Akt qyqar dhe kriminal
29 Gusht 2016“Shpërthimi ka qenë i fuqishëm, që ka tronditur tërë lagjen. Mjeti shpërthyes është hedhur prapa shtëpisë sime. Në shtëpi kemi qenë e gjithë familja. Fatmirësisht nga ky shpërthim askush nuk është lënduar”, tha Metor Shala, drejtori i përgjithshëm i mediumit publik, RTK, pas shpërthimit të fuqishëm mesnatën e shkuar prapa shtëpisë së tij.
Policia po zhvillon hetimet dhe deri tash nuk ka dhënë hollësi për autorët apo motivet e mundshme të këtij shpërthimi.
Akt qyqar dhe kriminal
Qeveria e Kosovës dënoi ashpër sulmin me mjet shpërthyes në oborrin e shtëpisë së drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, duke e quajtur akt qyqar dhe kriminal. "Ky akt kriminal është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medieve në Kosovë dhe përpjekje për pengimin e fjalës së lirë, si një prej vlerave më të rëndësishme në shoqërinë kosovare", thuhet në reagimin e qeverisë.
Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, sulmin me mjet shpërthyes në oborrin e shtëpisë së drejtorit të Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala, e cilëson akt kriminal.
"AGK kërkon nga institucionet, përkatësisht Policia e Kosovës dhe Prokuroria që të hetojnë këtë rast, i cili është vazhdimësi e sulmeve ndaj gazetarëve dhe medieve. Sulmet kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve në Kosovë, posaçërisht atyre që punojnë në televizionin publik", thuhet në reagimin e AGK-së.