1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shqetësim e debat mbi islamizmin pas sulmit në Mannheim

3 Qershor 2024

Sulmi vdekjeprurës me thikë ndaj një efektivi policie në Mannheim ka shkaktuar tmerr në Gjermani. Thirrjet për veprime më të ashpra kundër islamistëve po bëhen gjithnjë e më të forta.

https://p.dw.com/p/4gaig
Deutschland, Mannheim | Polizeieinsatz auf dem Marktplatz
Fotografi: Rene Priebe/dpa/picture alliance

Pas sulmit vdekjeprurësme thikë ndaj një efektivi policie në Mannheim, në të gjithë Gjermaninë njerëzit janë të tronditur dhe në zi. Në kujtim të të vrarit, automjetet e shërbimit të Policisë Federale mbajnë flamuj zie, siç njofton Ministria Federale e Brendshme.

Ministria e Brendshme e Baden-Württemberg ka urdhëruar gjithashtu vendosjen e flamujve të zisë në të gjitha makinat e patrullës së policisë së shtetit. Flamujt në anijet e policisë detare dhe në ndërtesat e policisë dhe Ministrisë së Brendshme valëviten në gjysmështizë.

Të premten, një javë pas sulmit, do të mbahet një minutë heshtje në kujtim të policit të ri. Është planifikuar edhe një meshë në kujtim të të ndjerit. Ministri i Brendshëm i landit Baden-Württemberg Thomas Strobl deklaroi: "Jemi të trishtuar, të trishtuar, të trishtuar". Në mbrëmje është planifikuar një manifestim në Mannheim.

Thomas Strobl
Fotografi: Kirill Kudryavtsev/AFP/Getty Images

Kancelari Scholz "thellësisht i tronditur"

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka shprehur emocionin e tij të thellë në Platformën X. Ai është tronditur thellë nga lajmi për vdekjen e 29-vjeçarit. "Angazhimi i tij për sigurinë e të gjithëve ne meriton njohjen më të lartë”. Polici i vrarë kishte mbrojtur të drejtën e të gjithëve për të shprehur mendimin e tyre. "Nëse ekstremistët duan t'i kufizojnë me dhunë këto të drejta, ata duhet ta dinë: ne jemi kundërshtarët e tyre më të ashpër. Ne do të veprojmë me të gjitha mjetet e shtetit tonë të së drejtës", tha kancelari gjerman.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier u shpreh gjithashtu i tronditur. "Kjo nuk mund të lejohet të vazhdojë. Dhuna rrezikon, atë që e ka bërë demokracinë tonë të fortë."

Sulmuesi ende jo në gjendje të merret në pyetje

Të premten, një 25-vjeçar sulmoi disa persona me thikë në tregun e Mannheim-it, duke plagosur gjashtë prej tyre, disa prej tyre rëndë. Sulmuesi e goditi policin në kokë dhe ai ndërroi jetë të dielën si pasojë e plagëve të marra.

Sulmi me thikë ndodhi në një stendë të organizuar nga lëvizja qytetare Pax Europa. Anëtari i saj Michael Stürzenberger, një aktivist kritik ndaj fesë islame, gjithashtu u plagos rëndë dhe iu nënshtrua një operacioni në spital.

Sulmuesin e ndalua një tjetër polic me një të shtënë. Sipas policisë, burri ka lindur në Afganistan dhe jetonte në Gjermani që nga viti 2014. Ai është i martuar, ka dy fëmijë dhe jeton me familjen e tij në Heppenheim, Hessen.

Departamenti i mbrojtjes së shtetit i prokurorisë publike të Karlsruhes, përgjegjës për krimet politike, nisi hetimin pas sulmit. Megjithatë, motivi i sulmuesit 25-vjeçar mbetet i paqartë. Sipas prokurorisë, burri nuk ka qenë ende në gjendje për t'u marrë në pyetje, për arsye shëndetësore.

