1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ministrja gjermane Lührmann në Shkup

17 Janar 2022

Kryeministri i sapozgjedhur i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski takimin e parë zyrtar e ka zhvilluar me ministren gjermane për Evropën, Anna Lührmann.

https://p.dw.com/p/45e8b
Nordmazedonien | Treffen Anna Lührmann und Dimitar Kovacevski
Fotografi: Reg. Nordmazedonien

Vizita e Lührmann-it, në ditën e parë të punës së qeverisë së sapoformuar, ka vlerë të jashtëzakonshme, sepse paraqet edhe afirmim të mbështetjes gjermane për europerspektivën e Maqedonisë së Veriut dhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, ka theksuar kryeministri Kovaçevski.

Kovaçevski shprehu falënderim që qeveria e sapozgjedhur e Gjermanisë e udhëhequr nga kancelari Olaf Sholc, zgjerimin e BE me Ballkanin Perëndimor e vendosi lart në programin e koalicionit e veçanërisht që ka theksuar nevojën për të hapur pa vonesë kapitujt e para negociues me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si hap të ardhshëm i zgjerimit të BE-së ndaj rajonit.

"Maqedonia e Veriut, si vend kandidat i BE-së është integruar seriozisht në politikat kryesore të Brukselit, veçanërisht në Agjendën e gjelbër, e cila ishte nga prioritetet kryesore të Procesit të Berlinit.”

Në takim u diskutua për bashkëpunimin ekonomik me Gjermaninë, shtet nga i cili vijnë investimet më të mëdha. Në të ardhmen vëmendje e veçantë do t'u kushtohet projekteve të burimeve të energjisë së ripërtëritshme.

Vizita e Petkovit - hap drejt gjetjes së një zgjidhjeje

Kovaçevski theksoi se vizitën e nesërme të kryeministrit të Bullgarisë, Kiril Petkov e sheh si një hap drejt gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme reciproke me Sofjen, për të zhbllokuar në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore  procedurën për nisjen e një konference ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE.

Anna Lührmann dhe Dimitar Kovacevski
Anna Lührmann dhe Dimitar KovacevskiFotografi: Reg. Nordmazedonien

Lührmann: Inkuadrimi i rajonit në BE - prioritet i Gjermanisë

Kryeministri Kovaçevski dhe ministrja Lührmann u pajtuan se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor është në interes politik, të sigurisë dhe interes ekonomik të BE, si investim gjeostrategjik për një Evropë stabile dhe me prosperitet.

"Gjermania është serioze për perspektivën e BE-së për të gjitha vendet e rajonit. BE qëndron më vete në raport me Maqedoninë e Veriut. Të gjitha parakushtet për fillimin e negociatave të ndërmjetme janë përmbushur. Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me BE duhet të fillojnë, dhe Gjermania ende po e kërkon në mënyrë aktive për këtë”, ka deklaruar ministrja gjermane Anna Lührmann.

Lührmanni thekson se çështjet dypalëshe duhet të zgjidhen në mënyrë dypalëshe, pavarësisht nga procesi në vazhdim me BE-në. Ajo shtoi se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria po punojnë aktivisht për zgjidhjen e bllokadës. 

"Maqedonia e Veriut vazhdon të ndjekë rrugën e reformave dhe sundimit të ligjit, që është edhe sinjal në drejtim të BE. Dëshiroj t'ju inkurajoj që të qëndroni në atë rrugë”, u shpreh Lührmann.

 

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut