Shifra ende të larta të vdekshmërisë foshnjore në Shqipëri
20 Shtator 2010Në repartin e neo- natëve të Spitalit Obsetrik Gjinekologjik, Gentiana ka pak ditë që ka sjellë në jetë foshnjën e saj. “Është dhurata më e bukur që kam patur në jetën time. Vajza ime Izabel është vetëm tri ditë, falë mjekëve arrita ta sjell në jetë, pasi lindja e saj u krye me operacion. Rezultati ishte shumë i suksesshëm. Gjendja ime shëndetësore, me gjithë përpjekjet e mjekëve dhe dëshirës sime për lindje natyrale ,.. nuk lejoi që kjo të ndodhte." E qara e Izabel është ajo e një foshnjeje të shëndetshme që reagon nga tingujt e zërave apo që kërkon të pijë.
Shifra në ulje por ende të larta të vdekshmërisë foshnjore
Me një personel mjekësh, infermierësh dhe administrate prej 281 personash, prapavijë Spitali Obsetrik Gjinekologjik, “Koço Glozheni” është një strukturë moderne, me 4 salla operacionesh obsetrike dhe gjinekologjike ku aplikohet telemedicina, me aparatura moderne dhe mjekë neonatologë, gjinekologë, obstetër dhe reanimatorë të kualifikuar në Perëndim.
Drejtorja e spitalit, Dr. Rubena Moisiu, thotë se kombinimi i njohurive bashkëkohore të mjekëve me aparaturat moderne kanë dhënë rezultate të dukshme. “Që prej tri vitesh në këtë spital, vdekshmëria amtare është “0”. Por shifrat e vdekshmërisë foshnjore mbeten ende të larta. Vijnë çdo vit në ulje por jo ndonjë ulje shumë e ndjeshme,” thotë Dr. Moisiu.
Ulja e vdekshmërisë foshnjore prioritet i politikave shëndetësore në Shqipëri.
Shifrat zyrtare të publikuara nga UNICEF-i tregojnë së vdekshnëria foshnjore në Shqipëri në vitin 2009 ishte 22 për çdo 1000 lindje nga 39 për 1000 lindje që ka qenë në vitin 2000. Shifrat e vitit të kaluaar mbetem gjithsesi më të larta se mesatarja në vendet e BE, ku vdekshmëria foshnjore në vitin 2009 rezulton 4,5 për çdo 1000 lindje.
Dr. Pëllumb Pipero, Drejtor i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë thotë se reduktimi i vdekshmërisë foshnjore ka ardhur si rezultat i politikave të Ministrisë së Shëndetësisë, që kanë rritur aksesin e nënave në shërbimet shëndetësore dhe cilësinë e këtyre shërbimeve. Në çdo qendër banimi sot ka konsultore dhe qëndra të shërbimit parësor që janë të pajisura me nje mjek gjinekolog, mami dhe infermiere. “Për arritjen e objektivave të Mijëvjeçarit të ri, politikat e Ministrisë së Shëndetësisë janë përkthyer në rezultate të prekshme, që tregojnë efikasitetin e tyre. Në 2009 vdekshmëria foshnjore është 10,3 për 1000 lindje, kurse vdekshmëria amtare është zero. A kemi arritur më të mirën? Jo. Kemi ende nevojë për të zgjeruar aksesin në shërbimet shëndetësore,” thotë Dr. Pëllumb Pipero.
Zonat rurale – mbeten problematike
Për zonat rurale dhe malore të Shqipërisë ky zgjerim është emergjent. Niveli i vdekshmërisë foshnjore në zonat rurale është 2 herë më i lartë se ai në zonat urbane kurse në zonat malore 3 herë më i lartë. Ky realitet vjen si pasojë nga njëra anë e nivelit të ulët të arsimor të nënëve në zonat rurale dhe malësore dhe nga ana tjetër e nivelit të lartë të varfërisë në këto zona. Por shifrat e larta të vdekshmërisë foshnjore në këto zona vijnë edhe nga niveli i ulët i kualifikimit të personelit të mjekëve dhe infermierëve. “Kemi nevojë urgjente që personeli mjekësor dhe i infermierëve në zonat rurale të jetë më i kualifikuar,” thotë Dr. Pëllumb Pipero.
Shqipëria në trendin e duhur- nevojë për rritje fondesh
Prirja për reduktimin e vdekshmërisë foshnjore dhe ulja drejt zeros e vdekshmërisë amtare janë sinjale që tregojnë se Shqipëria po ecën në një trend pozitiv lidhur me realizimin e këtij objektivi të Mijëvjeçarit të ri. Po që kjo të realizohet lypsen fonde më të mëdha nga buxheti i shtetit. Për vitin 2010 këto fonde përbëjnë rreth 3% të GDP ose Produktit të Brendshëm Brutto, që është më i ulti në raport me vendet anëtare të BE. Burime nga agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Tiranë thanë për DW se pa rritjen e fondeve është tepër e vështirë që Shqipëria të arrijë objektivin e Mijevjeçarit të ri për reduktimin e vdekshmërisë foshnjore.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Aida Cama