1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shifra horror - 5 milionë të papunë - Bundestagu debaton mbi politikën e punësimit

Sabine Kinkarc18 Shkurt 2005

Në sfondin e kërcënimit për një rekord të ri negativ në shifrat e papunësisë në Gjermani opozita dhe qeveria kanë shkëmbyer replika të ashpra në Bundestag lidhur me politikën ekonomike dhe atë të tregut të punës.

https://p.dw.com/p/As9n
Ministri i ekonomisë dhe i punës, Volfgang Klement
Ministri i ekonomisë dhe i punës, Volfgang KlementFotografi: AP

"Pakti për Gjermaninë", kështu e quan grupi parlamentar i partisë kristjan-demokrate/kristjansociale planin e tij 10 pikësh për më shumë zhvillim dhe hapjen e vendeve të punës në vend. Diskutimi në seancën plenare i këtij plani dha shkas për replika të ashpra lidhur me politikën e ekonomike dhe të punës që ndjek qeveria. Nënkryetari i grupit parlamentar të kristjandemokratëve, Roland Pofala, në fjalën e tij bëri përgjegjës për rekodrin e papunësisë ministrin e ekonomisë dhe të punës, Volfgang Klement: "Zoti Klement nga një superministër për ekonominë dhe punën ju keni degraduar në një super ministër për profetësi dhe deklarata. Ju nuk po lëvizni asgjë, ju keni dështuar si personalisht ashtu edhe politikisht."

Kryetarja e unionit kristjandemokrat, Angela Merkel, deklaroi, se me çfarë zgjidhjesh të pavlefshme synon t´i bëjë ballë qeveria situatës me rekordin prej 5 milionë të të papunëve: "Nëse dëgjon ministrin e ekonomisë të krijohet përshtypja, se je në ndonjë seminar të hyrjes në bazat e ekonomisë politike, ku herë provohet se ç´mund, apo ç´duhej bërë, herë diskutohet se cilët ekspertë duhet të pyesim."

Sipas opozitës papunësia e lartë nuk mund të luftohet me mjetet e politikës së tregut të punës. Në planin 10 pikësh kristjan-demokratët parashikojnë: lehtësimin e ekonomisë prej taksave, prej shpenzimeve dhe prej kostove të burokracisë, fleksibilizimin e ligjit që mbron punonjësit nga pushimi nga opuna, zgjatjen e kohës së punës, reformimin e sistemit të tatimeve si dhe uljen me 1.5% të kontributeve për sigurimin e asistencës së papunësisë.

Merkel: "Ju e dini mjaft mirë gjendjen e fitimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Kjo nis qysh nga interesat me 2% deri në 3%, gjë që në ndërmarrjet me pak personel presupozon një fitim më të ulët se 1000 euro. Duke llogaritur edhe mendimet që duhet ose jo kjo ndërmarrje të ketë një mjek, nëse duhet ose jo që të hartojë pesë apo gjahstë raporte mbi gjendjen, apo nëse ndërmarrja detyrohet edhe kundrejt ndonjë ligji ai ai i anti-diskriminimit, gjë që shtron nevojën e punësimit të ndonjë konsulenti për personelin: të gjitha këto i marrin frymën ndërmarrjes dhe e vënë atë përballë dilemës gjallë ose vdekur. Në këtë mënyrë sipërmarrësit përballen me insolvencën ndaj këto nuk ndryshohen vetëm me fjalë."

Partia socialdemokrate dhe ajo ekologjiste në pushtet e hedhin poshtë planin 10 pikësh të opozitës. Eksperti për çështjet e punës në partinë socialdemokrate Klaus Brandner e cilëson këtë plan si një demagogji të hapur. Unioni kristjandemokrat ofron koncepte të vjetra dhe që nuk përfshijnë mënyrën e financimit. Vetëm ulja e kuotizacionit për sigurimin e asistencës së papunësisë mund të kushtojë rreth 11 miliardë euro. Në vend të kësaj është e rëndësishme që të forochet konsumi privat, që në Gjermani përbën 60% të produktit bruto në vend: Brandner: "Ç´kërkoni ju? Redukktimin e të drejtave të punëstorëve, më pak mbrojtje ligjore për të punësuarit, më pak shpërblim, mos vallë ju kërkoni dobësimin dhe pasigurinë e punëtorëve? Për mua është një enigmë se si mund të rritet kërkesa në tregun e brendshëm që është domosdoshmëri koniukturore. Në këtë mënyrë ne nuk mund të hedhim asnjë hap përpara në luftën kundër papunësisë", thekson politikani socialdemokrat.

Ministri i ekonomisë, Volfgang Klement, planin 10 pikësh e cilësoi si një "plan të gatshëm për arkivin e dosjeve". Sipas tij disa propozime janë marrëzi, ndërsa disa të tjera jo efikase. Klement pranoi gjatë debateve se në muajin shkurt pritet sërish rritje e numrit të të papunëve. Por sipas tij qeveria nuk do të devijojë nga kursi i reformave të përcaktuara në "Agjendën 2010" dhe në paketën e reformës së tregut të punës të quajtur "Harc IV":
"Ne me agjendën 2010 kemi realizuar kthesën, me Harc IV kemi bërë një kthesë tjetër dhe jemi duke ndjekur tani një kurs të ri në politikën e tregut të punës. Duhet të veprojmë në të gjitha fushat ku mund të çlirohen kapacitete. Ne jemi të bindur për këtë rrugë që kemi nisur. Ato që dogjava nga opozita nuk më bindën, ndaj bëj thirrje që nëse ajo do të bashkëverpojë, atëherë le ta bëjë këtë."

Për partinë liberale foli nënkryetari i grupit parlamentar Rainer Bryderle, i cili kritikoi qeverinë, se i mungojnë konceptet dhe aftësia. Sipas tij problemi është, se qeveria kuq e gjelbër nuk janë në gjendje të vënë në lëvizje zhvillimin ekonomik: "Kjo ka të bëjë me atë që njerëzit nuk kanë besim dhe nuk ka siguri. Një republikë që në plan të parë merret me taksën për kanoçet e birrës dhe të limonatave, me taksën ekologjike, ligjin e anti-diskriminimit dhe me ligje që pengojnë kërkimet shkencore në fushën e teknologjisë gjenetike, nuk mund të ngjallë besim dhe as nuk mund të sjellë zhvillimin për hapjen e vendeve të reja të punës në Gjermani", deklaroi liberali Bryderle.

Këkesa e opozitës kristjan-demokrate për miratimin e planit 10 pikësh të reformave "Pakti për Gjermaninë" u hodh poshtë në Bundestag nga shumica kuq e gjelbër.