1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW
PolitikëMaqedonia e Veriut

Shkup: Arrihet marrëveshja për qeverinë e re

18 Gusht 2020

Maqedonia e Veriut do të ketë së shpejti qeverinë e re. Partnerë të ardhshëm do të jenë socialdemokratët LSDM, integristët BDI dhe PDSH. Në 100 ditët e fundit qeveria do të ketë kryeministër shqiptar.

https://p.dw.com/p/3h9W2
Nord-Mazedonien Koalitionsverhandlungen
Fotografi: DW/P. Stojanovski

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti njoftuan se është arritur marrëveshje për formimin e shumicës parlamentare, formimin e qeverisë së re dhe ndarjen e ministrive. Marrëveshjen e arritur për koalicionin qeveritar duhet ta konfirmojnë organet më të larta të të dyja partive. Marrëveshja për qeverinë e ardhëshme do të prezantohet edhe para partive që janë pjesë e koalicionit "Mundemi” si dhe para PDSH-së si partner i ardhshëm qeveritar.

Nord-Mazedonien Koalitionsverhandlungen
Zaev duke zhvilluar bisedime për formimin e qeverisë së re me Ali Ahmetin, Ljupco Nikolovskin dhe Artan Grubin.Fotografi: DW/P. Stojanovski

"E saktësuam dhe konfirmuam kornizën për bashkëpunimin e ardhshëm mes LSDM-së, koalicionit "Mundemi" dhe BDI-së, është arritur marrëveshje koalicioni për krijimin e shumicës parlamentare, për ndarje të përgjegjësive, përbërjes dhe parimeve të qeverisë së re me mandat të plotë e cila në katër vitet e ardhshme do të punojë me përkushtim për interesat e qytetarëve dhe të shtetit”, ka thënë Zoran Zaev i cili do ta udhëheqë qeverinë në katër vitet e ardhshme.

Nord-Mazedonien Übergabe des Mandats zur Regierungsbildung
Zaev duke marrë mandatin për formimin e qeverisë së re Fotografi: DW/P. Stojanovski

Lideri i LSDM-së tha se veçanërisht e rëndësishme për ta ishte arritja e marrëveshjes së shpejtë për koalicion qeveritar për shkak të nevojës për vendosje të shpejtë në funksion të institucioneve kyçe në shtet, e me qëllim përballjen me sfidat shëndetësore dhe me të gjitha sfidat tjera në lidhje me Covid-19. Zaevi paraqiti një pjesë të parimeve të qeverisë së re, të cilën do të udhëheqë me mandat të plotë katërvjeçar.

"Lufta kundër koronavirusit do të jetë prioritet në punën e qeverisë, sikur edhe standardi ekonomik, rritja e pagave, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Jemi pajtuar për forcimin e sistemit të drejtësisë, hetimin e pasurisë së funksionarëve dhe të kaluarën e tyre”, ka deklaruar kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Në 100 ditët e fundit qeveria do të ketë kryeministër shqiptar

Sipas marrëveshjes qeveria do të drejtohet edhe nga një shqiptar në fund të mandatit, në 100 ditët e fundit para mbajtjes se zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

"Qeveria e Përzhinës më nuk do të funksionojë për shkak të problemeve në të kaluarën. Por kur vijnë zgjedhjet, të gjitha partitë duhet të ndjehen të barabarta, kështu që LSDM-ja do të pranojë që 100 ditë para zgjedhjeve, me propozim të BDI-së, të zgjidhet një kryeministër i ri”, është shpreh Zaev.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve se si BDI-ja do të arsyetojë heqjen dorë nga kërkesë për kryeministër shqiptar  me të cilën udhëhoqi fushatën zgjedhore.

Nord-Mazedonien Koalitionsverhandlungen
Zoran Zaev dhe Ali AhmetiFotografi: DW/P. Stojanovski

"Ky vendim që është marrë pritej nga të gjithë qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë për vazhdimin e proceseve integrues. Ne kemi dalë me kandidat (për kryeministër) si e drejt e jona legjitime dhe nëse do të barrikadohemi, asnjëherë nuk do të arrijmë zgjidhje për të mirën e qytetarëve. Mendoj se qëllimi është arritur që të përçojmë mesazhin te të gjithë qytetarët”,ka thënë Ahmeti.

Në zgjedhjet e 15 korrikut LSDM-ja e Zoran Zaevit ka fituar 46 deputet në kuvend, BDI-ja 15, opozita shqiptare 12, Levica 2 dhe PDSH-ja 1 deputet.

Fatos Musliu, me bluzë polo të kuqe në ambient zyre. Në sfond duket një monitor me faqen e DW shqip
Fatos Musliu korrespondent i DW nga Shkupi, Maqedonia e Veriut