pjesë akademikët nga Shqiperia, Bosnjë Hercegovina, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, Bullgaria, Rumania dhe Turqia.
Sipas statutit të miratuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit, secili vend anëtar e kalon me rotacion presidencën e radhës në një vend tjetër pas një afati 1 vjetor. Tashmë për 12 muajt e ardhshëm drejtimin e këtij rrjeti akademikësh e ka Shqipëria, pas kryesimit nga ana e Akademise se Shkencave të Malit të Zi.
Roli i Shqipërisë në këtë periudhë është për koordinimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare, si dhe për realizimin e atyre projekteve që mbulohen me fonde nga programi "Kërkim dhe zhvillim" dhe që mbështetet nga Zyra e Paktit të Stabilitetit në Bruksel.