1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpresa për rigjallërim të dialogut pozitë-opozitë në Maqedoni

Fatos Musliu5 Mars 2007

Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski optimist për zhbllokimin e situatës politike në vend dhe fillimin e dialogut politik. Kjo nënkupton kthimin e partive opozitare shqiptare në punimet e parlamentit maqedonas

https://p.dw.com/p/ArXy

Përfaqësues të partive politike të koalicionit qeveritar në Maqedoni në takimin e fundit kanë harmonizuar qëndrimet për vazhdimin e dialogut midis pozitës dhe opozitës. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, nënkryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi dhe kryetari i socialdemokratëve të ri,Tito Petkovski i kanë dhënë mbështetje të plotë idesë për vazhdimin e dialogut politik.

Ideja konkrete: realizimi i takimit të shumë pritur midis kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti. Nga ky i fundit kusht për zhvillimin e dialogut ka qënë prania e përfaqësuesve ndërkombëtarë në bisedime.

“Ne edhe më tej vlerësojmë se ndërkombëtarët nuk duhet të marrin pjesë në dialogun politik që zhvillohet midis pozitës dhe opozitës. Mirëpo nëse opozita këmbëngul për praninë ndërkombëtare atëherë ne jemi të gatshëm që ta plotësojmë këtë dëshirë opozitës”- ka deklaruar kryeministri Nikolla Gruevski.

Në partinë më të madhe maqedonase në qeveri, VMRO-DPMNE është shprehur gatishmëria për të përpiluar një listë me ligjet që do të miratoheshin me shumicën e Badineterit.Gjithashtu, nga Komiteti ekzekutiv i kësaj partie është dhënë sinjal pozitiv edhe për rregullimin e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Ky kompromis mbështetet në Marrëveshjen e Ohrit në të cilën thuhet se për qytetarët që kanë pësuar në konfliktin e vitit 2001 duhet të gjendet një model për evitimin e dëmeve të pësuara. Liderët e partive të koalicionit qeveritar kanë autorizuar kryeministrin Gruevski edhe për revidimin e mundëshëm të Komitetit për marëdhënie ndëretnike.

Nga kërkesat e opozitës shqiptare për vazhdimin e dialogut politik është refuzuar kategorikisht ideja për formimin e qeverisë me shumicë të Badenterit. Sipas kryeministrit Nikolla Gruevski, nëse kjo çështje vihet në tryezën e bisedimeve atëherë qeveria do ta shkelte Kushtetutën. Kjo kërkesë e BDI-së drejtpërsëdrejti kërkon ndryshimin e Kushtetutës, thotë Gruevski.

Ai ka paralajmëruar se gjatë ditëve në vijim do të realizojë takimin e shumë pritur me kryetarin e BDI-së. Ali Ahmeti. Pas prezantimit të gatishmërisë së qeverisë për kompromise ndaj BDI-së për çështjen e ligjeve që duhet të miratohen me shumicën e Badenterit, rregullimin e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ndryshimin e Komisionit për marrëdhënie ndëretnike dhe përdorimin e gjuhës shqipe, kryeministri Gruevski shpreson se do të zhbllokohet dialogu politik midis pozitës dhe opozitës, që nënkupton edhe kthimin e partive opozitare shqiptare në punimet e Parlamentit.

Zëdhënësja e BDI-së, Ermira Mehmeti, konfirmon për DW-në se BDI ka pranuar propozimet e kryeministrit Gruevski për vazhdimin e dialogut politik. Gjithnjë sipas Mehmetit për këto propozime duhet të vendosë kryesia qëndrore e BDI-së. Në reagimet e para të ndërkombëtarëve në Maqedoni vërehet një optimizëm i theksuar për vazhdimin e dialogut midis pozitës dhe opozitës, i cili është ndërprerë para katër muajsh.