1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: PD model i ri politikëbërje me liderë të vjetër?

7 Korrik 2023

Lulzim Basha po zhvillon fushatë për t’u rizgjedhur më 29.07, në krye të grupimit PD-ja zyrtare duke premtuar “një parti moderne me një model të ri politikëbërje.”

https://p.dw.com/p/4TXMK
Lulzim Basha synon të rizgjedhet në krye të grupimit PD-ja zyrtare duke premtuar “një parti moderne me një model të ri politikëbërje”
Lulzim Basha synon të rizgjedhet në krye të grupimit PD-ja zyrtare duke premtuar “një parti moderne me një model të ri politikëbërje”Fotografi: Press Office/Democratic Party of Albania

Lulzim Basha dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike, (PD), më të madhes në opozitë në Shqipëri, në mars të vitit të kaluar, pas 9 vitesh në këtë post. Ai e përligji dorëheqjen e tij si "akt për ringjalljen dhe unitetin e PD.” Por kjo nuk ka ndodhur.

PD-ja ka mbetur në stanjacionin e një krize të thellë, e përçarë keqazi në dy grupime kundërshtare: të Bashës dhe atë të liderit historik të PD-së, ish-kryeministrit 79-vjeçarit, Sali Berisha. Shpallja e tij dy vjet më parë, "non grata” nga qeveria amerikane për "vepra korrupsioni që minojnë demokracinë në Shqipëri” gjeneroi krizën dhe ndarjen. Të perçarë dhe në grindje të brendshme demokratët shënuan humbje në zgjedhjet lokale 2023, të gjashtën radhazi që nga viti 2013.

Status quo dhe humbje e kredibilitetit politik

Aleksandër Çipa, analist i pavarur në Tiranë, kryetar i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, thotë për DW se "rizgjedhja e Bashës në krye të PD zyrtare dëshmon që ky grupim refuzon të pranojë shembjen e strukturave funksionale dhe kapaciteteve të saj politike."

Lulzim Basha ishte për 9 vjet kryetar i PD-së dhe ka pasur disa herë poste të rëndësishme si ministër kur në pushet ka qënë PD-ja
Lulzim Basha ishte për 9 vjet kryetar i PD-së dhe ka pasur disa herë poste të rëndësishme si ministër kur në pushet ka qënë PD-jaFotografi: Gent Shkullaku/AFP/Getty Images

"Drejtuesit e PD-së këmbëngulin të ruajnë status quo-në kontrolluese mbi segmentet e mbetura të PD dhe të disa forcave të tjera opozitare. Opozitarizmi në Shqipëi, që nga ndarja e PD, pas përjashtimit të Berishës nga grupi i saj parlamentar si "non grata" ndodhet në krizë stanjacioni dhe humbjeje të kredibilitetit," thotë Çipa për DW.

Rikthimi i Bashës - i sigurtë

Grupimi i Bashësnjihet ligjërisht si PD-ja zyrtare. Ai gëzon të drejtën e përdorimit të vulës dhe siglës së PD. Grupimi kundërshtar i ish-kryeministrit Berisha nuk mund t'i përdorë ato. Prej më shumë se një vit ai pret vendimin e gjykatave që të legjitimohet ose jo si PD zyrtare.

"Në konkurrimin për kreun e PD-së zyrtare është e sigurtë fitorja e Bashës: Ai ka burimet financiare, njerëzore dhe mbështetjen e shumicës së anëtarëve të PD-së zyrtare. Edhe pse nuk ka mbështetjen e shumicës së deputetëve dhe të figurave kryesore të PD-së zyrtare, kjo nuk e pengon të sajojë një proces zgjedhor të kontrolluar zyrtar dhe të rizgjidhet nga anëtarësia që e mbështet.

Lulzim Basha do jetë kryetar i një partie edhe më të vogël nga ajo që ka mbetur deri tani, sepse deputetët dhe drejtuesit e tjerë të PD-së zyrtare që nuk e mbështesin do të largohen,” thotë për DW, analisti Neritan Sejamini.

Kjo siguri që Basha do të rizgjdhet kryetar vjen edhe ngaqë përballë tij si konkurrent është vetëm një kandidat: Gjergj Hani, ish i persekutuar politik, një emër i panjohur deri tani, që deklaron se synon të vijë në krye të PD zyrtare "për t'i kthyer politikës dinjitetin dhe moralin.”

A mund ta ringrejë Basha PD-në si opozitë efektive?

Vështirë t'i jepet një përgjigje pozitive kësaj pyetjeje kur tani për tani PD-ja zyrtare ku ai synon të kryesojë është një parti e vogël, me gjasa për t'u mpakur edhe më tej nga ikje të reja. Kjo kur nevoja për një opozite efektive në Shqipëri është në rend të ditës. Në mandatin e tretë qeverisës të Partisë Socialiste (PS) dhe të kryeministrit Rama, 2021-2025, Shqipërisë i duhet ajo opozitë që është e aftë të luajë rolin e kontrollit dhe të balancës ndaj pushtetit qeveritar.

