1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Së shpejti gati kampi italian për emigrantët

7 Gusht 2024

Në të ardhmen, Italia do të transferojë në Shqipëri emigrantët që duan të arrijnë në BE nëpërmjet Mesdheut. Kampi i parë së shpejti do të jetë gati.

https://p.dw.com/p/4j9S8
Qendra në Gjadër
Qendra në GjadërFotografi: Alketa Misja/dpa/picture alliance

Dielli përvëlon në brendësi të Shqipërisë, në aeroportin e vjetër ushtarak në Gjadër është vapë, temperatura është mbi 30 gradë. Një zjarr shihet në një kodër aty pranë, shtëllunga tymi ngrihen në qiellin blu.

Në kantierin e kampit italian për azilkërkuesit në Gjadër, aktualisht puna është ndalur për shkak të vapës, siç parashikon ligjiitalian i punës. Ligjet e Italisë zbatohen edhe në Gjadër, sepse Shqipëriai ka dhënë atij vendi një zonë ushtarake. Ndërtimi i një kampi kontejnerësh për azilkërkuesit nuk kërkonte as leje ndërtimi shqiptare.

3000 migrantë në muaj

Ligji italian aktualisht zbatohet për punëtorët e ndërtimit - dhe në të ardhmen do të zbatohet për më shumë se 3000 emigrantë dhe refugjatë në muaj, kërkesat e të cilëve duhet të trajtohen këtu, domethënë duhet të merret një vendim nëse ata kanë të drejtë azili apo jo.

Këtu do të vendosen migrantët nga Italia
Këtu do të vendosen migrantët nga ItaliaFotografi: Alketa Misja/dpa/picture alliance

Në të ardhmen, Italia do të transferojë në Shqipëri personat e shpëtuar në zonën e ujërave ndërkombëtare në Mesdhe. Së pari, në portin e Shëngjinit, ku një kamp i vogël tashmë është gati për pritjen e azilkërkuesve. Ata njerëz duhet të regjistrohen atje, t'u merren shenjat e gishtave dhe të dhënat e tjera - para se të transferohen në Gjadër.

Dhe kush do të transferohet në Shqipëri? Sipas Ambasadës së Republikës së Italisë në Tiranë, vendimi për këtë duhet të merret tashmë në anijet e shpëtimit të emigrantëve. Në varësi të vendit të origjinës dhe gjendjes shëndetësore të emigrantëve dhe refugjatëve, do të vendoset se kush do të transferohet në cilin kamp.

Qëndrim i shkurtër

Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si Amnesty International, kritikojnë se shumica e anijeve të shpëtimit të emigrantëve nuk janë të pajisura mjaftueshëm për të marrë vendime të tilla. Ata pretendojnë, për shembull, se nuk ka pajisje të përshtatshme mjekësore për ekzaminime më gjithëpërfshirëse të njerëzve.

Përveç kësaj, siç pretendojnë këto organizata, shumë migrantë dhe refugjatë nuk kanë dokumente personale me vete. Letrat janë vendimtare për marrjen e një vendimi për azilin: gjoja njerëz nga të ashtuquajturat vende të sigurta (të origjinës) duhet të shkojnë në Shqipëri, pra nga ato vende me të cilat Italia ka nënshkruar marrëveshje për kthimin e emigrantëve. Kjo duhet të parandalojë azilkërkuesit, kërkesa e të cilëve është refuzuar që të qëndrojnë në kamp për një kohë të gjatë.

Paisja e dhomave
Paisja e dhomaveFotografi: Alketa Misja/dpa/picture alliance

Kontejnerët në Gjadër gjithsesi nuk janë të përshtatshëm për qëndrim të gjatë. Dy krevate ushtarësh, dy dollapë metalikë dhe katër karrige plastike janë mobiljet që zënë pjesën më të madhe të hapësirës në to. Ka vend për katër persona në çdo dhomë. Dushet dhe tualetet ndodhen në një pjesë tjetër të kampit.

Përjashtim, jo ​​rregull...

Zona e kampit në Gjadër, nga pikëpamja ligjore, duhet të ketë të njëjtin status si zonat kufitare apo zonat tranzitore në aeroporte, siç përcaktohet me ligj - dhe ky është një parakusht për miratimin e shpejtë të procedurës për të drejtën e azilit. Azilkërkuesit duhet të transferohen në Itali vetëm në raste të jashtëzakonshme.

Llogaritja është e qartë: njerëzit që përfundojnë në Gjadër nuk kanë asnjë shans për të marrë azil. Ata mbase nuk do të transferohen më në Itali.

Por vetë procedurat duhet të kryhen në përputhje me ligjin e Republikës së Italisë. Në hyrje të kampit ka kontejnerë zyrash. Sipas pretendimeve italiane, ata duhet të jenë të pajisur me avokatë dhe gjyqtarë përgjegjës për procedimet. Disa gjëra mund të bëhen përmes videokonferencave, pretendohet. Është e vështirë të marrësh informacion më specifik për të, ashtu siç është e vështirë të marrësh një përgjigje për pyetjen: a mund të detyrohen azilkërkuesit të qëndrojnë në një kamp të tillë, pra në një vend ku liria e lëvizjes është e kufizuar?

Do të ketë dhe zyra për biseda me migrantët
Do të ketë dhe zyra për biseda me migrantëtFotografi: Alketa Misja/dpa/picture alliance

Aktivistja shqiptare Arilda Lleshi nga Shëngjini dyshon dhe e sheh këtë si shkelje të të drejtave të emigrantëve, të cilat garantohen nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Marrëveshja është absurde dhe i shërben vetëm krerëve të qeverisë italiane dhe shqiptare, Edi Ramadhe Giorgia Meloni, pretendon ajo. "Nuk i shërben mërgimtarëve dhe nuk i shërben komunitetit tonë këtu”, thotë Lleshi.

Refugjatët dhe turizmi

Shëngjini është një destinacion ambicioz turistik. Plazhi, në të cilin ka shumë shezlongë në gusht, ndodhet pikërisht pranë portit, ku emigrantët duhet të zbresin në të ardhmen. "Nuk ka pasur fare diskutim publik për këtë. E morëm vesh më 5 nëntor, kur u nënshkrua marrëveshja në Romë”, ankohet Lleshi.

Disa njerëz të tjerë në rajon shpresojnë se ekzistenca e kampit mund të ketë një efekt pozitiv në ekonominë lokale, veçanërisht në Gjadër. Italia ka premtuar se do të krijojë vende të reja pune edhe për banorët vendas, për njerëzit që do të punojnë në kuzhinë apo si pastrues. Dhe qindra policë italianë duhet të akomodohen diku, duhet të kalojnë natën në hotele të qyteteve të afërta. Marrëveshja mes dy palëve parashikon që kampi të jetë në funksion për të paktën pesë vjet.

Për pak javë kampi në Gjadër duhet të jetë gati për të pritur azilkërkuesit e parë. Por vetëm pasi autoritetet italiane kanë dhënë "dritën jeshile” për të nisur punën. Duket qartë, se Italia nuk dëshiron të bëjë asnjë hap të vetëm të gabuar në këtë kamp. Për Italinë, siç duket, Gjadra nuk mund të jetë një shabllon për kampe të tjera të ngjashme.