1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëria kërkon më shumë fonde për infrastrukturen në kuadër të Paktit të Stabilitetit

Arben Muka10 Dhjetor 2004

Shqipëria ka përfituar këtë vit shumë më pak fonde nga çfarë priste nga projektet e Paktit të Stabilitetit për zhvillimin e infrastrukturës. Ministria e Transporteve ka deklaruar se për akset kryesore rrugore që lidhin Shqipërinë me vendet e tjera të rajonit ka projekte të gatshme, por që nuk po mbulohen me fondet e duhura. Një nga këto projekte është dhe lidhja hekurudhore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ndërkohë zyrtarët e Paktit të Stabilitetit kanë rezerva për cilësine e projekteve të paraqitura dhe argumentimin e tyre. Në fillim të vitit 2005 në Tiranë do të organizohet një takim me eskpertë dhe donatorë, në kuadër të Paktit të Stabilitetit për të diskutuar çështje të zhvillimit të

https://p.dw.com/p/AsA6

infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe modernizmin e porteve.

Pas 5 vjet e gjysmë kur ka nisur iniciativa e Paktit të Stabilitetit për vendet e Evropës Juglindore Shqipëria shpreh pakënaqësi se mjaft projekte të saj të zhvillimit të infrastrukturës kanë mbetur zbuluar me fonde, duke shtyrë ne afate me te gjate zbatimin e tyre. Ministri i Transporteve Spartak Poçi shprehet se fondet e 2004-ës të Paktit të Stabilitetit, si dhe programit CARDS të BE janë të destinuara jo për ndërtimin e rrugëve, por vetëm për studimet e fizibilitetit mbi to. Kjo dukuri nuk është vetëm për këtë vit që po mbyllet por dhe për planifikimin që është bërë për vitin e ardhshëm.

"Përgjithësisht për 2004 dhe 2005 ka financime të vogla për Ministrinë e Transporteve, të cilat kanë lidhje vetëm me hartimin e studimeve dhe projekteve të detajuara të disa prej segmenteve tona rrugore", thotë Poçi.

Ndër synimet më të mëdha të Shqipërisë për vitin 2005 është lidhja hekurudhore me Maqedoninë, por finalizimi i këtij objektivi, sipas zyrtarëve te Ministrisë së Transporteve, do të varet nga mbulimi me fonde nga donatorët ndërkombëtaëe, dhe në mënyrë të veçantë nga ato në kuadër të Paktit të Stabilitetit.

Nga ana e tyre zyrtarët e Paktit të Stabilitetit në kontaktet që kanë patur këto ditë me autoritetet zyrtare shqiptare si dhe me komunitetin vendas të biznesit e kanë konsideruar telekomukacionin si një nga elementët më thelbësorë të zhvillimit rajonal. Per koordinatorin e Paktit të Stabilitetit Erhard Busek "janë 9 projekte të infrastrukturës në Shqipëri, të cilat janë të gatshme për implementim. Fondet ekzistojnë, por ne duam
projekte të përpunuara dhe të detajuara. Nuk nevojiten vetëm ide të mira, por dhe të konkretizuara. P.sh kjo superstradë do të kalojë nga këtu deri aty, sa është kosto, sa përfitohet etj. Duhet lëvizur për gjetjen e bashkëpunimeve me institucione dhe organizma kredituese ndërkombëtare".

Nga ana e tij ministri i Transporteve Spartak Poçi, thotë se janë bërë disa përpjekje me institucionet ndërkombëtare për sigurimin e fondeve të nevojshme. "Në takimet më të fundit që kemi patur me përfaqësues të Bankës Botërore dhe donatorë të tjerë, siç janë Banka Evropiane e Investimeve, apo Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ju kemi bërë të qartë se nuk bëhet fjalë që në Shqipëri të bëhen përmirësime të rrjetit
infrastrukturor rrugor, por bëhet fjalë për rikonstruksionin e tyre, pra për nxejrrjen e tyre nga gjendja e rëndë ku janë. Përderisa ne jemi të gatshëm të "gëlltisim" shumë fonde, atëherë na duhet të nxitojmë, të avancojmë, në mënyrë që të kapim ritmet e larta të integrimit në network-un evropian rrugor", thotë ministri Poçi.

Nisur nga pakënaqësitë e autoriteteve shqiptare, si dhe problemet e diskutueshme që kanë dalë, zyra e Paktit të Stabilitetit në Bruksel, në fillim të vitit 2005 në Tiranë ka planifikuar të organizojë një takim të zgjeruar ekspertësh dhe donatorësh vetëm për çështje të zhvillimit të infrastrukturës rrugore, hekurudhore dhe për portet. Për vitin 2004 fondi total në këtë sektor në kuadër të programit CARDS të BE-së ka qenë rreth 10 milion Euro, ndërkohë që për 2005-n është parashikuar të jepet gati gjysma e kësaj shume.