Shqipëri: Minoretar kush të dojë
17 Shtator 2007Në një rezolutë të shpallur për opinionin publik thuhet se nëse nuk respektohet kjo kërkesë PBDNj do të ikë nga koalicioni qeverisës me mazhorancën e djathtë.
Kryetari Omonias Jani Jani thotë se Rezolutën do t’ja dërgojnë kryeministrit të Shqipërisë, vendeve të Bashkimit Europian dhe organizmave ndërkombëtarë.
Organizata e minoritetit grek në Shqipëri Omonia i është rikthyer kërkesës së hershme të saj duke i kërkuar qeverisë shqiptare të fillojë procesin e regjistrimit të minoritarëve sipas parimit të vetëdeklarimit. Kryesia e organizatës Omonia, e mbledhur në Sarandë sipas kryetarit të saj konstaton, se "në Shqipëri ka faktorë institucionalë që bëjnë përpjekje për të minimizuar të drejtat e minoriteteve e kryesisht të minoritetit grek".
Kryesia e Omonias miratoi edhe një rezolutë të shpallur për opinionin publik ku thuhet se nëse nuk respektohet kërkesa e saj për regjistrimin sipas parimit të vetëdeklarimit, PBDNj do të ikë nga koalicioni qeverisës me mazhorancën e djathtë. Në deklaratë thuhet se pas kërkesave të kësaj organizate, Bashkimi Europian disa herë ka përmendur në mënyrë taksative problemin e rregjistrimit të minoriteteve, për të saktësuar gjendjen demografike në shqipëri dhe politikat përkatëse për probleme të zhvillimit.
Jani Jani thotë se Rezolutën e kryesisë së Omonias do t’ja dërgojnë kryeministrit të Shqipërisë, vendeve të Bashkimit Europian dhe organizmave ndërkombëtarë. Nëse kjo rezolutë nuk merret parasysh përmbyll Jani Jani, Omonia do të përshkallëzojë veprimet e saj për realizimin e kërkesave të shtruara.