Shqipëri: Opozita protestë para kryeministrisë
8 Shkurt 2025Protesta e opozitës shqiptare mbajtur këtë të shtunë (08.02) në Tiranë përpara Kryeministrisë, e cila zgjati më pak se dy orë, nuk përsëriti skenarin e tubimeve të kaluara me bllokim të akseve rrugore. ‘'Mosbindja civile'' i la vendin fjalimeve të mbajtura në podiumin e vendosur në bulevardin ‘'Dëshmorët e Kombit'', në sheshin pëpara godinës qeveritare. Kërkesa për qeveri teknike u zëvendesua me disa premtime elektorale.
Thirrje për bashkim dhe unitet opozitar
Tre muaj përpara zgjedhjeve që do të mbahen në 11 maj, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh optimist për rezultatin final, e njëherësh i bëri thirrje partive politike për një bashkim opozitar. ‘'U garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar. Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitës, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës'' – u shpreh Berisha. Po ashtu thirrjen ua drejtoi edhe elektoratit gri, si dhe drejt atyre që i quan ‘'socialistë të ndershëm''. Berisha vijoi akuzat ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se me urdhër të këtij të fundit ‘'kryetari i PD u vendos në arrest shtëpie, ish-presidenti i vendit (Ilir Meta) u zvarrit dhe u godit në mes të rrugës, si dhe u burgos deputeti i PD –së, Ervin Salianji''.
Berisha shpalos një pjesë të programit elektoral
Ndonëse u kujdes të thoshte, se ky nuk ishte një miting elektoral, kryetari i Partisë Demokratike, shpalosi përpara mbështetësve të opozitës, të ardhur nga i gjithë vendi, disa nga pikat e programit. Duke e konsideruar atë ‘'programi i lirisë dhe të drejtave të njeriut'', Berisha premtoi se do të sjellë rritje të rrogave dhe të pensioneve, modernizim të shërbimeve në arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera''. ‘'Pas 11 majit, nuk do ketë rrogë nën 500 euro. Dhe se ky do jetë pragu me të cilën do ecim drejt rrogës mesatare më të lartë në rajon, 1200 euro'' – premtoi ndër të tjera Berisha.
Më herët rreth protestës së opozitës reagoi edhe kryeministri, Edi Rama, përmes një statusi në profilin e tij në platformën sociale, ‘'X''. ‘'Kjo protestë duhet përshëndetur, sepse "është një pasqyrë e qartë sa s'ka e alternativës së kalbur të një kënete politike humbësish të degraduar” – shkruan Rama.
Tre të lënduar në protestën e opozitës
1300 forca policore ishin vënë në gatishmëri këtë të shtunë, për të siguruar mbarëvajtjen e protestës së opozitës. Tre prej tyre u lënduan pasi protestuesit hodhën kapsolla dhe tymuese në drejtim të Kryeministrisë, në momentin kur ish-kryeministri Berisha po ngjitej në podium. Lëndët piroteknike ranë mbi kordonin e policisë që mbronte godinën qeveritare. Efektivët u dërguan në spital për të marrë ndihmë mjekësore.