Përveç deklaratave për motivin e vetë autorit për krimin, hetuesit shpresojnë të marrin më shumë informacion duke analizuar materialin e sekuestruar gjatë kontrollit në banesën e tij.

Mannheim
Fotografi: Thomas Frey/dpa/picture alliance

Planifikohet debat për dhunën ndaj punonjësve të policisë

Sulmi e zhvendosi islamizmin dhe dhunën ndaj policëve sërish në qendër të debatit. "Ky akt i tmerrshëm na kujton me dhimbje të gjithëve rrezikun shpesh të pallogaritshëm ndaj të cilit ekspozohen çdo ditë efektivët e policisë”, tha kryeministri i landit Baden-Württemberg, Winfried Kretschmann.

Sipas Rheinische Post, me kërkesë të grupit parlamentar CDU/CSU, Bundestagu do të debatojë për krimin dhe dhunën ndaj policëve. Kreu i sindikatës së policisë (GdP), Jochen Kopelke i tha gazetës: "Momenti aktual është më i rëndësishëm se kurrë. Bundestagu gjerman duhet të debatojë bashkërisht për çështjen e dhunës ndaj policëve dhe dhunës me thikë". Kjo duhet të pasohet nga "vendosmëria në zbatimin e dëbimit të kriminelëve dhe mbështetje për punonjësit e policisë".

Dirk Wiese, nënkryetari i grupit parlamentar të SPD, bëri thirrje në gazetë për një "zgjerim të zonave të ndalimit të thikave" në bashki. Kjo mund të "forcojë policinë në nivel lokal dhe të ketë një efekt parandalues", edhe nëse në këtë mënyrë nuk mund të shmanget çdo akt, "veçanërisht në rastin e shkelësve të vetmuar radikalizuar ose spontanë".

Kërkohet veprim me ashpërsi kundër islamizmit

Ministrja e Brendshme e Gjermanisë. Nancy Faeser deklaroi se autori duhet të dënohet "me ashpërsinë maksimale të ligjit". "Nëse vërtetohet një motiv islamik, kjo tregon se sa fort duhet të vazhdojmë të luftojmë terrorin islamik”, tha Faeser.

Në programin televiziv ARD Caren Miosga, Presidentja federale e Partisë së Gjelbër, Ricarda Lang, e përshkroi islamizmin si "armik të një shoqërie të lirë". "Dhe pikërisht kështu duhet trajtuar dhe luftuar, për sa i përket politikës së sigurisë dhe shoqërisë në tërësi. Nuk duhet të ketë justifikime." Liderja e të Gjelbërve pranoi se partia e saj "ndoshta i ishte shmangur debatit" në të kaluarën "sepse ata mendonin se ne do të përfundonim duke ndihmuar populistët e krahut të djathtë".

Ish-kryeministri i Landit të Rinit Verior- Vestfalisë, Armin Laschet, gjithashtu bëri thirrje për veprime më të ashpra kundër islamizmit: "Shumë forma të ekstremizmit ne shpesh i kemi kuptuar shumë vonë," tha ai. "Ne nuk duhet të bëjmë të njëjtin gabim tani duke nënvlerësuar islamizmin."

Linnemann në favor të dëbimit të kriminelëve

Sekretari i Përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann foli në televizionin RTL dhe Ntw për një akt ndoshta islamik dhe bëri thirrje për dëbimin e vazhdueshëm të kriminelëve që kanë mbërritur në Gjermani si refugjatë. Kjo duhet të zbatohet edhe për Afganistanin, tha ai.

"Imigrimi nga Afganistani duhet të ndalet dhe riatdhesimet në atë vend duhet të nisin”, deklaruan kryetarët e AfD-së Tino Chrupalla dhe Alice Weidel. "Për ta bërë të mundur këtë përpjekje, qeveria gjermane duhet më në fund të angazhohet në dialogun diplomatik me qeverinë afgane”. Deportimet në Afganistan janë pezulluar që kur talebanët radikalë islamikë erdhën në pushtet në vitin 2021.

(tagesschau)