1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqipëri: Aksion për shkatërrimin e bimëve narkotike

Odise Kote10 Gusht 2007

Policia shqiptare ka organizuar një superoperacion në rajonin e bregdetit jugor Vlorë-Sarandë për të shkatërruar rrënjët e bimëve narkotike cannabis–sativa.

https://p.dw.com/p/BSrZ
MarihuanaFotografi: Fotofinder

Me pjesëmarrjen e komisariateve të rretheve jugore të Vlorës, Fierit, Sarandës, Delvinës e Gjirokastrës, vetëm gjatë dy ditëve janë asgjësuar rreth 15.000 mijë rrënjë të bimëve narkotike. Sipas policisë gjatë ditëve të muajit gusht në këtë rajon janë shkatërruar rreth 133 mijë rrënjë të bimëve narkotike. Këto operacione sipas policisë janë pjesë e strategjisë kombëtare të qeverisë shqiptare për të luftuar fenomenin e drogës në Shqipëri.

Rajoni jugor i Shqipërisë vazhdon të mbetet një nga prodhuesit kryesorë të bimëve narkotike cannabis-sativa. Bimët narkotike janë mbjellë kudo në krejt zonat rurale e ato të pjesës malore mbi vijën bregdetare Vlorë –Sarandë. Kësisoj ky rajon po luan edhe rolin kryesor të furnizimit me bimë narkotike të llojit mariuanë në tregjet e brendshme dhe të vendeve fqinje, kryesisht Itali e Greqi. Për të ulur nivelin e këtij trafiku dhe të kësaj industrie, policia shqiptare ka organizuar një superoperacion në rajonin e bregdetit jugor Vlorë-Sarandë për të shkatërruar rrënjët e bimëve narkotike cannabis –sativa. Ky operacion është organizuar me forca të shumta policore, me pjesëmarrjen e efektivave të komisariateve të rretheve jugore të Vlorës, Fierit, Sarandës, Delvinës e Gjirokastrës. Vetëm gjatë dy ditëve janë asgjësuar rreth 15.000 mijë rrënjë të bimëve narkotike, në zonën e quajtur Lumi i Vlorës si dhe zona të tjera periferike. Policia në këto operacione është mbështetur në informacionet e fotografimeve ajrore, në të dhënat e zyrave të antidrogës si dhe shërbimet e specializuara. Sipas policisë gjatë ditëve të muajit gusht në këtë rajon janë shkatëruar rreth 133 mijë rrënjë të bimëve narkotike. Por operacionet anticanabis duket se kërkojnë diçka më tepër, kërkojnë edhe mbështetjen e drejtuesve vendorë në këto zona të identifikuara si dhe mbështetjen e komunitetit. Për këtë qëllim policia ka nisur edhe një fushatë sensibilizuese e thirrjeje për të siguruar mbështetjen e komunitetit dhe opinionit publik.

Policia po shfrytëzon për ndërgjegjësimin e komunitetit, gazetat rajonale dhe fletëpalosjet e policisë, mediat locale, thirjet publike në media etj, ku i bëhet thirrje komunitetit, të rinjve të bëhen pjesë e fushatës anticanabis. I gjithë ky aktivtet sipas policisë është pjesë e strategjisë kombëtare të qeverisë shqiptare për të luftuar fenomenin e drogës në Shqipëri.