1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shkup: Partia për Prosperitet Demokratik rikthehet në Parlament

Fatos Musliu22 Maj 2007

Partia opozitare shqiptare PPD u rikthye në punimet e Parlamentit pas bojkotimit 6 mujor. Kryesia qëndrore e PPD-se ka vendosur që të marrë pjesë në qeverinë e koalicionit

https://p.dw.com/p/ArVJ
Salla e parlamentit, Shkup
Salla e parlamentit, ShkupFotografi: picture-alliance/ dpa

Partia opozitare shqiptare Partia për prosperitet demokratik, pas shkëputjes nga koalicioni opozitar me Bashkimin demokratik për integrim, unanimisht ka vendosur që t'i bashkangjitet koalicionit qeveritar. Kryetari i PPD-së. Abdylahadi Vejseli dhe kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski kanë arritur marrëveshje edhe për ndarjen e posteve në tre eshallonet e ekzekutivit për PPD-në.

“Vendimi për të hyrë në Qeveri ka qenë unanim.PPD-së në qeverin Gruevski do t'i takojë posti i ministrit të pushtetit lokal, sekretari shtetëror në ministrin e punëve te brendëshme, një ambasador dhe disa poste udhëheqëse në ndërmarjet publike “- ka deklaruar zëdhënësi i PPD-së, Arjanit Hoxha.

Pas bojkotimit disa muajsh të punimeve të Parlamentit, Partia për prosperitet demokratik është rikthyer në seancat e Parlamentit.Sipas kryetarit, Abdylhadi Vejseli, vendimtare për marrjen e qëndimit për kthim në Parlament ka qënë e ardhmja e Maqedonisë drejt proceseve eurointegruese. Anëtarësimi në NATO dhe BE është piksynim i të gjitha subjekteve politike. Në këtë fazë të procesit është e palogjikshme që një parti të jetë jashtë Parlamentit. Gjithnjë sipas tij, stabiliteti i institucioneve të Maqedonisë në mënyrë të drejtpërdrejtë reflektohet edhe në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.

PPD-ja do ti vë në funskionim edhe mekanizmat partiak për dy deputetet e saj Safet Neziri dhe Blerim Bexheti të cilët ende përkrahin koalicionin opozitar me BDI-në dhe nuk janë kthyer në punimet e Parlamentit.

“Do të përdoren të gjitha mekanizmat e partisë për ti diciplinuar të padëgjueshmit.Cdo vendim fuqiplot i partisë duhet të respektohet nga deputetët, kjo vlenë edhe për dy deputetët e lartëpërmendur “ – thotë zëdhënësi Arjanit Hoxha.

Edhe pse PPD-ja bashkërenditet me partitë e pozitës, kryeministri Nikolla Gruevski nuk ka siguruar shumicën e duhur parlamentare për votimin e ligjeve sipas parimit të Badenterit. Mosrespektimi i këtij parimi ka qënë njëri prej shkaqeve që partia më e madhe opozitare shqiptare, BDI, tani më disa muaj po bojkoton punimet e Parlamentit.