1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shpëtim nga Holokausti

27 Janar 2010

Edhe Shqipëria përkujtoi më 27 janar “Diten e Kujtesës” në nderim të viktimave të panumërta të nazistëve gjatë Luftës së II Boterore dhe Holokaustit. 120 familje shqiptare u shpëtuan gjatë luftës jetën 350 hebrenjve.

https://p.dw.com/p/LiB6
Muzafer Kazazi duke treguar fotografitë në oborrin e shtëpisë së tij kur ishte 10 vjeç, pranë fëmijëve të David Solomonit
Muzafer Kazazi duke treguar fotografitë në oborrin e shtëpisë së tij kur ishte 10 vjeç, pranë fëmijëve të David SolomonitFotografi: Ani Ruci

Krahas viktimave të Holokaustit Shqipëria nderon edhe dhjetra familje shqiptare që strehuan dhe mbrojtën qindra hebrenj që trokitën në dyert e tyre për të shpëtuar jetën. Njëra prej tyre është edhe familja Kazazi në Tiranë, që strehoi familjen e hebreut Daniel Solomoni. Si arritën Kazazët t’i shpëtojnë Solomonët dhe pse e bënë këtë?

Shtëpia dykatëshe e Kazazëve në rrugën "Ali Demi" tani nuk është më. As furra e pjekjes që mbante me bukë familjen. Në vend të tyre ngrihet një godinë gjashtëkatëshe me tulla silikate, e ndërtuar në vitet e regjimit komunist. Por jeton historia, që ajo shtëpi shkroi duke strehuar dhe mbrojtur jetën e familjes së hebreut David Solomon.

Myzafer Kazazi, tani është një burrë 77 vjeç, ishte 10 vjeç kur në pranverën e vitit 1943, hebreu David Solomon trokiti në deren e shtëpisë së tij, bashkë me gruan dhe dy fëmijët.

Atij i kujtohet fare mirë çfarë bëri i jati, furxhiu Bedri Kazazi, dhe sesi familja hebreje u bë pjese e familjes së madhe tiranase.

“Familja hebreje prej katër personash, gruaja Esteri, burri Davidi, vajza Matilda dhe djali Solomoni u strehuan në familjen tonë. Babai u dha atyre një dhomë në katin e dytë. Jetonim shumë vetë në shtëpi, kishte nga të gjithë brezat: fëmijë, adoleshentë, të rritur, të moshuar. Ishim më shumë se 20 vetë. Edhe familja Solomon u bë pjesë e pandarë e familjes sonë. Ne fëmijët luanim bashkë në oborrin e shtëpisë”

Për të shmangur rrezikun e zbulimit të katër hebrenjve nga nazistët Kazazët e thjeshtë por të mençur morën masat e tyre. U ndërruan emrat: “Davidin, kryefamiljarin e thërrisnim Daut, të shoqen, Esterin, e thërrisnim Fatime, Matildën e vogël, Hatixhe, kurse djalit nga Solomon ia vumë emrin Memo,'' - kujton Myzafer Kazazi.

Me emra myslimanë dhe veshjet tiranase dukej sikur frika për jetën e familjes hebreje Solomon dhe ajo e Kazazëve, shpëtimtarëve të tyre, ishte fashitur. Por rreziku, në Tiranën e pushtuar nga nazistët ishte atje, pas porte.

“Janë bërë raprezalje në lagjen tonë. Një herë na thanë se do të digjej gjithë lagja, sepse ishte vrarë një gjerman këtej nga Linza dhe donin të digjnin për hakmarrje lagjen tonë që ishte më afër Linzës. Por momenti më kritik ka qenë një ditë shtetrrethimi, ndofta në mars të 1944-ës. Nuk duhej të dilte njeri nga pragu i derës, sepse do të bëhej kontroll se mos strehonim ndonjë hebre. Erdhën nazistët, ushtarakë dhe u futën brenda në shtëpi. Por babai im kishte marrë masa. Davidin dhe djalin e tij Solomon i kishte dërguar tek një shtëpi tjetër, me të cilën komunikonim përmes një dere të vogël të oborrit. Kurse gruan, Esterin e kishte maskuar në një dhomë në katin e parë si të sëmurë rëndë me grip dhe me temperaturë të lartë. Nazistët kontrolluan gjithë shtëpinë dhe furrën e pjekjes. Kur kujtuam se po iknin njëri prej tyre u fut në dhomën e katit të parë dhe pyeti për Esterin, se cila ishte. Babai iu përgji se ishte një plakë pa njeri, e sëmurë rëndë. Nazisti e besoi, mbyli derën dhe u largua. Atëhere ne morëm frymë dhe sikur na iku ankthi i madh. Pas një ore e gjysmë erdhi Davidi më fëmijët, asgjë nuk ndodhi. Ata ishin shumë të sigurtë në shtëpinë tonë.” - tregon Myzaferi

Familja hebreje e David Solomonit u largua pas mbarimi të luftës në Izrael. Shpëtimtari i tyre, Bedri Kazazi, nuk jetoi të merrte "Medaljen e Mirënjohjes" si fisnik jo hebre që i akordoi atij Izraeli. Medaljen e mori i biri, Myzafer Kazazi, profesor doktor në fushën e hidrologjisë. Kur ishte fëmijë ai i gëzohej shoqërisë së re me miqtë hebrenj, Matildën dhe Solomonin. Dhe nuk e dinte pse i jati vinte për ta në rrezik familjen e tij.

Tani e di pse Kazazët i dhanë shpresën e jetës familjes së David Solomon-it: "Është tradita e shqiptarit. Kur i vjen tjetri në shtëpi ka detyrim të madh, njëlloj si për fëmijën e vet”

Në librin "Shpëtimi në Shqipëri” të autorit hebre Harvey Sarner kushtuar 120 familjeve shqiptare që u shpëtuan gjatë Luftës Botërore së II Botërore jetën 350 hebrenjve, është edhe familja e Myzafer Kazazit.

Autor: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani