1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

290908 Bankenkrise 2 Europa

Hagedorn, Anke (DW Brüssel) 30 Shtator 2008

Kriza e tregjeve financiare po përhapet: të hënën në Evropë një sërë bankash u shitën, u shtetëtzuan pjesërisht ose u mbështetën me shuma miliardëshe.

https://p.dw.com/p/FRYH
Krizë financiare në Belgjikë, Fortis Bank do të shtetëzohet pjesërishtFotografi: AP

Institucionet financiare në Gjermani, Britani të Madhe, vendet e Beneluksit, Danimarkë dhe Islandë janë prekur nga pasojat e krizës ndërkombëtare financiare.


"Unë e di se shteti do të vërë në dispozicion miliarda por jam megjithatë mjaft e shqetësuar", shprehet një kliente.


Kështu si kjo grua janë të shqetësuar për kursimet e tyre shumë klientë të bankës belgo-hollandeze Fortis. Gjatë javës së kaluar aksionet e bankës Fortis shënuan vlerën më të ulët prej 15 vjetësh. Koncerni financiar do të shpëtohet tani nga falimentimi me para të buxhetit në shumë prej 11,2 miliardë eurosh. Qeveritë e Belgjikës, Hollandës dhe Luksemburgut vendosën të djelën në mbrëmje në një takim emergjence të blenin secila pjesë të kapitalit të bankës Fortis. Ministri hollandez i financave Wouter Bos e argumentoi këtë hap me rëndësinë për Evropën të Fortisit.


"Shumë klientë privatë dhe firma janë të varur nga banka Fortis. Kësaj i shtohet edhe fakti që Fortis ka një firmë bijë e cila vepron jo vetëm në Hollandë por në të gjithë Evropën në kuadër të sistemit ndëreuropian të pagesave. Nëse kjo pjesë e Fortis falimenton atëherë i gjithë sistemi i pagesave në Evropë është në rrezik."


Ndërhyrjet shtetërore në treg shihen me sy shumë kritik nga komisioni i BE-së. Duke iu referuar rastit të Fortisit zëdhënësi i komisares së BE-së për konkurrencën Neeli Kroes, theksoi se shtetëzimi i pjesshëm i bankës është kryer pas një konsultimi të ngushtë me Preisdentin e Bankës Qëndrore Evropiane, Jean Claude Trichet dhe me Komisionin:


"Në parim nuk bëhet fjalë për ndihma shtetërore kur paguhet vlera e tregut. Nëse nuk paguhet vlera e tregut atëherë mund të flisnim për ndihmë nga shteti. Kjo duhet shqyrtuar rast për rast. Shpesh megjithatë ka në raste të tilla edhe masa të tjera ndihme dhe ato mund të shihen si subvencione shtetërore."


Në këto raste Komisioni i BE-së ka të drejtë të ndërhyjë. Edhe në vende të tjera europiane gjithnjë e më shumë banka po bien në vorbullën e krizës së tregjeve financiare amerikane dhe po detyrojnë qeveritë të ndërhyjnë. Qeveria gjermane me një garanci prej më shumë se 26 miliardë eurpsh ndihmon shpëtimin e institutit të hipotekave nga Mynihu "Hypo Real Estate". Por nuk është planifikuar megjithatë shtetëzimi i bankave. Qeveria britanike ka vendosur të shtetëzojë bankën e hipotekave Bradford&Bingley e cila gjendet në prag të falimentimit. Ministria e financave konfirmoi marrjen e kredive të këqija të këtij instituti në shumë prej rreth 63 miliardë eurosh. Me blerjen e Bradford&Bingley synohet të ruhet stabiliteti financiar i vendit, u shpreh ministri britanik i financave Alistair Darling.


Qeveria e Islandës ka marrë nën kontroll bankën në prag të falimentimit "Glitnir Bank". Qeveria islandeze bëri të ditur se kishte blerë për 600 milionë euro 75 për qind të bankës së tretë më të madhe në vend. Guvernatori i bankës qëndrore islandeze David Oddson tha se banka Glitnir, aktive në 10 vende, do të kishte falimentuar nëse shteti nuk do t'i kishte ardhur në ndihmë.