1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Reformat arsimore në Shqipëri

Arben Muka8 Gusht 2013

Në një raport vlerësues që u publikua ditët e fundit nga një grupim organizatash joqeveritare arrihet në përfundimin se Shqipëria zë vendin e fundit në rajon për investimet e arsimimit të fëmijëve.

https://p.dw.com/p/19LsS
Fotografi: DW/A. Muka

"Koalicioni për Arsimimin e Fëmijëve" një rrjet organizatash joqeveritare nëpërmjet studimit vlerësues kishte si synim kryesor që të "fotografonte" në mënyrë sa më të detajuar gjendjen e arsimit parauniversitar në Shqipëri, që do të thotë sistemin e edukimit të fëmijëve nga cikli parashkollor dhe deri në përfundim të shkollës së mesme.

Studimi, sipas ekspertëve, përfshiu një sërë aspektesh thelbësore që lidhen në rradhë të parë me arsimimin e fëmijëve, pjesëmarrja në arsim, reforma e kurrikulës dhe ndikimin qe ka pasur ajo në përmirësimin ose jo të kushteve të mësimdhënies dhe mësimnxënies, trupa pedagogjike e angazhuar, kualifikimi i mësuesve etj., deri tek tregues të aplikimit të teknologjisë dhe burimet e tjera brenda dhe jashtë orëve të mësimit, informatizimin e shkollave, por dhe investimet konkrete që merr procesi edukativ në këto nivele.

Jo vetëm fokusi i studimit vlerësues ishte i rëndësishëm, por dhe koha e zhvillimit të tij, pasi për organizatorët hulumtimi ndodhi në periudhën e realizimit të reformave në arsimin parauniversitar. Në këtë kontekst studimi kishte për qëllim që të testonte impaktin konkret të procesit të reformave nga autoritetet shqiptare të arsimit.

Frekuentimi i shkollës mbetet problematik

Bildung in Albanien
Fotografi: DW/A. Muka

Njëri prej anëtarëve të grupit të punës, Altin Hazizaj, nga Qendra Shqiptare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, CRCA, thotë për DW-në se studimi përfshinte dhe çështjen e braktisjes së shkollës nga fëmijët, gjendja e edukimit të fëmijëve romë, shtresat vunerabël, mënyra e edukimit të fëmijëve me nevoja të veçanta, respektimi i të drejtave të fëmijëve, etj.
"Po ti referohemi të dhënave të përftuara shikojmë se në një kohë që në vendet e rajonit dhe të Bashkimit Europian ndihet një rritje e numrit të nxënësve të moshës shkollore, në vendin tonë shifrat japin tjetër tablo. Psh., niveli i regjistrimit në shkollat fillore është në nivelin 95 - 96 përqind; niveli  i frekuentimit tek parashkollorët luhatet nga 50 deri 54 përqind; fëmijët që kanë arritur deri në klasën e 5-të janë në kuotën 90 përqind, regjistrimi në shkollat e mesme arrin deri në 73 - 75 përqind.. Shikoni, ajo që mund të thuhet nga analiza e gjetjeve është se në vendin tonë numri i fëmijëve që frekuesntojnë shkollën nga një nivel në nivelin tjetër arsimor vjen në ulje, thuajse me 10 përqind në çdo 5 vite".

Dhe duke ju referuar shifrave të studimit të Koalicionit për Arsimimin e Fëmijëve" rezulton se në klasën e pestë regjistrohen 10 përqind më pak e fëmijëve që kanë nisur shkollën, ndërkohë që në shkollën e mesme regjistrohen rreth 20 përqind më pak e tyre. Kjo përqindje po sipas studimit është më e lartë tek vajzat.

"Ky është një faktor shumë shqetësues pasi do të thotë që afër 20 përqind e popullatës së asaj moshe largohet nga shkolla pa marrë një formim profesional ose të përgjithshëm, gjë që do e bënte integrimin e tyre në tregun e punës shumë të vështirë" - thotë për DW Altin Hazizaj.

Investimi në arsim shdërrohet në zhvillim

Problematike rezulton sipas studimit dhe prirja se investimet publike në arsim nga viti në vit kanë ardhur duke u ulur duke mos iu përgjigjur nevojave për zhvillim të arsimit parauniversitar. Duke bërë një krahasim të investimeve në arsim në nivel rajonal dallohet qartë se Shqipëria është në një sërë drejtimesh në fund të listës së vendeve që investojnë seriozisht arsimimin e fëmijëve.

Bildung in Albanien
Fotografi: DW/A. Muka

"Ne shpresojmë që qeveria e re që fillon punë në shtator ta trajtojë me seriozitetin që i takon këtë çështje, pasi investimi në arsim përkthehet në zhvillim, më pak varfëri, më pak krime dhe më tepër mirëqënie. Koalicioni sigurisht që do të lobojë me Kuvendin dhe Ministrinë e Arsimit që rritja progresive në investime të fillojë që në muajin janar 2014 e të vijojë kështu përgjatë të gjithë viteve në vijim" - thuhet ndër të tjera në pjesën rekomanduese të studimit vlerësues realizuar nga Koalicioni për Arsimimin e Fëmijëve. vazhdim. 

Pjesë e rekomandimeve për përmirësimin e situatës janë dhe rritja e buxhetit të arsimit dhe investimeve në arsim në kuotën e 6 përqind; kapja e objektivit "çdo fëmijë në kopsht"; ulja e nivelit të braktisjes së shkollës; përmirësimi i nivelit të jetesës për familjet e varfra; programe dhe mbështetje për fëmijët në situata vulnerabël etj.