1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Opozita siriane: E ardhmja e vendit do të vendoset me luftë

Hans Michael Ehl / Aida Cama20 Korrik 2012

Në Siri trupat qeveritare dhe kryengritësit kanë zhvilluar luftime të rënda. Pas dështimit të përsëritur të rezolutës, Këshilli i Sigurimit të OKB-së vazhdon këshillimet për zgjatjen e misionit të vëzhgimit.

https://p.dw.com/p/15cQm
Fotografi: Reuters

Sipas të dhënave të opozitës siriane më shumë se 300 vetë janë vrarë vetëm të enjten (19.07.2012) gjatë luftimeve dhe sulmeve të trupave qeveritare, mes tyre 100 janë ushtarë të qeverisë. Kjo ka qenë dita më e përgjakshme që prej fillimit të kryengritjes kundër presidentit Baschar al-Assad në mars të vitit 2011. Edhe të premten (20.07.2012) njoftohen nga i gjithë vendi për luftime. Në kryeqytet, në Damask ushtarët përpiqen të marrin lagjet që mbahen nga kryengritësit. Opozitari Jacob Hudein nga lagja Tadamon, në të cilën zhvillohen luftime prej shtatë ditësh thotë: "Vetëm në Tadamon ne kemi humbur 15 vetë. Dhjetra vetë janë plagosur. Më shumë se 30 shtëpi janë shkatërruar, shumë prej tyre ndodhen mes flakëve. Shkatërrimet dhe numri i të vrarëve është në rritje për shkak të artilerisë që qëllon pa pushim."

Druajtje për pasoja në mbarë rajonin

Ndërkohë Mbreti jordanez Abdullah II. tha në një intervistë për stacionin televiziv amerikan CNN lidhur me ngjarjet në vendin fqinjë, se druhet që konflikti mund të shkallëzohet edhe më tej, me pasoja të paparashikueshme për të gjithë rajonin.

UN Sicherheitsrat Krieg in Syrien
Fotografi: dapd

"Dy- tri javët e fundit dhuna midis grupeve të popullsisë është rritur aq shumë saqë ekziston rreziku i shpërthimit të një lufte të madhe civile. Nëse ndodh kjo atëherë do të kemi të bëjmë me një humnerë të thellë. Siria është më e komplikuar se Iraku dhe vendet e tjera të rajonit, nëse mblidhen pakicat që jetojnë në Siri, ato përbëjnë shumë më tepër pjesë të popullsisë se sirianët, kjo është ndryshe nga kudo tjetër në gadishullin arabik. Nëse shkatërrohet rendi civil, atëherë do të na duhen vite për ta rivendosur rendin në Siri."

Abdullah mendon se do të ketë probleme të mëdha në rajon, nëse Siria fut në luftë armët kimike. Nëse ndodh kështu komuniteti Ndërkombëtar duhet të reagojë qartazi. "Unë mendoj se regjimi e di se nëse vë në përdorim armë të tilla, kjo do të shkaktonte një reagim të menjëhershëm nga rajoni dhe komuniteti ndërkombëtar. Ne nuk mund ta tolerojmë përdorimin e armëve të tilla kundër popullit sirian. Por ne nuk mund ta tolerojmë as që armët kimike të bien në duar të gabuara. Do të çuditesha shumë nëse dhe do të ishte gabim i madh i regjimit nëse përdor këto armë, dhe kjo do të kishte si pasojë reaksione të menjëhershme të fqinjëve dhe komunitetit ndërkombëtar."