Lideri historik i PD-së, ish-kryeministri 79-vjeçar, Sali Berisha
Lideri historik i PD-së, ish-kryeministri 79-vjeçar, Sali BerishaFotografi: Franc Zhurda/AP Photo/picture alliance

"Rizgjedhja e Bashës mbyll thjesht një vakuum statutor për PD-në zyrtare. Ajo është e rrethuar me skeptizizëm, mungesë besimi për shkak të sfidave të humbura radhazi të Bashës, dasive edhe brenda grupimit të tij. Ndarja e PD-së, forcës më të madhe opozitare në Shqipëri, është tanimë një fakt i kryer. Për fat të keq ajo nuk vjen nga motive të thella politike, por nga fate politike personale” thotë për DW Aleksandër Çipa.

"Ish-kryeministrit Berisha refuzon me këmbëngulje të pranojë pensionin politik. Basha, ish i zgjedhuri prej atij vetë, si pasues, ka vendosur të rikthehet i bindur që do të kryesojë PD-në e mbetur zyrtare. Të dyja palët vonojnë zyrtarizimin e ndarjes dhe kompozimin e një strukture të re politike,” vë në dukje për DW, Aleksandër Çipa

Ndarja e PD-së pritet të vazhdojë përtej dy grupimeve të tanishme kundërshtare.

"Grupi i të heshturve, i atyre që nuk janë të përfaqësuar në strukturat tradicionale të PD-së ka gjasa të krijojnë një grupim të tretë,” thotë për DW, Aleksandër Çipa

Në këto kushte konfiguracioni dhe fati politik i PD shfaqet i fragmentarizuar dhe pa kohezion.

"Grupimi i Bashës e ka bërë ndarjen „de facto”. Ai ka një projekt të vetin politik: atë të një partie të vogël, të kontrollur nga Basha që do t'i sigurojë atij dhe ndoshta disa drejtuesve të tjerë vendet në Parlamentin që do të dalë nga zgjedhjet 2025. Është një parti që synon 3-4 deputetë në parlamentin e ardhshëm, vazhdimin e karrierës politike të Bashes dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë," - thotë për DW, analisti Neritan Sejamini.

Moslëshim i pushtetit, mendësi konfliktuale

Në 32 vite, që nga krijimi i PD-së dhe deri tani, kryetarë të saj kanë qënë për 22 vite Sali Berisha dhe për 9 vjet Lulzim Basha. Të dy kanë pasur poste të rëndësishme kur në pushet ka qënë PD-ja: Berisha kryeministër, Basha disa herë ministër. Përballë kohezionit të PD-së të dy kanë preferuar vazhdimin e protagonizmit në opozitë dhe synuar poste të larta në rast rotacioni të pushtetit.

"Të gjitha përpjekjet për të ashtuquajturin "bashkim” mes figurave kryesore të PD-së që në krye të herës janë bërë me kushtin që askush të mos lëshojë asgjë nga pushteti aktual. Zgjidhja e krizës në PD është kërkuar me kushtin e ruajtjes së paprekur të pushtetit, posteve vetjake brenda partisë së bashkuar. Askush nuk ka dashur të bëjë lëshime deri në heqjen dorë nga postet partiake apo karrierën politike për hir të bashkimit. Ka funksionuar kultura e moslëshimit të pushtetit në asnjë rrethanë dhe mendësia e politikëbërjes konfliktuale." thotë për DW analisti Neritan Sejamini.

Partia e ka mendjen tek vetja, jo tek populli.

Që prej ndarjes së PD në dy grupime kundërshtare fati i saj politik dhe sidomos cili do të jetë kryetari është bërë objekt debatesh dhe sulmesh të ndërsjellta mes palëve dhe në media. Genc Pollo, ish-deputet dhe ish-ministër i PD-së mendon se një situatë e tillë heq besimin e votuesve.

"Nga ky debat publiku merr mesazhin se partia e ka mendjen tek vetja jo tek populli. Më pas debati për situatën instrumentalizohet nga kundërshtari. Debati konstruktiv dhe produktuv duhet bërë brenda demokratëve, jo para mediave dhe duke pasur në sfond regjimin kleptokratik. Media e lirë, shoqëria civile dhe faktori ndërkombëtar mund të frenojnë deri diku ekseset dhe abuzimet. Por është iluzion të mendosh që kjo të bëhet pa opozitën politike. Në kushtet aktuale është aritmetikë: dobësimi i opozitës shton kleptokracinë, " thotë ai për DW.

Elitat e reja politike në krizë

Opozitës i lypset një elitë e re politike. Rikthimi potencial i Bashës në krye të PD zyrtare dhe zhvillimet e pritshme pas zgjedhjes së tij tregojnë se elita e re politike e demokratëve e ka rrugën, tani për tani, të mbyllur.

"PD-ja më shumë se sa një ndërrim mekanik kryetarësh duhet të vendosë dhe garantojë rregulla dhe hapësira për konkurencë të vërtetë dhe karrierë meritokratike politike," thotë për DW analisti Neritan Sejamini.

Largimi i elitës së vjetër politike dhe ardhja e të resë nuk është çështje vetëm për opozitën por për gjithë jetën politike të vendit.

"Elektorati është lodhur nga kjo krizë stanjacioni. Vendi ka krizë të përfaqësimit të elitës së re për shkak të mosfunksionimit të meritokracisë jo vetëm në forcat kryesore politike,  por edhe në nivele te larta qeverisëse dhe vendimmarrëse," thotë për DW Aleksandër Çipa.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana