1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Si u zbulua celula terroriste?

Ani Ruci'
24 Tetor 2019

Policia e Shtetit në Shqipëri: Identifikohen anëtarët e një celule terroriste iraniane që planifikonte sulme terroriste në vend kundër lëvizjes opozitare iraniane, të njohur me inicialet MEK (Mojahedin-e-Khalq).

https://p.dw.com/p/3RrmP
Symbolbild Handschellen
Fotografi: picture-alliance/chromorange/R. Tscherwitschke

Duke nisur nga 2004 e deri më tani, rreth 3 mijë anëtarë të kësaj lëvizjeje strehohen në Shqipëri sipas një marrveshjeje Shqipëri -SHBA, të arritur në kohën e qeverisë Berisha.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha të mërkurën (22.10) se "celula terroriste është përgjegjëse, mes të tjerash, edhe për planin e saj në mars 2018 për të kryer një akt terrorist gjatë kremtimeve të Festës së Nevruzit, të frekuentuar nga anëtarë të nivelit të lartë të MEK, plan që u parandalua dhe dështoi nga masat e shtuara të Policisë së Shtetit, falë informacioneve të sakta”.

Katër anëtarë të celulës terroriste janë identifikuar dhe shpallur në kërkim ndërkombëtar.  Agjensive ligjzbatuese në Shqipëri dhe partnerëve europianë dhe ndërkombëtarë iu janë vënë të enjten, (24.10) në dispozcion të dhënat për 4 personat në fjalë: Abdolkhalegh Makel Zadeh, i njohur me pseudonimin Ferhat, një iranian  me pseudonimin Payman, Erëin Aram, i njohur me pseudonimin Alireza Nagahshzadeh, me pasaportë austriake dhe së fundi, koka e celulës, turku Abdulselam Turgut, i arrestuar në Shqipëri për trafik droge dhe i kërkuar nga disa vendeve të BE.

Gjykatës të Apelit nxorrën nga burgu në Shqipëri trafikantin Turgut.

Të enjten, (24,10) në vëmendje të drejtësisë dhe autoriteteve të agjensive ligjzbatuese erdhi një fakt pothuaj i harruar: Abdulselam Turgut  ka qënë në burg në Shqipëri, në vitin 2011, vetëm për dy javë.  Artan Hoxha, gazetar  investigative, e ka risjellë këtë fakt përmes një prononcimi në median e shkruar lokale të Tiranës ku bën me dije se Abdulselam Turgut u shpall në kërkim nga Gjermania në nëntor 2009, i akuzuar   për trafikimin e 1.9 ton heroinë drejt Gjermanisë. Në shkurt 2011, ai u arrestua në  Tiranë, në aeroportin " Nënë Tereza", me një urdhër arresti ndërkombëtar të Interpolit. Në pritje të dokumentacionit për ekstradimin e tij në Gjermani, Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë vendosi masën e sigurisë me arrest në burg. Dy javë më pas, tre gjyqtarë në Gjykatën e Apelit, e nxorrën nga arresti me burg, në arrest shtëpie, nga ku u zhduk pa i hyrë gjemb në këmbë për t'u rishfaqur ne planin terrorist të vitit të kaluar kundër anëtarëve të MEK, muxhahedinëve në Shqipëri.

Si funksiononte celula?

Zbulimi i celulës terroriste u arrit në sajë të bashkëpunimit të policisë së shtetiut dhe shërbimeve inteligjente me ato të vendeve, anëtare të BE. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Vebiu, bëri publike skemën e funksionimit të kësaj cellule. Sipas tij ajo drejtohej nga Peyman, operativ në njësinë për operacione jashtë Iranit, të quajtur QUDS, që njihet si  krahu operacional i Trupave të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit dhe kryen veprime luftarake jo konvencionale.

"Peyman kishte detyrën e  menaxhimit të operativëve të QUDS në Shqipëri dhe në vende të tjera në Evropën Qendrore dhe Perëndimore” tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetut, Ardi Veliu.

Alireza Naghashzadeh, një ish-anëtar i lëvizjes opozitare iraniane , MEK-ut, me pasaportë austriake, u dërgua me detyrën e mbledhjes së informacionit për muxhahedinët që strehohen në Shqipëri duke filluar nga viti 2004, në bazë të një marrveshjeje të arritur nga koha e qeverisë së PD me kryeministër Sali Berishën me SHBA.

"Peyman bëri disa vizitave në Shqipëri , si pjesë e planeve për një sulm që eventualisht u ndalua,” tha Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Veliu.

Dy anëtarët e tjerë të celulës terroriste, Abdolkhalegh Malek Zadeh, iraniani që jeton në Turqi, me pseudonimin Ferhat dhe Abdulselam Turgut bashkëpunonin për "të planifikuar sulme terroriste me urdhër të Peyman-it dhe të Forcave QUDS”, theksoi Drejtori iPërgjithshëm Veliu.

Në dhjetorin e kaluar, ambasadori i Iranit në Tiranë dhe një diplomat tjetër iranian u shpallën „persona non grata” dhe u dëbuan nga Shqipëria, si të dyshuar për përfshirjen në planifikimin e një sulmi terrorist në Shqipëri. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme deklaroi atëhere se " aktiviteti i tyre  në kundërshtim me statusin e diplomatit, cënon sigurinë në Shqipëri.”