1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup:Zbuten masat për COVID-19 pas dy muaj e gjysmë izolim

27 Maj 2020

Në Maqedoninë e Veriut nga dita e mërkurë (27.05.2020) është hequr ora policore e vendosur dy muaj më parë me qëllim të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

https://p.dw.com/p/3cqxH
Nord-Mazedonien Skopje Coronavirus
Fotografi: DW/P. Stojanovski

Qeveria në Shkup vendosi shfuqizimin e ndalim-qarkullimit, hapjen e kafeneve dhe restoranteve me faza duke filluar nga 28 maji. Por, për të gjitha këto masa lehtësuese vijojnë protokollet përkatëse. Vendimi i qeverisë u soll me propozim të Komisionit për Sëmundje Infektive. Sektorit të gastronomisë i kërkohet që të garantojnë ruajtjen e distancës fizike, të përgjysmojnë kapacitetet e objekteve dhe po ashtu u është kërkuar që lokalet të mundohen t'u shërbejnë klientëve në mjedise të hapura.

Kryeministri i qeverisë teknike Oliver Spasovski lehtësimin e masave e argumentoi me faktin, se situata me koronavirusin është nën kontroll, pasi numri i rasteve të të infektuarve aktivë është i qendrueshëm dhe se sistemi shëndetësor me sukses mund të përballojë sfidat që sjell koronavirusi.

"Ne do të sjellim vendim, me tëilin do të lirohen të gjitha masat shtrënguese, por e gjithë kjo do të shkojë bashkërisht me respektimin e përpiktë të masave nga ana e qytetarëve, ne nuk mundemi nga njëra anë t'i zbusim masat, ndërsa nga ana tjetër përmes mosrespektimit të këtyre masave ta rrisim rrezikun. Sidoqoftë për rrezikun duhet patjetër që çdo qytetar të jetë i vetëdijshëm”, u shpreh kryeministri Oliver Spasovski.

Sipas kryeministrit rreziku nga koronavirusi nuk është shmangur, ndaj ai ka porositur qytetarët që të jenë të kujdesshëm, veçanërisht në këtë kohë kur janë lehtësuar masat.

"Virusi është këtu dhe do të jetë i pranishëm derisa të fitohet imuniteti ose të gjendet një vaksinë. Është e rëndësishme që qytetarët të zbatojnë masat për mbrojtjen personale dhe distancat. Le të jetojmë me koronavirusin, por në mënyrë që do të mbrojmë shëndetin e të gjithëve përreth nesh", tha Spasovksi.

Osmani: Fjala përfundimtare është ajo e autoriteteve shëndetësore

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani thotë, se qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masave duke u bazuar në fakte shkencore. "Jemi munduar që të tregojmë se asnjë vendim nuk e kemi ndërmarrë për shkak të ndonjë vullneti politik ose individual të ndokujt. Por, të gjitha vendimet janë marrë në bazë të fakteve shkencore, të cilat i ka propozuar Komisioni për Sëmundjet Infektive”, thotë Osmani

Cana: Respektimi i rekomandimeve është i domosdoshëm

Infektologu Fadil Cana thotë, se qytetarët duhet të mësohen që gjatë periudhës së ardhshme të bashkëjetojnë me koronavirusin, pasi ai bëhet pjesë e jona, pjesë e përditshmërisë sonë.

"Lëvizja e lirë e qytetarëve duhet të bëhet me respektimin maksimal të rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore. Problemi nuk qëndron në izolimin e përgjithshëm të shtetit. Problemi qëndron në atë se sa respektohen rekomandimet e autoriteteve dhe sa shteti përkujdeset që ato të respektohen”, thotë infektologu Cana.

Në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut nga COVID-19 kanë ndërruar jetë tre persona, janë regjistruar 16 raste të reja pozitive, ndërsa janë shëruar 14 pacientë, bën të ditur Ministria e Shëndetësisë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në vend ka arritur në 2039 persona ndërsa kanë vdekur 119 pacientë.


 

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut