1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Projekt i shkencëtarëve të rinj kundër ksenofobisë

6 Mars 2013

Përmes projektit „Science goes to School“ studentë ndërkombëtar të nivelit të doktoraturës vizitojnë shkollat në Dresden dhe bëjnë fushatë për shkencën dhe tolerancën.

https://p.dw.com/p/17rX2
Nxenes ne Strasburg
Fotografi: Frederick Florin/AFP/GettyImages

Në grupe pune ata zhvillojnë eksperimente në gjuhën angleze me nxënësit për t'u dhënë të rinjve në Lindje të Gjermanisë një model të bashkëpunimit të mirë multikulturor dhe të suksesit.

Zemra e një larve, tek i ashtuquajturi peshku zebër është e vogël. Madje shumë e vogël, këtë sapo e konstatoi Olivia. Nxënesja 16-vjeçare nga Dresdeni shikon përmes një mikroskopi venat, sytë, bishtin. „Kjo është mjaft cool“, vë ajo në dukje e entuziazmuar dhe i vizaton detajet në letër.

Shkencëtarë në gjimnazin Hans Erlwein në Dresden
Shkencëtarë në gjimnazin Hans Erlwein në DresdenFotografi: DW/R. Arnold

Avinash Chekuru i ndihmon asaj gjatë punës me mikroskop. Ai studion që nga viti 2008 në Dresden dhe aktualisht është duke mbrojtur disertacionin në Qendrën e hulumtimeve për Terapitë Rigjeneruese. Indiani 26 vjeçar është një nga anëtarët e grupit të tetë shkencëtarëve, të cilët këtë pasdite vizitojnë klasën e dhjetë të gjimnazit Hans-Erlwein. “Ne u tregojmë nxënësve në një mënyrë shumë të thjeshtë arsyen se përse punojmë me këto organizma”, shpjegon Chekuru. Ata e bëjnë këtë në mënyre që nxënësit ta kuptojnë dhe të motivohen, që ndoshta më vonë të futen edhe vetë në rrugën e studimeve dhe të shkencës.

Çdo muaj në një shkollë

21 klasave në njëmbëdhjetë shkolla të Drezdenit doktorantët u kanë zbuluar deri tani të fshehtat e shkencës. Por qëllimi i tyre nuk është vetëm që të zgjojnë tek nxënësit interesin për shkencë. Ata synojnë t'i sensibilizojnë nxënësit edhe për tolerancën. Ekipi ka përbërje ndërkombetare: serbë, indianë, grekë, italianë, gjermanë. Njëherë në muaj doktorantët shkojnë për një paradite në një shkollë të Drezdenit. Projekti i tyre „Science goes to School“ vazhdon qysh prej dy vjetësh dhe është një ide e përbashkët e Universitetit Teknik të Drezdenit dhe Institutit Max-Planck.

Shkencëtarë në gjimnazin Hans Erlwein në Dresden
Shkencëtarë në DresdenFotografi: DW/R. Arnold

Nxënësit i mirëpresin eksperimentet. Me entuziazëm ata marrin pjesë në to dhe bëjnë shumë pyetje. Gjithashtu atyre u intereson të dinë se si mund të funksionojë një bashkëpunim i tillë me kaq shumë njerëz nga kultura dhe kombe të ndryshme. Ata i pyesin doktorantët se përse ndodhen pikërisht në Dresden, si është gjendja e arsimit në vendet nga ata vijnë tyre dhe çfarë dallimesh kulturore ka midis këtyre vendeve.

Zhdukja e paragjykimeve

Gjatë bisedës me Avinash Chekuru-n, Olivia e kupton se pëfytyrimi i saj për Indinë nuk është fort i saktë. „Kam pasur paragjykime“, shpjegon ajo më pas, që „India është e varfër dhe se atje asgjë nuk funksionon.“ Por siç duket duket gjendja e arsimit atje nuk është dhe aq e keqe, sa e kisha menduar më parë, vëren nxënësja. Ajo thotë, se Avinash Chekuru i duket mjaft inteligjent. „Unë nuk jam e tillë“, pranon ajo. Në të vërtëtë, ajo deri tani nuk ka takuar shpesh indianë dhe as të huaj të tjerë, vë në dukje ajo.

Shkencëtarë në shkolla
Shkencëtarë në shkollaFotografi: DW/R. Arnold

Pjesë e ekipit është edhe shkencëtarja, Fanny Böhme. Dy gjëra janë të rëndësishme për të: që t'i motivojë nxënësit për shkencën dhe t'u tregojë atyre, që një sjellje me tolerancë ndaj njëri - tjetrit mund t'u hapë portat. „Ne mundohemi që t'u bëjmë të qartë nxënësve, se në shkencë është fare normale të punosh në një ambient ndërkombëtar dhe t'i tolerosh njerëzit me kultura dhe fe të ndryshme“, thotë Böhme. Prandaj shkenctarët janë një shembull i mirë për të gjithë shoqërinë.

Një vrasje që çoi tek ideja e projektit

Kur orës së mësimit i vjen fundi shkencëtarët e rinj u kanë dhënë përgjigje një sërë pyetjesh. Vetëm një pyetje mbeti pa përgjigje, se si ka lindur ideja e një projekti të tillë. Para katër vjetëve ka ndodhur vrasja e bashkëshortes së një doktoranti egjiptian në Dresden – vrasja kishte sfond urrejtjen ndaj fesë islame, siç pranoi më pas vrasësi. Rasti i vrasjes se Marwa El Sherbinit shkaktoi atëherë reagime të shumta në Dresden, duke nxitur kështu diskutime dhe demonstrata të shumta kundër ksenofobisë.

Kolegët e El Sherbinis, një ekip shkenctarësh të njohur ndërkombëtarë, menduan atëhere se ç'mund të ndërmerrnin ata personalisht kundër ksenofobisë. Kështu lindi ideja e „Science goes to School“. Një projekt i suksesshëm, që ndërkohë është vlerësuar edhe me shumë çmime.

Katrin Landgraf, mësuesja e biologjisë dhe kimisë së klasës së dhjetë, del e fundit nga klasa. Për të vizita e shkencëtarëve është “absolutisht një përfitim”. Kjo i bën nxënësit e saj pak më të zgjuar dhe më tepër tolerantë, thekson ajo. Ajo ka përjetuar shpesh se si këta të rinj, ditë pas vizitës së shkencëtarëve bisedojnë rreth përvojës së fituar prej tyre. “Shumë prej tyre befasohen që njerëz me kombësi të ndryshme sillen në mënyrë paqësore me njëri - tjetrin, punojnë dhe hulumtojnë së bashku”, thotë Landgrafi.

Autor: Ronny Arnold/ Valmira Dobraj

Redaktoi: Auron Dodi